Lutja e Papës Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit më 27 mars 2020 Lutja e Papës Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit më 27 mars 2020

Covid-19, një vit më parë, Papa ia besonte Zotit njerëzimin në stuhi

Ishte 27 mars 2020, kur Papa Françesku u lut në Sheshin e Shën Pjetrit, krejt shkretë. Bota kishte marrë vesh se Covid-19 ishte pandemi, vetëm prej dy javësh. Dymbëdhjetë muaj më vonë, ai çast i jashtëzakonshëm lutjeje merr kuptim edhe më të madh

R.SH. - Vatikan

Ka ditë në jetë kur secili prej nesh është i vetëdijshëm se para syve të tij po shkruhet historia. Fragmente, që mbeten të pashlyeshme, në gjendje të zgjojnë emocione edhe pas muajsh e vitesh. I tillë është ai çast i jashtëzakonshëm lutjeje në kohë pandemie, kryesuar një vit më parë nga Papa Françesku. E gjithë bota u lidh drejtpërdrejt, pa Sheshin e Shën Pjetrit krejtësisht të shkretë, të rrahur nga shiu i imtë e dëgjoi zërin e Atit të Shenjtë, që ngrihej i vetmuar për t’i kërkuar Zotit të mos e linte njerëzimin në mëshirën e stuhisë. Edhe ata, që ende nuk kishin lindur atë ditë, do ta njohin atë 27 mars të vitit 2020, i cili do të kujtohet me vite, ashtu siç do të kujtohet edhe nesër, 12 muaj më vonë, në përvjetorin e ngjarjes, që shënoi historinë e këtij shekulli.

Njoftimi i Papës

Të dielën, më 22 mars 2020, në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku ia njoftoi botës këtë çast të jashtëzakonshëm lutjeje:

“Të premten e ardhshme, 27 mars, do të kryesoj një lutje në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, me sheshin bosh. Do të dëgjojmë Fjalën e Zotit, do t’i lartojmë Hyjit lutjen tonë, do të adhurojmë të Shenjtnueshmin Sakrament, me të cilin, në fund, do të jap bekimin Urbi et Orbi, me mundësinë për të marrë Ndjesën e plotë. Pandemisë së virusit duam t’i përgjigjemi me universalitetin e lutjes, të dhembshurisë dhe të butësisë. Të mbetemi të bashkuar”.

Dhjetë ditë më parë, më 11 mars, Organizata Botërore e Shëndetësisë pati shpallur gjendjen e pandemisë për Covid-19. Në botë, deri atëherë, ishin regjistruar 118 mijë raste në 114 vende; viktimat arrinin në mbi 4 mijë e shumë njerëz luftonin për jetën nëpër spitale. Një vit më vonë, numri i të infektuarve nga koronavirusi ka arritur në 125 milion, ndërsa numri i përgjithshëm i viktimave i afrohet 3 milionëshit.

27 marsi i vitit 2020

Ishte ora 18.00 e së premtes, 27 mars. Sheshi i Shën Pjetrit ishte po aq i shkretë sa sheshet dhe rrugët e qytetit të Romës, të komunave të Evropës, të një pjese të mirë të botës. Binte shi e vetëm sirena e ambulancës thyente heshtjen shurdhuese të atyre çasteve. Papa, i vetëm, ngjiti shkallët, që e çojnë në tremen e Bazilikës. Dukej se atë mbrëmje kishte vendosur të mbante mbi supe peshën e lutjeve dhe të shpresave të gjithë planetit. Pas leximit të Ungjillit sipas Markut, Papa, në homelinë e tij të gjatë, përshkroi gjendjen e të gjithë njerëzve në atë kohë: njerëz të vetmuar, të frikësuar, të thyer nga dhimbja. Në fund të reflektimit, hyri në Bazilikë dhe me të Shenjtnueshmin Sakrament bekoi qytetin ku është ipeshkëv, Romën, si edhe botën.

