Vaksinimi i të varfëve Vaksinimi i të varfëve 

Me Lëmoshtarinë Apostolike, 1200 të varfër do të vaksinohen deri për Pashkë

1200 vetë, ndër më të varfërit e më të lënët pas dore, e prej këndej, edhe më të rrezikuarit nga koronavirusi, do të vaksinohen gjatë Javës së Madhe, me nismën e Lëmoshtarisë Apostolike, falë dozave të vaksinës Pfizer-Biontech blerë nga Selia e Shenjtë dhe ofruar nga Spitali Lazzaro Spallanzani i Romës.

R. SH. - Vatikan

1200 vetë, ndër më të varfërit e më të lënët pas dore, e prej këndej, edhe më të rrezikuarit nga koronavirusi, do të vaksinohen gjatë Javës së Madhe, me nismën e Lëmoshtarisë Apostolike, falë dozave të vaksinës Pfizer-Biontech blerë nga Selia e Shenjtë dhe ofruar nga Spitali Lazzaro Spallanzani i Romës.

Askush nuk duhet përjashtuar

Nisma, lexohet në një Komunikatë të Lëmoshtarisë, “i bën të prekshme, konkrete,  thirrjet e ndryshme të Papës Françesku që askush të mos përjashtohet nga fushata e vaksinimit Covid-19”. Vaksinimi do të realizohet në Sallën Pali VI nga mjekët, punonjësit e shëndetësisë e vullnetarët e ambulancës “Nëna e Mëshirës”, poshtë Kolonatit të Berninit, në Sheshin e Shën Pjetrit, që vijojnë t’i ndihmojnë me tampone e diagnoza 1200 endacakët e ardhur nga 96 vende të ndryshme.

Një “vaksinë pezull”…

“Për ta ndarë së bashku mrekullinë e dashurisë për vëllezërit më të ligshtë e për t’u dhënë atyre mundësinë ta gëzojnë këtë të drejtë”, mund të bëhet një donacion on-line për llogari të bamirësisë së Papës Françesku, që drejtohet nga Lëmoshtaria, në kanalin www.elemosineria.va. Është një lloj vaksine “pezull”, për të pohuar  se të gjithë, siç e ka kujtuar më se një herë Papa, “duhet të kenë të drejtë të vaksinohen e askush nuk duhet përjashtuar për shkak të varfërisë”.

Në janar u vaksinuan 25 të pastrehë

Kjo histori filloi që në janarin e kaluar, kur në Vatikan nisi fushtata e vaksinimit. Që atëherë u vaksinuan 25 të pasterhë, që jetojnë rreth Sheshit të Shën Pjetrit e që  mikpriten në strukturat e Lëmoshtarisë, të pranishme në zonë. Burra e gra mbi 60 vjeç, me probleme të rënda fizike e vështirësi edhe më të mëdha për t’u pranuar në  strukturat shëndetësore kombëtare. Është kjo një ndihmë, që i shtohet angazhimit të cilin, që në fillim të emergjencës shëndetësore, Papa e ka dëshmuar konkretisht duke dhuruar, përmes lëmoshtarisë, makineri për spitalet e Italisë e të botës, e duke u krijuar njerëzve, për të cilët nuk mendon askush, mundësinë e përdorimit të tamponeve.

Ushtrim përgjegjësie

Vaksinimi - ka nënvizuar Papa Françesku - “është mënyrë për të vënë në jetë përgjegjësinë ndaj të afërmit e të së mirës kolektive”. Prandaj Papa, në Mesazhin e Krishtlindjes 2020, u kërkoi “drejtuesve të shteteve, sipërmarrjeve, organizmave ndërkombëtare, të vënë në jetë bashkëpunimin, jo konkurencën; të kërkojnë rruzëgjidhje për të gjithë, e jo vetëm për vete". Përballë një sfide, që nuk njeh kufij kohe as vendi, nuk mund të ngrihen mure - thekson Ati i Shenjtë - me bindjen se jemi të gjithë në një barkë! E duhet t’i luajmë së bashku remat!

26 mars 2021, 15:01