Papa gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë nga Pallati Apostolik Papa gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë nga Pallati Apostolik 

Papa, Chatholic News Service: shërbejni së vërtetës me përvujtëri e respekt

Në një epokë dizinformimi e manipulimi të lajmeve, Papa e inkurajon agjencinë e shtypit katolik të Konferencës ipeshkvnore amerikane, të vijojë promovimin e dialogut e të komunikimit të ndershëm, për t’u prirë posaçërisht të rinjve

R. SH. - Vatikan

Agjencia e shtypit amerikan Catholic News Service, organ i Konferencës  ipeshkvnore  të SHBA-ve, mbush 100 vjet jete. Histori e gjatë,  gjithnjë në shërbim të së vërtetës, në bashkim me ipeshkvin e Romës, siç nënvizoi Papa në përshëndetjen dorëzuar delegacionit të gazetarëve, të pranishëm  sot paradite në Vatikan. Atyre Papa u foli për një shërbim gazetaresk, që synon t’u prijë, posaçërisht breznive të reja, për ta dalluar të mirën nga e keqja e për të punuar për mbrojtjen e vlerave si drejtësia, harmonia e respektimi i krijimit. Kështu e inkurajoi Ati i Shenjtë Agjencinë, krijuar në vitin 1920 si  National Catholic Welfare Council Press Department e, më pas, me synimin për një informacion global.

 Gjatë këtyre njëqind vjetëve, Catholic News Service i dha një kontribut me vlera të mëdha botës së gjuhës angleze, duke e informuar për jetën e Kishës, me synimin e kumtimit të Ungjillit e të dëshmimit të dashurisë së Zotit, të dëftuar në Jezu Krishtin.

Në shërbim të së vërtetës, treguar me drejtësi e besnikëri

Historia, e kaluara e tani, e sotmja e agjencisë, nuk është pa vështirësi, Prandaj Papa rikujtoi një fragment nga Mesazhi për Ditën e sivjetme  botërore të Komunikimit, duke e lidhur me moton e zgjedhur nga  Catholic News Servic:

“Në një epokë kur lajmet mund të manipulohen lehtësisht, në të cilën vijon të përhapet dizinformimi, ju përpiquni ta bëni të njohur të vërtetën në një mënyrë që, sipas fjalëve të motos suaj, të jetë “e drejtë, besnike dhe e mirinformuar”.

Promovoni dialogun e ndihmoni për ta dalluar të mirën nga e keqja

Më pas, inkurajimi i Papës për të vijuar angazhimin e deritanishëm në shërbim të së vërtetës, që t’i formojë sidomos breznitë e reja:

“Ju falënderoj për punën tuaj e ju inkurajoj të vijoni ta promovoni dialogun dhe komunikimin e ndershëm ndërmjet njerëzve dhe bashkësive. Kemi nevojë për mediat, që mund t’i ndihmojnë personat, posaçërisht të rinjtë, për ta dalluar të mirën nga e keqja, për të fituar pjekurinë e gjykimeve të shëndosha, të bazuara mbi paraqitjen e qartë e të paanshme të fakteve, për të njohur rëndësinë e punës në shërbim të drejtësisë, harmonisë shoqërore e respektit për shtëpinë tonë  të përbashkët.

Uroj që fryma e bashkimit me Ipeshkvin e Romës, shenjë e përhershme dalluese e  Catholic News Servic, të vijojë t’i prijë angazhimit tuaj për t’i shërbyer me përvujtëri e përgjegjësi së vërtetës. Ju siguroj ju e kolegët tuaj, për lutjen time. E ju lutem që edhe ju ta thoni një uratë për mua. Faleminderit!”.

01 shkurt 2021, 14:52