Bazilika e Shën Pjetrit në Vatikan Bazilika e Shën Pjetrit në Vatikan

Ligj i ri kundër korrupsionit për drejtuesit e Vatikanit

Motu Proprio e Papës kërkon që drejtuesit dhe administratorët të deklarojnë se nuk kanë dënime, ose hetime për terrorizëm, pastrim parash, evazion fiskal. Nuk mund të kenë pasuri në parajsat fiskale, ose të investojnë në kompani, që veprojnë kundër Doktrinës së Kishës. Të gjithë punonjësve u ndalohet të pranojnë dhurata me vlerë mbi 40 euro

R.SH. - Vatikan

“Sipas Shkrimit të Shenjtë, besnikëria në çështje të vogla lidhet me besnikërinë në ato më të mëdha”. Me këto fjalë fillon Motu Proprio e re e Papës Françesku për transparencën, me të cilën Ati i Shenjtë u kërkon të gjithë drejtuesve ekzekutivë të Selisë së Shenjtë, të çdo niveli, dhe të gjithë atyre, që kryejnë funksione administruese, funksione juridiksionale, ose mbikëqyrëse, të nënshkruajnë një deklaratë, që siguron se nuk kanë marrë dënime përfundimtare, nuk u janë nënshtruar gjykimeve penale, ose hetimeve për korrupsion, mashtrim, terrorizëm, pastrim parash, shfrytëzim të të miturve, evazion fiskal. Gjithashtu, nuk kanë para, ose investime, në vendet me rrezikshmëri të lartë për pastrimin e parave e financimin e terrorizmit, në parajsat fiskale, ose nuk kanë aksione në ndërmarrjet, që veprojnë kundër doktrinës shoqërore të Kishës.

         Këto masa shtrënguese pasojnë ato të 19 majit 2020, kur Papa Françesku shpalli Kodin e ri të prokurimit. Siç shpjegon vetë Ati i Shenjtë, normat e reja janë të domosdoshme, sepse korrupsioni “mund të shfaqet në mënyra dhe forma të pamenduara edhe në sektorë të ndryshëm nga ai i prokurimit. Prandaj, rregulloret dhe praktikat më të mira në nivelin ndërkombëtar parashikojnë detyrime të veçanta transparence për subjektet, që kanë role kyçe në sektorin publik, me qëllim parandalimin dhe luftën, në çdo sektor, kundër konfliktit të interesit, kundër nepotizmit dhe korrupsionit në përgjithësi”. Për këtë arsye, Selia e Shenjtë, e cila i përmbahet Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit, “ka vendosur të veprojë në përputhje me praktikat më të mira për të parandaluar dhe luftuar” këtë fenomen “në format e tij të ndryshme”.

         Kështu, Papa vendosi të shtojë disa nene në Rregulloren e Përgjithshme të Kuries Romake, përmes kësaj mase, që ka të bëjë me të gjitha subjektet e klasifikuara në nivelet funksionale C, C1, C2 dhe C3 (dmth. nga kardinajt në krye të dikasterve tek zv.drejtorët me kontratë drejtimi 5-vjeçare) dhe, me të gjithë ata, që kanë funksione administrimi aktiv juridiksional, ose kontrolli dhe mbikëqyrjeje. Ata duhet të nënshkruajnë një deklaratë, në çastin e punësimit, që rinovohet çdo dy vjet.

         Sekretaria për Ekonominë mund të kryejë kontrolle mbi vërtetësinë e deklaratave dhe, në rast se ato rezultojnë të pavërteta, Selia e Shenjtë mund ta pushojë punonjësin nga puna dhe të kërkojë dëmshpërblim. Së fundi, të gjithë punonjësve të Kuries Romake, Shtetit të Vatikanit dhe organeve të lidhura me të, u ndalohet të pranojnë, gjatë ushtrimit të detyrës, “dhurata, ose përfitime të tjera” me vlerë mbi 40 euro.

29 prill 2021, 12:26