Papa Françesku para shtatores së Shën Jozefit Papa Françesku para shtatores së Shën Jozefit

Papa Françesku: Shën Jozefi, i butë e guximtar, shembull për çdo thirrje

Në solemnitetin e Shën Jozefit, mesazhi i Papës me rastin e Ditës Botërore të Lutjes për Thirrjet i referohet pikërisht figurës së fatit të shën Marisë dhe ëndrrave të tij. “Ikonë shembullore e pranimit të planeve të Zotit”: ky, përkufizimi i Atit të Shenjtë, që na fton t’i lutemi “njeriut të drejtë”, për t’i thënë sërish “po” planit të Zotit për secilin prej nesh

R.SH. - Vatikan

Kujdesit atëror të shën Jozefit, zemrës së tij të butë, mënyrës së tij për t’iu dhuruar krejtësisht Zotit, Papa Françesku ia beson thirrjet e sotme në meshtari e në jetën rregulltare. Në Mesazhin me rastin e Ditës Botërore të Lutjes për Thirrjet, themeluar nga Shën Pali VI në vitin 1964 e kremtuar më 25 prill, të Dielën e katërt pas Pashkëve, Ati i Shenjtë vë në dukje jetën e zakonshme të këtij “shenjti të madh”, i cili “realizoi diçka të jashtëzakonshme në sytë e Zotit”.

Një zemër bujare

         Në Ungjij nuk gjejmë fjalët e tij, por zemrën, që Zoti e sheh dhe e zgjedh për vete. “Tek Shën Jozefi – shkruan Papa Françesku – Zoti pa zemrën e atit, të aftë për ta dhuruar e për ta lindur jetën çdo ditë”. Kështu ndodh edhe me thirrjet:

“Zoti dëshiron të plazmojë zemra baballarësh, zemra nënash: zemra të hapura, të afta për hove të mëdha, bujare në dhurimin e vetvetes, të dhembshura në ngushëllimin nga ankthet dhe të palëkundura në përforcimin e shpresës. Për këtë kanë nevojë meshtaria dhe jeta rregulltare, veçanërisht sot, në kohë të karakterizuara nga ligështi e vuajtje, edhe për shkak të pandemisë, e cila ka sjellë pasiguri dhe frikë për të ardhmen e për vetë jetën. Shën Jozefi vjen drejt nesh me butësinë e tij, si shenjt i portës përballë; njëkohësisht, dëshmia e tij e fuqishme na e orienton udhën”.

Shenjat e vogla të Zotit

         Reflektimi i Papës përvijohet mbi bazën e tri fjalëve kyçe. E para është “ëndrra”, term i lidhur pazgjidhshëm me dashurinë, sepse aty përmbushet vërtet jeta dhe zbulohet misteri i saj. Në fakt, - thekson Françesku – jetën e kemi vetëm nëse e dhurojmë, e zotërojmë vërtet vetëm nëse e dhurojmë plotësisht”. Shën Jozefi e ktheu jetën e vet në dhuratë, falë ëndrrave, që i treguan rrugën.

“Shën Jozefi i la ëndrrat ta udhëheqin pa ngurrim. Pse? Sepse zemra e tij orientohej kah Zoti, prirej drejt Tij. ‘Veshit të tij të brendshëm’ e vigjilent i mjaftonte një shenjë e vogël për t’ia njohur zërin”.

Një shenjë, që shndërrohet në thirrje, sepse - shkruan Papa - Zotit nuk i pëlqen ta zbulojë veten në mënyrë spektakolare, duke na e cënuar lirinë. Mënyra me të cilën na flet është “butësia”, “nuk gjuan me rrufe vizionesh plot shkëlqim, por i drejtohet me delikatesë shpirtit tonë, duke u bërë intim me ne dhe duke na folur përmes mendimeve dhe ndjenjave tona”.

Një “po”, që s’është dorëzim

Katër ëndrrat e shën Jozefit - lindja e Jezusit, ikja nga Egjipti, kthimi në atdhe dhe mbërritja në Nazaret – kërkojnë përgjigje të guximshme për të ndjekur vullnetin e Zotit. Por Shën Jozefi nuk bën thjesht një akt dorëzimi para vullnetit hyjnor. Ai e pranon aktivisht atë, përmes një protagonizmi të fuqishëm.

