Dhurata e Papës Armenisë, për t’iu kundërvënë pandemisë

Papa Françesku dërgon në Armeni materiale për të mjekuar të sëmurët nga Covid-19. Ceremonia e bekimit u mbajt dje, në praninë e Nuncit apostolik dhe të drejtorit të spitalit “Redemptoris Mater” të Ashotsk.

R.SH. - Vatikan

Bekimi i materialit shëndetësor, dhuruar nga Papa Françesku, u kremtua dje paradite, pranë Ordinariatit të katolikëve armenë, në Kanakar të Armenisë. Papa dërgoi në vend donacione mjekësore për mjekimin e të sëmurëve nga Covid-19.

Të pranishëm, pëveç bashkësisë katolike të Yerevanit, Nunci Apostolik, imzot José A. Bettencourt dhe atë Mario Cucarollo, drejtor i spitalit katolik “Redemptoris Mater” në Ashotks të Gjeorgjisë e të Armenisë. Struktura,  drejtuar nga vëllezërit e Shën Camillo de Lellis, mjekon të sëmurët e Kaukazit jugor, duke u ofruar ndihmë të gjithë atyre, që kanë nevojë.

Gjatë ceremonisë u përurua edhe një autoambulancë e re, e pajisur me mjetet më moderne mjekësore të lëvizshme, edhe kundër koronavirusit. Për arritjen e materialeve u kujdesën nunciatura apostolike dhe fondacioni Samaritani i Mirë, themeluar nga Shën Gjon Pali II më 12 shtator 2004,  besuar sot  Dikasterit vatikanas për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor.

26 prill 2021, 15:00