Dhuroja bukën e përditshme atij, që nuk e ka! Dhuroja bukën e përditshme atij, që nuk e ka! 

Papa: varfëria është e papranueshme, bota duhet të jetë më vëllazërore

Mesazhi i Françeskut u drejtohet anëtarëve të shoqatave belge “Entraude et Fraternité” dhe “Action Vivre ensemble”, të cilat përkatësisht luftojnë prej 50 vjetësh kundër varfërisë si në Jug të botës, ashtu edhe në Belgjikë, sfidë e rënduar më keqas nga pandemia aktuale.

R. SH. - Vatikan

“Kemi të gjithë të njëjtin objektiv; të ndërtojmë një botë më të drejtë e më vëllazërore”. E kujton Papa në mesazhin drejtuar dy shoqatave belge, duke u shprehur mirënjohjen nga thellësia e zemrës, të gjithë atyre, që angazhohen si vullnetarë, profesionistë a bamirës. Sot, më shumë se kurrë duhet vijuar aksioni i nisur në rrugën e miqësisë shoqërore e të vëllazërimi, me hirin e Krishtit, “Samaritanit të mirë”. Duhet edhe  të zhvillohet, sepse sfida po rëndohet nga kriza e Covid-19, që përfshiu mbarë botën, e në mënyrë më tmerruese, më të varfërit e më të shtypurit”.

Dy shoqëritë angazhohen në fushën shoqërore

Në mesazh, Papa ndalohet edhe tek historia e dy shoqatave. “Në vitin 1961 ipeshkvijtë e Belgjikës merrnin nisma për fillimin e fushatës së “Kreshmëve të ndarjes së përbashkët” dhe i ftonin katolikët ta ndihmonin popullatën e Kongos, që sapo kishte fituar pavarësinë - kujtoi Papa.  Për këtë qëllim u formua shoqata “Entraide et Fraternité” e cila, prej 60 vjetësh vijon të organizojë në Belgjikë “Kreshmët e ndarjes së përbashkët”, duke e shtrirë veprimtarinë e saj bamirëse edhe në vendet e tjera të botës. Për t’i ndihmuar shoqatat, që luftojnë kundër varfërisë  brenda vetë Belgjikës, ipeshkvijtë oganizuan fushatën “l’Action Vivre ensemble”. Papa i inkurajoi të dyja, ashtu si edhe  vullnetarët e panumërt, që e mbështesin veprimtarinë e tyre në famullitë e në shoqërinë  civile, “të gjithë ata, që punojnë ditë për ditë kundër varfërisë së papranueshme si dhe donatorët, që ofruan ndihmën e tyre përmes pjesëmarrjes financiare”.

29 janar 2021, 15:31