Mesha e Papës në Shtëpinë e Shën Martës Mesha e Papës në Shtëpinë e Shën Martës

Papë i afërt, edhe pse larg: një vit nga Mesha në Shën Martë, transmetuar virtualisht

Më 9 mars 2020, në mes të pandemisë së koronavirusit, mediat e Vatikanit transmetuan, me urdhër të Papës, Meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Për më shumë se dy muaj, pasi meshët në praninë e besimtarëve u pezulluan, Ati i Shenjtë u qëndroi pranë besimtarëve përmes transmetimit të përditshëm në internet e në rrjetet shoqërore.

R.SH. - Vatikan

Thuhet se “na ra mbi kokë si rrufe në qiell të kthjellët”, kur një ngjarje papritur na e ndryshon jetën. Rrufeja sjell edhe dritë e në atë shkëlqim mund të shihet një horizont shprese. Natyrisht, akoma përhapet pandemia që mbyt, që e bën jetën të ndalet, që na detyron të ndryshojmë ekuilibrin e punës, të shtëpisë e na pengon edhe të shkojmë si më parë në meshë, për të mos lejuar infektimin nga koronavirusi.

Por kjo dritë shndrit mbi mjekët, infermierët, pastruesit, punonjësit e dyqaneve ushqimore dhe mbi përkushtimin e tyre për t’u shërbyer të gjithëve, por zbehet kur përpiqet të ndriçojë jetën e më të brishtëve, kujtesën e të moshuarve dhe rrënjët e tyre të thella, që shërbejnë për të ndërtuar të ardhmen, siç i pëlqen Papës t’i quajë.

Pranë të gjithëve

Në këtë hutim, që e ndiejnë të gjithë, në vetminë që e përjetojnë kaq shumë vetë, në frikën nga sëmundja, Papa Françesku vendos t’u qëndrojë afër besimtarëve. Bariu i Kishës universale u jep mundësinë të marrin pjesë në meshën e tij të mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Transmetimi i saj i drejtpërdrejtë, në orën 7, fillon më 9 mars 2020. Deri atëherë, në meshën e Papës merrnin pjesë vetëm grupe të vogla e ajo tregohej si lajm nga mediat e Vatikanit. Papa e kremton tani në emision të drejtpërdrejtë, duke sqaruar menjëherë kuptimin e atij veprimi:

“Në këto ditë, unë do të ofroj meshë për të sëmurët e kësaj epidemie të koronavirusit, për mjekët, infermierët, vullnetarët që ndihmojnë shumë, për familjarët, për të moshuarit në shtëpitë e pleqve, për të burgosurit. Le të lutemi së bashku këtë javë, t’i lartojmë Zotit lutjen e fuqishme: ‘Shpëtomë, o Zot, dhe më mëshiro. E kam hedhur hapin në rrugën e duhur. Në asamble, do të bekoj Zotin’”.

Kisha me popullin

“Lutje të fuqishme”: këtë kërkon Papa Françesku, një lutje që lartohet nga shtëpia e tij për t’u bërë frymë shpirtërore për botën. Një zë i vetëm që bashkon, që e përforcon bashkësinë, që e ndihmon të mos dorëzohet para dëshpërimit. Çdo ditë, Papa ka një mendim për ata, që ndodhen në vështirësi: nënat shtatzëna, fëmijët larg shkollës, që, nga nxitimi i mbylljes në shtëpi, nuk përshëndetën as mësuesit e as shokët e tyre, artistët e talentuar me “shumë krijimtari”, të cilët “përmes rrugës së bukurisë - tha Ati i Shenjtë më 27 prill 2020 - na tregojnë udhën për t’u ndjekur”.

09 mars 2021, 16:17