Papa takohet me Klariset e Paganikës Papa takohet me Klariset e Paganikës 

Françesku: pas dramës, rinisesh me Zotin e me frymën e vëllazërimit

Në audiencën me Klariset e Paganikës, lokalitet në provincën e Akuilës, në Itali, dëmtuar rëndë nga tërmeti i 2009-tës, Papa kërkoi nga rregulltaret “të jenë prani lutëse e ngushëlluese”, në mbështetje të të gjithë atyre, që i kanë akoma të hapura plagët e tërmetit.

R. SH. - Vatikan

Disa herë ata kujtuan se “shpëtuan për mrekulli”, edhe pse gjatë tërmetit, që ua shkatërroi manastirin e tyre të Paganikës më 6 prill 2009, humbën gjithçka e, sidomos, abateshën e tyre, Nënë Gemma Antonuccin. Klariset, që u pritën sot në audiencë nga Papa, janë plot me forcën e fesë,  të lutjes e të asaj Bible, të cilën e gjetën nëntë muaj më pas ndërmjet rrënojave. Pikërisht asaj, që sot ekspozohet në manastirin e ri, rihapur më 9 marsin e kaluar. Françesku, duke i pritur në audiencë, pa në to forcën që lind nga shpresa e nga lëshimi besimplotë në dashurinë më  të madhe:

“Nga kjo dramë Zoti ju bëri të dilni më të përfocuara, si kokrra e grurit që duhet të vdesë, për të sjellë fryt. Kështu ndodhi edhe me bashkësinë tuaj murgare. Provuat një dhimbje shumë të madhe, por edhe kujdesin plot dashuri të Atit qiellor dhe solidaritetin e shumë njerëzve”.

Duke i takuar, Papa u dorëzoi tekstin e fjalimit, përgatitur për këtë takim  dhe i falënderoi për lutjen e vazhdueshme si dhe për Qiriun e Pashkëve, që ia dhuruan për Kapelën e Shën Martës, zbukuruar me duart e tyre të talentuara. “Përmes këtij simboli të Krishtit, dritë e botës, ju - u tha - do të jeni të pranishme shpirtërisht në kremtimet, që zhvillohen në këtë Kapelë”.

Të rinisemi gjithnjë nga Zoti e nga dashuria e vëllezërve

Françesku rikujtoi fatin e klariseve pas natës, që zhduku gjithçka, “veç Zotit e vëllazërisë”, kohën që kaluan nën një strehë të përkohshme e, më pas, edhe në manastirin e rindërtuar falë bujarisë së shumëkujt:

“Nga këto dy pika të fuqishme u nisët me guxim. Një herë ndenjët në një strehë të përkohshme, e, dhjetë vjet pas tërmetit, u rikthyet në manastirin e rindërtuar e të ripërtrirë. Tani bashkësia e juaj lulëzon, e përbërë nga 12 murgesha, të gjitha të reja. Ky është mesazhi, që u dhatë njerëzve: përballë tragjedive duhet të rinisemi nga Zoti e nga solidariteti vëllazëror”.

Bashkimi i plotë me Ungjillin

Duke përfunduar mesazhin, Papa u besoi një detyrë të rëndësishme, të mbështetura nga karizma e Shën Kiarës dhe Shën Françekut, si dhe nga shembulli i së Lumes Antonia, figurë e shquar e përshpirtërisë akuilane:

“Të dashura motra, mos u lodhni duke qenë prani lutëse e ngushëlluese, për të mbështetur popullsinë e vënë në provë të rëndë nga përvoja e tmerrshme, e cila vijon të ketë nevojë për ngushëllim e inkurajim. Përgjigjiuni bujarisht dëshirës, që Zoti jua vuri në zemra, duke e jetuar jetën tuaj të përkushtuar në bashkim të plotë me Ungjillin”.

Përsëri në shtëpi

Motrat klarise hynë përsëri në manastirin e Paganikës dhjetë vjet pas tërmetit. Në fillim vendosën të shkojnë në manastirin e Pollencës, në Provincën e Maçeratës. Por dëshira për t’u rikthyer nën strehën e moçme ishte tepër e fortë. Si bënë thirrje për rindërtimin, u strehuan në një shtëpi të vogël prej druri. Aty banuan, derisa u rikthyen në manastirin e tyre të dashur. Motrat e varfra të Shën Kiarës janë në Paganica që nga korriku 1997, pas  transferimit nga qendra historike e Akuilës.

26 prill 2021, 15:43