Familja Shenjte: mozaik Familja Shenjte: mozaik 

Amoris laetitia dhe Shën Jozefi, gërshetim i veçantë

Në solemnitetin e Shën Jozefit, që sivjet kremtohet në një vit të veçantë, kushtuar Pajtorit të Kishës universale, nis Viti i Familjes Amoris laetitia, 5 vjet pas botimit të Nxitjes pas-sinodale. Dy ngjarje të rëndësishme, që ndërthuren me një vazhdimësi befasuese.

R. SH. - Vatikan

Shën Jozefi dhe familja. Lidhje dashurie, që të vjen menjëherë në mendje, sepse  dy fjalë, që shkojnë krah për krah. “Njeri i drejtë dhe e i urtë” - e quajti Papa Françesku në audiencën e së mërkurës; Atë i shumëdashur! Gjithnjë në hije, por gjithnjë përplot me guxim krijues - lexojmë në Patris Corde, Letra apostolike me të cilën Papa pati shpallur, më 8 dhjetorin e vitit 2020, Vitin e Shën Jozefit. Një vit, i cili i shtohet atij të Familjes, që nis sot, në solemnitetin e fatit të Marisë, pesë vjet pas botimit të Amoris laetitia.

Françesku - një tjetër shoqërim i rëndësishëm - e nënshkroi Nxitjen Apostolike pikërisht më 19 mars të vitit 2016, në kulmin e Jubileut të Mëshirës e nën mbrojtjen e Shën Jozefit. Në përfundim të Amoris laetitia gërshetohen një mori fijesh, që endin pëlhurën, ku shkëlqen me ngjyrat e ylberit, dashuria për Kishën e bijtë e saj.

Lutje, drejtuar Familjes Shenjte

“Jezus, Mari, Jozef: në ju kundrojmë shkëlqimin e dashurisë së vërtetë e ju, plot besim, jua besojmë vetveten!

O Familje Shenjte e Nazaretit, bëji edhe familjet tona vatra të bashkimit e çenakuj të lutjes, shkolla të vërteta të Ungjillit e Kisha të vogla shtëpiake!

Familje Shenjte e Nazaretit, ndihmona që në familjet tona të mos ketë kurrë dhunë, urrejtje, përçarje; që kushdo të jetë plagosur a shkandulluar, të ngushëllohet menjëherë e të shërohet.

Familje Shenjte e Nazaretit, ndihmona që të gjithë të bëhemi të vetëdijshëm për natyrën e shenjtë e të pacënueshme të familjes, për bukurinë e saj e vlerën e saj para syve të Zotit”.

Papa shpall Vitin e Familjes Amoris laetitia

E pikërisht në Festën e Familjes Shenjte, më 27 dhjetor 2020, Papa Françesku, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, shpalli  Vitin kushtuar Familjes Amoris laetitia. Filloi sot, më 19 mars 2021, pesë vjet pas botimit të Nxitjes apostolike, e përfundimi parashikohet më 26 qershor 2022, me rastin e  takimit X Botëror të Familjeve, në Romë. “Një vit reflektimi - shpjegoi Papa, duke dhënë lajmin për shpalljen e këtij viti -  e mundësie për t’u thelluar në studimin e Dokumentit”.

Nismat baritore, shpirtërore e kulturore të këtij viti do të koordinohen nga Dikasteri për Laikët, Familjen e Jetën që, në kanalin e internetit në pesë gjuhë www.amorislaetitia.va, vë në dispozicion materiale ndihmëse, duke dhënë edhe njoftime për takimet e thellimet lidhur me dokumentin papnor. E vetë Papa sqaron,    në tekstin n. 5, rëndësinë e Amoris laetitia:

“Nxitja fiton një kuptim të veçantë në rrethanat e këtij Viti Jubilar të Mëshirës. Në radhë të parë, sepse është propozim për familjet e krishtera, që i nxit t’i nderojnë dhuratat e martesës e të familjes e të kenë dashuri gjithnjë të fortë  e plot me vlera, si bujaria, angazhimi, besnikëria e durimi. Së dyti, sepse synon t’i inkurajojë të gjithë të jenë shenjë mëshire e afërsie atje, ku jeta familjare nuk realizohet përsosurisht ose nuk  ka paqe as gëzim”.

Familja e Nazaretit, yll polar

 Françesku shikon tek “ikona e Familjes së Nazaretit”, të përditshmen e saj plot me punë, por edhe me makthe, si ato të shkaktuara nga dhuna e Herodit. Makthe, që edhe sot e kësaj dite përsëriten mbi kurrizin e shumë refugjatëve. Por shikon, sidomos, edhe "besëlidhjen e dashurisë” që “ndriçon fillimin e i jep forcë vijimit të jetës së çdo familjeje, duke e bërë të aftë të përballojë vështirësitë e jetës e të historisë”. E në Amoris laetitia, Papa citon  fjalimin e Palit VI, mbajtur në Nazaret më 5 janar 1964:

“Këtu e kuptojmë mënyrën e të jetuarit në familje. Nazareti na kujton çka është familja, ç’është bashkimi i dashurisë, bukuria  e saj e thjeshtë, natyra e saj e shenjtë, e pa dhunueshme; na bën të shikojmë sa i ëmbël e i pazëvendësueshëm është edukimi në familje, që na mëson funksionin e saj në rendin shoqëror”.

Viti i Shën Jozefit

Është Jozefi, ai që kujdeset për këtë thesar, “si kryefamiljar”. Është Ai - shkruan Papa në Patris Corde -  që na mëson  se “ Të kesh besim në Zotin, do të thotë  të besosh se Ai mund të veprojë edhe përmes frikës sonë, brishtësisë sonë, ligështive tona”. “Është mrekulli e vërtetë mënyra sesi Zoti i shpëton Foshnjën dhe Nënën, duke ia besuar “guximit të tij krijues”. Kësaj figure shumë të dashur nga besimtarët, në 150-vjetorin e shpalljes Pajtor i Kishës katolike nga i Lumi Piu IX, me dekretin Quemadmodum Deus, Françesku vendosi t’ia kushtojë këtë Vit i cili, deri më 8 dhjetor 2021, është edhe i Ndjesëve të posaçme, që mund të fitohen me kushtet e zakonshme: rrëfim sakramentor, kungim eukaristik e lutje sipas ndjeteve të Papës.  

19 mars 2021, 11:52