Papa kujton 21 martirët e krishterë të Libisë: gjaku e guximi i njerëzve të shenjtë

Videomesazh i Papës me rastin e përkujtimit të martirizimit të 21 të krishterëve, 20 koptëve ortodoksë egjiptianë dhe një ganezi, vrarë nga terroristët e të ashtuquajturit Shtet Islamik. Videoja e masakrës dëshmon ngjarjen e gjashtë viteve më parë, më 15 shkurt 2015. Në përkujtimin, që mbahet në internet, marrin pjesë, ndër të tjerë, Patriarku kopto-ortodoks Tawadros dhe primati i Bashkimit Anglikan, kryeipeshkvi i Canterbury-t, Justin Welby

R. SH. - Vatikan

“Ditën e sotme e kam në zemër, ditën e atij shkurti të vitit 2015. Kam në zemër atë pagëzim gjaku, ata njëzet e një burra pagëzuar si të krishterë me ujë dhe me Shpirtin Shenjt e, atë ditë, pagëzuar edhe me gjak”. Me këto fjalë plot emocion fillon videomesazhi i Papës Françesku, në përkujtim të 21 martirëve të krishterë – 20 egjiptianë dhe një ganez, kopto-ortodoksë – që më 15 shkurt 2015 u masakruan në Libi nga terroristët e të ashtuquajturit Shtet Islamik.

Videoja e vrasjes së tyre të pamëshirshme u transmetua nga emitentet e gjithë botës e, edhe nga rrjetet shoqërore, duke shkaktuar një indinjatë të jashtëzakonshme kudo, si edhe ashpërsimin e luftës me Isisin. Sot, këta martirë të fesë, që nuk pranuan ta mohonin Krishtin, përkujtohen me një kremtim në internet, në pamundësi për t’u mbledhur, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ati i Shenjtë merr pjesë në të me një videomesazh, së bashku me Patriarkun kopto-ortodoks Tawadros dhe me primatin e Bashkimit Anglikan, kryeipeshkvin e Canterbury-t, Justin Welby.

Martirët janë shenjtorët tanë

 “Ata janë shenjtorët tanë, shenjtorët e gjithë të krishterëve, shenjtorët e të gjitha konfesioneve dhe traditave të krishtera – vëren Papa Françesku në videomesazh. - Janë ata që e ngjyen jetën me gjakun e Qengjit, janë ata… janë pjesë e popullit të Zotit, e popullit besnik të Hyjit”.

Është vetë Ati i Shenjtë, që tregon si ndodhi ngjarja e tmerrshme e 6 viteve më parë. “Shkuan të punojnë jashtë vendit për të mbështetur familjet e tyre: njerëz të zakonshëm, baballarë familjesh, burra me dëshirën për të pasur fëmijë; njerëz me dinjitetin e punëtorit, të cilët jo vetëm përpiqen të kenë bukë në shtëpi, por ta çojnë në shtëpi me punë dinjitoze. Këta njerëz dëshmuan për Jezu Krishtin. Të therur në fyt nga brutaliteti i Isisit, vdiqën duke thënë: “O Zot Jezus!”, duke rrëfyer emrin e Jezusit”.

Dëshmia për Krishtin e vëllezërve guximtarë

Kush nuk e kujton skenën tragjike në brigjet e Sirtes, në një plazh të shkretë, ku dukeshin vetëm 21 të gjunjëzuar, veshur me rroba portokalli, bashkë me torturuesit e tyre veshur me të zeza, pa e zbuluar fytyrën. “Njerëzit e kryqit” i quanin me përçmim terroristët islamikë, e ndër ta, edhe ganezi, i vetmi me ngjyrën e lëkurës të zeshkët, shok i punës, që nuk deshi të ndahej nga miqtë e vet, duke u thënë xhihadistëve se Zoti i atyre kopto-ortodoksëve ishte edhe i tij. “Plazhi – nënvizon Papa në videomesazh – u bekua me gjakun e tyre”. “Nga feja e tyre e thjeshtë, por koherente, ata morën dhuratën më të madhe që mund të marrë një i krishterë: dëshmuan Jezu Krishtin deri sa dhanë jetën”.

Falënderoj nënat, që u “mëkuan” fenë

“Falënderoj Zotin, Atin tonë, që na dha këta vëllezër guximtarë – vijon Papa Françesku. - Falënderoj Shpirtin Shenjt, që u dha atyre forcën dhe qëndresën për të dëshmuar Jezu Krishtin deri me gjak. Falënderoj ipeshkvijtë, meshtarët e Kishës motër kopte, që i rritën, i mësuan të kenë gjithnjë e më tepër fe. E falënderoj nënat e këtyre njerëzve, të këtyre njëzet e një burrave, që ua kanë ‘mëkuar’ fenë me qumështin e gjirit: janë nënat e popullit shenjt të Zotit, që e transmetojnë fenë ‘në dialekt’, një dialekt që shkon përtej gjuhëve, në dialektin e përkatësisë”.

Së fundi, Papa Françesku nënvizon bashkimin e tij me personalitetet e pranishme, por sidomos me popullin e Zotit, që vijon të dëshmojë se “Jezu Krishti është Zot”. E Ati i Shenjtë falënderon 21 martirët e 2015-ës për dëshminë e tyre: “Të lutemi së bashku, sot, në përkujtimin e këtyre 21 martirëve koptë: që ata të ndërmjetësojnë për ne para Atit Qiellor. Amen”.

15 shkurt 2021, 18:34