Jemi të gjithë në të njëjtën barkë

Në fragmentin e Ungjillit të asaj dite, Jezusi u thotë dishepujve të kalojnë në bregun tjetër. Pas një stuhie të madhe, Krishti zgjohet nga dishepujt që kanë frikë se mos bien. Pavarësisht nga trazirat, Jezusi është i qetë, i sigurt në Atin Qiellor. Pastaj, era ndalet dhe ujërat qetësohen. Jezusi u drejtohet dishepujve me këto fjalë: “Pse keni frikë? Akoma nuk keni besim?”. Edhe sot, tha Papa, jetojmë në kohë stuhie:

“Që prej javësh duket sikur ka rënë terri. Errësira dyndet mbi sheshet, rrugët dhe qytetet tona; është bërë zot i jetës sonë, duke e mbushur gjithçka me një heshtje shurdhuese dhe me një boshllëk të shkretuar, i cili paralizon çfarë gjen përpara: ndihet në ajër, ndihet në gjeste, e thonë edhe vështrimet. Kemi frikë, e kemi humbur udhën. Ashtu si dishepujt e Ungjillit, u befasuam nga stuhia e papritur dhe e furishme. E kuptuam se ndodhemi në të njëjtën barkë, të gjithë të brishtë e të çorientuar, por njëkohësisht, të rëndësishëm e të domosdoshëm, të gjithë të thirrur për të vozitur së bashku, të gjithë me nevojën për ta ngushëlluar njëri-tjetrin. Në këtë barkë... jemi të gjithë”.

Të rishikohet udha

Njeriu i ka hapur shumë plagë tokës, e cila e ka lartuar tashmë britmën e vet, pavarësisht se shumë nuk e dëgjojnë. Në këtë botë, që Zoti e do më shumë se ne, pohoi atëherë Papa, “kemi ecur përpara me gjithë shpejtësinë e mundshme, duke u ndjerë të fortë dhe të aftë për gjithçka”. E Françesku kërkoi ndryshime:

“Të babëzitur për fitime, e kemi lënë veten në dorën e gjërave e jemi hutuar nga nxitimi. Nuk u ndalëm para britmës së tokës, nuk u zgjuam para luftërave planetare dhe para padrejtësive, nuk e dëgjuam seriozisht britmën e të varfërve dhe të planetit. Vazhduam pa turp, duke menduar se mund të mbeteshim të shëndetshëm në një botë të sëmurë. Tani, ndërsa ndodhemi në mes të detit të stuhishëm, po të lutemi: ‘Zgjohu o Zot!’ ‘Pse keni frikë? Akoma s’keni besim?’. O Zot, ti na bën këtë thirrje, thirrje për të pasur fe. Që nuk do të thotë vetëm të besosh se Ti ekziston, por të ecësh drejt Teje e të besosh tek Ti. Në këto Kreshmë kumbon thirrja jote urgjente: ‘Pendohuni’, ‘kthehuni tek unë me gjithë zemër’. Na bën thirrje ta shfrytëzojmë këtë kohë sprove si kohë për të zgjedhur. Nuk është koha e gjykimit tënd, por e gjykimit tonë: kohë për të zgjedhur çfarë ka rëndësi dhe çfarë kalon, për të ndarë çka është e nevojshme nga çka nuk është. Kohë për të rishikuar udhën e jetës e për ta orientuar drejt Teje, o Zot, e drejt të tjerëve”.

Prania e atit

I afërt në distancë. Marsi i vitit 2020 ishte edhe muaji, në të cilin Papa Françesku filloi atë, që me kalimin e kohës, do të bëhej një takim ditor i lutjes dhe i shpresës: meshën në Shtëpinë e Shën Martës. Duke nisur nga 9 marsi i vitit 2020, mesha e orës 7 të mëngjesit, që deri në atë kohë përmblidhej në lajmet e mediave të Vatikanit dhe u rezervohej vetëm grupeve të vogla, kremtohet për të gjithë. Papa e kremton Eukaristinë në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv, duke shpjeguar edhe kuptimin e këtij vendimi:

“Këto ditë, do të ofroj meshë për të sëmurët e kësaj epidemie të koronavirusit, për mjekët, infermierët, vullnetarët që ndihmojnë shumë, për familjarët, të moshuarit që janë në shtëpi për pleq, për të burgosurit. Të lutemi së bashku këtë javë, t’i lartojmë Zotit këtë lutje të fuqishme: ‘Më shpëto o Zot e kij mëshirë. Këmba ime ecën në rrugë të drejtë. Në bashkësi do ta bekoj Zotin’”.

26 mars 2021, 13:36