Papa Françesku dhe kardinali. Angelo De Donatis Papa Françesku dhe kardinali. Angelo De Donatis

Papa: në Pallatin Lateranens, kulturë dhe veprimtari muzikore

Në një letër drejtuar Vikarit të tij për dioqezën e Romës, Papa Françesku i cakton ndërtesat ngjitur me Bazilikën Papnore të Shën Gjonit në Lateran, në kompleksin e atij që njihet prej shekujsh si Patriarkiumi Lateranens, për veprimtari muzeale dhe kulturore nga më të ndryshmet

R.SH. - Vatikan

“Ia besoj Shkëlqesisë suaj, Vikarit tim për dioqezën e Romës, detyrën e realizimit, në kompleksin e atij që njihet prej shekujsh si ‘Patriarkiumi Lateranens’, veprimtari muzeale dhe kulturore në forma e me përmbajtje të ndryshme, duke i dhënë pamjen e nevojshme, bazuar në ‘traditat fisnike artistike, me të cilat mburret Kisha Katolike’ (Traktati i Lateranit, neni 16)”. Kështu shkruan Papa Françesku në një letër drejtuar vikarit të tij, kardinalit Angelo De Donatis, me të cilën i kërkon vlerësimin e Pallatit Lateranens nga pikpamja kulturore.

Gjatë shekujve, shpjegon Papa, Kisha “ka punuar gjithmonë për të promovuar frytet e gjenisë dhe të mjeshtërisë së artistëve, shpesh dëshmi e përvojës së fesë dhe mjete për të nderuar Zotin. Kjo, jo vetëm për dashurinë ndaj artit, por edhe për të mbrojtur trashëgiminë kulturore përballë sfidave dhe rreziqeve, që do ta kishin privuar atë nga funksioni dhe vlerat e saj”.

Kjo “përgjegjësi e veçantë, e shoqëruar nga kujdesi i vëmendshëm për t’i konsideruar vendet, ndërtesat dhe veprat si shprehje të shpirtit njerëzor dhe si pjesë përbërëse e kulturës së njerëzimit, - vazhdon Françesku – u ka dhënë mundësinë Paraardhësve të mi t’ua kalojnë ato brezave të ndryshëm dhe të punojnë për t’i ruajtur e për t’i vënë në dispozicion të vizitorëve dhe të studiuesve. Një detyrë, që edhe sot e impenjon Ipeshkvin e Romës për ta bërë të përdorshme bukurinë e pasurive dhe të trashëgimisë artistike, që i janë besuar mbrojtjes së tij”.

“I nxitur nga këto arsye, - shkruan më tej Papa Françesku – i destinoj për këtë qëllim edhe ndërtesat ngjitur me Bazilikën Papnore të Shën Gjonit në Lateran, seli e katedrës sime ipeshkvnore, i vetëdijshëm për natyrën që i atribuojnë atij kompleksi ngjarjet e historisë, si edhe dispozitat e Traktatit të Lateranit (shih nenin 13 dhe Shtojcën II, 1)”.

Kardinali vikar “do të veprojë në bashkëpunim me organet drejtuese të Shtet-Qytetit të Vatikanit dhe, nëse është e nevojshme, me organizmat operative të Guvernatoratit, duke marrë parasysh dispozitat në fuqi për zonat jashtë-territoriale, brenda kuadrit të statusit të tyre të veçantë ligjor”.

16 mars 2021, 14:32