Papa: heshtja e pandemisë t’i hapë udhën një kënge të re vëllazërimi

Muzika si gjuhë, që mund të mbështesë vëllazërimin universal: ky ëshë thelbi i videomesazhit të Papës Françesku, me rastin e Konferencës së katërt Ndërkombëtare për Muzikën, organizuar nga Këshilli Papnor për Kulturën, me temë “Kisha dhe muzika: tekste e kontekste”. Mbahet online, sot dhe nesër

R.SH. - Vatikan

Heshtja e krizës, që po përjeton bota e prekur nga virusi, mund të jetë hapësirë ​​bosh, ose hapësirë ku dëgjohet. Papa Françesku vë ballë për ballë këto dy realitete, duke reflektuar për forcën e muzikës e të këngës, që mund të evokojnë Fjalën e Zotit dhe të ndihmojnë për ta përhapur kudo frymën e vëllazërimit.

Ati i Shenjtë Bergoglio i shpreh mendimet e tij për këto çështje në videomesazhin, që u dërgoi sot pjesëmarrësve në Konferencën dy-ditore ndërkombëtare për Muzikën, organizuar nga Këshilli Papnor për Kulturën, në bashkëpunim me Institutin Papnor të Muzikës Kishtare dhe me Institutin Liturgjik të Universitetit të Shën Anselmit. Videomesazhi u transmetua në hapjen e punimeve të këtij edicioni të katërt, me temë “Kisha dhe muzika: tekste e kontekste”, që mbahet në internet. Papa shpreson që debatet e sotme dhe të nesërme t’i pasurojnë bashkësitë kishtare dhe ata, që punojnë në fushën e muzikës, tepër e rëndësishme për liturgjinë dhe ungjillëzimin.

Trashëgimia muzikore e Kishës

 Papa përmend kërkesën e Isaisë profet për ta lëvduar Zotin me një këngë të re (42,10) dhe kujton se “Bibla është frymëzim për shprehje të panumërta muzikore, ndër të cilat, edhe faqe themelore për historinë e muzikës”, në të gjitha kontinentet e në të gjitha kohrat.

“Shumë bashkësi kishtare, në dhjetëvjeçarët e fundit, ditën t’i interpretojnë këto tekste, si duke ndjekur forma të reja muzikore, ashtu edhe duke përmirësuar trashëgiminë e lashtë. Trashëgimia muzikore e Kishës, në fakt, është shumë e larmishme dhe mund të përdoret, përveçse në liturgji, edhe në koncert, në shkollë ose në katekezë, madje, edhe në teatër”.

Muzikantët në vështirësi, për shkak të pandemisë

Papa përfiton nga rasti për të shprehur solidaritetin me të gjithë ata, që nuk mund të japin shfaqje, pasi masat kundër koronavirusit nuk lejojnë koncerte e i kanë mbyllur teatrot e sallat kudo.

“Mendimi im shkon tek të gjithë ata, që janë dëmtuar: tek muzikantët, jeta dhe profesioni i të cilëve është tronditur thellësisht nga kërkesat e distancimit; tek ata, që kanë humbur punën dhe kontaktet e tyre shoqërore; tek ata, që u është dashur të përballen, në kontekste të vështira, me kohët e nevojshme për formim, edukim e jetë në bashkësi”.

Duke lëvduar përpjekjet e atyre, që kanë vijuar të krijojnë muzikë e t’ua ofrojnë atë njerëzve me mënyra të reja, Papa nënvizon se “shumë tekste e kompozime, përmes forcës së muzikës, e stimulojnë ndërgjegjen personale të secilit dhe krijojnë vëllazërim universal”. Ati i Shenjtë vë në dukje shpresën që muzika të kthehet shpejt në skenë, duke cituar fjalët e shkrimtarit të madh Migel Servantes, i cili në “Don Kishotin” e tij, nënvizon se “aty ku ka muzikë, nuk mund të ketë asgjë të keqe”.

Sfida e përbashkët është dëgjimi reciprok

 E më pas, Papa Françesku flet për vlerën e heshtjes, të pauzës, elemente të njohura për muzikantin e mirë, i cili, duke alternuar tingullin dhe pauzën, bën të mundur dëgjimin. Kjo është “përmasë themelore në çdo dialog”, u thotë Ati i Shenjtë muzikantëve.

“Të dashur muzikantë, sfida e përbashkët është dëgjimi i njëri-tjetrit. Në liturgji, ftohemi të dëgjojmë Fjalën e Zotit. Fjala është ‘teksti’ ynë, teksti kryesor; bashkësia, ‘konteksti’ ynë. Fjala është burim kuptimi, ajo e shndrit dhe e drejton udhën e bashkësisë”.

Muzika, në shërbim të ungjillëzimit

 Papa vë në dukje kontributin e muzikës për kumtimin e mesazhit të historisë e të shëlbimit të Zotit për të gjithë popujt:

“Edhe muzika mund t’i ndihmojë tekstet biblike të ‘flasin’ për kontekstet e reja e të ndryshme kulturore, që Fjala e Hyjit të arrijë më frytshëm në mendje e në zemra”.

Duke pasur parasysh përmasën e inkulturimit në popuj të ndryshëm, Ati i Shenjtë kërkon t’i kushtohet vëmendje edhe mënyrës, që kanë sidomos popujt indigjenë, për ta shprehur muzikën përmes lëvizjeve të trupit, përmes valleve. Ky kujdes ndihmon ungjillëzimin.

Heshtja, që përgatit për një këngë të re

Papa Françesku e përfundon videomesazhin me pyetje, që kanë të bëjnë me pandeminë:

“Heshtja në të cilën jetojmë është bosh apo po dëgjojmë? A është bosh apo i kemi ngrehur veshët për të dëgjuar? A do të lejojmë, më vonë, daljen e një kënge të re? Teksti dhe konteksti, tashmë të pranishëm në një formë të re, të na nxisin ta rinisim udhëtimin tonë të përbashkët, sepse ‘bashkimi i zemrave bëhet më i thellë nga bashkimi i zërave’ (Musicam sacram, 5). Zërat, instrumentet muzikore dhe kompozimet vazhdojnë të shprehin, në kontekstin aktual, harmoninë e zërit të Zotit, që çon drejt ‘simfonisë’, domethënë drejt vëllazërimit universal”.

Programi i konferencës “Kisha dhe muzika: tekste e kontekste”

Punimet e konferencës “Kisha dhe muzika: tekste e kontekste” u hapën nga kardinali Gianfranco Ravasi, kryetar i Këshillit Papnor për Kulturën, i cili reflektoi mbi temën: “Pjesa e prapme e sixhades: teksti dhe përkthimi”. Marrin pjesë në kuvendin dyditor, organistë të shquar, filozofë, muzikologë, këngëtarë, kompozitorë dhe instrumentistë nga e gjithë bota, anëtarë të universiteteve e institucione kishtare, por edhe profesionistë nga bota laike. Përfundimi i është besuar filozofes amerikane Martha Nussbaum, e cila do të flasë mbi muzikën dhe shoqërimin e saj me anë të trupit.

04 shkurt 2021, 12:00