Jeruzalemi Jeruzalemi

Papa, Komisarëve të Tokës Shenjte: të jeni farë vëllazërimi

Papa Françesku i shkruan Rojtarit të Tokës Shenjte, atë Francesco Patton, duke falënderuar për punën e bërë nga rregulltarët, që punojnë në mbështetje të Kishës në vendet ku jetoi Krishti. Ata kremtojnë 600-vjetorin e themelimit

R.SH. - Vatikan

Gjashtë shekuj pas themellimit, misioni i Komisarëve të Tokës Shenjte “është gjithnjë aktual: të mbështesë, të promovojë, të përforcojë misionin e Rojtarisë së Tokës Shenjte, duke krijuar një rrjet marrëdhëniesh kishtare, shpirtërore dhe bamirëse që e kanë qendrën në tokën ku jetoi Jezu Krishti”. Këto janë fjalët, që Papa Françesku ua drejton rregulltarëve françeskanë, të impenjuar në mbështetjen e misionit në Tokën Shenjte. Më 14 shkurt, ata kremtojnë 600-vjetorin e tyre. “E përkrah dhe e bekoj këtë shërbim të çmuar e uroj që të jetë gjithnjë e më shumë farë vëllazërimi”, thuhet në letrën e shkurtër të Papës për Rojtarin e Tokës Shenjte, atë Francesco Patton.

Mirënjohja e françeskanëve për Papën

         “Edhe sot shërbimi i Komisarëve të Tokës Shenjte është i çmuar për ne dhe i pazëvendësueshëm”, shkruan atë Patton në një letër me të cilën i shpreh Papës mirënjohjen e të gjithë fretërve të Rojtarisë e, në veçanti të Komisarëve. Themeluar me bulën e Papës Martini V, “His quae pro ecclesiasticarum”, të 14 shkurtit 1421, përgjegjësia e tyre ishte të siguronin ndihmë ekonomike për Tokën Shenjte. Për këtë lindi figura e prokurorit, dhe më vonë ajo e komisarit. Fillimisht ishin laikët, që merreshin me këtë punë e, më vonë, vetë fretërit françeskanë. Qëllimi i tyre është “ta bëjnë të njohur Tokën Shenjte dhe realitetin e saj, Rojtarinë dhe fushat e saj të shërbimit”, të inkurajojnë, të organizojnë dhe të shoqërojnë grupet e shtegtarëve që vizitojnë Vendet e Shenjta, “të promovojnë 'Colletta pro Terra Sancta' vjetore dhe forma të tjera të mbështetjes ekonomike”, “të promovojnë thirrjet në shërbim të Tokës Shenjte”. Aktualisht, janë 67 Komisariate aktive, të cilat, më 15 shkurt, në orën 6.30, në Varrin e Shenjtë në Jeruzalem, do të kremtojnë Eukaristinë për të falëndruar të gjithë dashamirët e Tokës Shenjtë e për t’u lutur për ta.

12 shkurt 2021, 17:15