“Nuk ka fe pa rrezik – shkruan Papa Françesku. - Vetëm duke e lëshuar veten në duart e Hirit hyjnor, duke i lënë mënjanë programet dhe rehatitë e veta, njeriu i thotë vërtet ‘po’ Zotit. Dhe çdo ‘po’ jep fryte, sepse është pjesë e një plani më të madh, nga i cili shohim vetëm disa veçori, por që Artisti hyjnor e njeh dhe e realizon, për ta kthyer çdo jetë në një kryevepër”.

Duart e palodhura të Zotit

         Karakteristika tjetër ka të bëjë me “shërbimin”, që karakterizon udhën e thirrjen e Shën Jozefit, lindur nga një dashuri e lirë, që nuk dëshiron ta bëjë pronë personale tjetrin. Papa nënvizon aspektin e “dhurimit të vetvetes” në jetën e shenjtit, aftësinë e tij për të mos u shkurajuar, për të përballuar situata të reja pa u ankuar. Kjo është “gatishmëria e atyre, që jetojnë për të shërbyer”, thekson Papa duke pasur parasysh thirrjet në jetën meshtarake e rregulltare.

“Mund të thuhet se [Shën Jozefi] ka qenë dora e Atit Qiellor drejt Birit të tij në tokë. Prandaj, ai s’mund të jetë veçse shembull për të gjitha thirrjet, të cilat duhet të jenë pikërisht kështu: të jenë duart e palodhura të Atit për bijtë dhe bijat e tij”.

Kujdesi për të ruajtur e mbrojtur

         Ashtu si Shën Jozefi, vijon më tej Papa në mesazh, ne japim një shembull të bukur të jetës së krishterë, “kur nuk ndjekim me kokëfortësi ambiciet tona dhe nuk paralizohemi nga nostalgjia, por kujdesemi për atë që na e beson Zoti, përmes Kishës! Atëherë, Hyji dikon mbi ne Shpirtin e tij, krijimtarinë e tij; dhe bën mrekulli, si me Shën Jozefin”. Meditimi i shenjtit, peshimi i çdo veprimi pa u ngutur e duke menduar gjithnjë për të ardhmen, janë ushtrime besnikërie ndaj Zotit, që vlejnë për çdo thirrje, nënvizon Ati i Shenjtë. “Mos ki frikë”, i thotë Zoti shën Jozefit, e “Mos ki frikë: janë fjalët që Zoti të drejton edhe ty, e dashur motër e, edhe ty, i dashur vëlla – u thotë Papa meshtarëve e rregulltarëve – kur, megjithëse mes pasigurive e lëkundjeve, e ndien se nuk mund ta shtysh më realizimin e dëshirës për t’ia dhuruar jetën Atij. Janë fjalët, që të përsërit kur, kudo ndodhesh, ndoshta mes sprovash e keqkuptimesh, lufton për ta ndjekur çdo ditë vullnetin e tij. Janë fjalët, që i rizbulon kur, përgjatë udhës së thirrjes, kthehesh në dashurinë e parë. Janë fjalët që, si refren, e shoqërojnë atë që i thotë ‘po’ Zotit me jetën e vet, si Shën Jozefi: në besnikërinë e çdo dite”.

Zoti, ëndrra e jetës

“Kjo besnikëri - nënvizon Papa në mesazh - është sekreti i gëzimit” të atyre, që mbrojnë më të rëndësishmen: “afërsinë besnike me Zotin dhe të afërmin”. “Sa bukur do të ishte – uron Ati i Shenjtë - sikur e njëjta atmosferë e thjeshtë dhe e shndritshme, e matur dhe shpresëdhënëse, të përshkonte seminaret, institutet tona rregulltare, famullitë!”

“Është gëzimi, që unë uroj për ju, vëllezër dhe motra, që me zemërgjerësi e keni bërë Zotin ëndrrën e jetës suaj, për t’i shërbyer Atij në vëllezërit dhe motrat, që ju janë besuar, përmes një besnikërie që është dëshmi në vetvete, në një epokë të karakterizuar nga vendime kalimtare e nga emocione, që zhduken pa lënë gjurmë gëzimi. Shën Jozefi, mbrojtësi i thirrjeve, ju shoqëroftë me zemër ati!”, përfundon mesazhi i Papës Françesku kushtuar Ditës Botërore të Lutjes për Thirrjet.

19 mars 2021, 12:02