Luis Marin e Nathalie Becquart Luis Marin e Nathalie Becquart 

Motra Becquart dhe atë Marín de San Martín, nënsekretarë të Sinodit të Ipeshkvijve

Papa Françesku emëroi një rregulltar agostinian dhe një rregulltare saveriane në Sinodin e Ipeshkvijve: për herë të parë një grua emërohet nënsekretare e organizmit.

R. SH. - Vatikan

Dy nënsekretarët e rinj të Sinodit të Ipeshkvijve, emëruar sot nga Papa Françesku, janë Atë Luis Marín de San Martín, deri tani Asistent i Përgjithshëm i Urdhërit të Shën Agostinit, lartuar njëkohësisht në Selinë titullare të Sulianës, dhe motra Nathalie Becquart Xavière, ish Drejtoreshë e Shërbimit Kombëtar për Ungjillëzimin e të rinjve dhe për thirrjet pranë Konferencës së Ipeshkvijve të Francës.

Motra Nathalie Becquart lindi në vitin 1969 në Fontinbleau të Francës. U diplomua në École des hautes études commerciales de Paris (HEC Paris), studioi filozofi e teologji pranë Qendrës Sèvres-Facultés jésuites de Paris (EHESS) në të njëjtin qytet, duke u specializuar në Ekleziologji, për të vijuar kërkimet mbi sinodalitetin në Boston College School of Theology and Ministry(SHBA). Në gusht 1995 hyri në Institutin La Xavière, Missionnaires du Christ Jésus. Më 2005 bëri kushtet e përjetshme.

Kreu  detyra të ndryshme në fushën e Marketing-ut e në formimin e të rinjve, si drejtoreshë shpirtërore kombëtare e programit të skautizmit  për të rinjtë e zonave të varfra urbane e, nga viti 2012 deri më 2018, ishte drejtoreshë e Shërbimit Kombëtar për Ungjillëzimin e të Rinjve dhe për Thirrjet (SNEJV) pranë Konferencës Ipeshkvnore Franceze.

Aktive që në vitin 2016 në përgattijen e Sinodit për të rinjtë në Vatikan, si Koordinatore e përgjithshme e para-sinodit, e më pas si dëgjuese. Në maj 2019 Papa Françesku e emëroi Këshilltare e Sekretarisë së përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve.

Imzot Luis Marín de San Martín, O.S.A., lindi më 21 gusht 1961, në Madrid të Spanjës. Bëri kushtet e përkohshme në Urdhërin e Shën Agostinit më 5 shtator 1982, ndërsa ato të përjetshme, më 1 nëntor 1985. U shugurua meshtar më 4 qershor 1988. Mori titullin doktor në teologji pranë Universidad Pontificia Comillas të Madridit. Kreu disa detyra: Formues pranë Seminarit Mayor Tagaste, Los Negrales (1996-1999), Këshilltar Provincial (1999-2002), Epror i Manastirit Santa María de La Vid (2002-2008); Profesor i Teologjisë në Qendrat Agostiniane të Los Negrales,  San Lorenzo de El Escorial e Valladolid. Nga viti 2004 është pedagog pranë Facultad de Teología del Norte de España, në Burgos. Është Arkivist i Përgjithshëm i Urdhërit, Asistent i Përgjithshëm i Agostinianëve dhe President i Institutum Spiritualitatis Augustinianae.

06 shkurt 2021, 14:36