Papa për Vitin Shenjt kompostelian: traditat janë këngë lavdi

U hap dje Viti Kompostelian, një jubile që përkujton shën Jakun martir, pajtor i Spanjës. Gjatë 2021-shit, festa liturgjike e këtij shenjti, më 25 korrik, bie ditën e diel e gjithnjë, kur ndodh kjo, ai vit shpallet jubile. Tema: “Dil nga toka jote! Apostulli të pret!”

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku përshëndet me një mesazh Kishën spanjolle dhe të gjithë Evropën për fillimin e Vitit Jubilar të Shën Jakut të Kompostelës. Nga Vatikani, Ati i Shenjtë kujton se “kur nisemi në gjurmët e apostullit, dalim nga vetvetja, nga siguritë pas të cilave kapemi, duke e pasur të qartë synimin se nuk po endemi më kot, duke u rrotulluar gjithnjë rreth vetes, pa mbërritur askund ”.

Në tri gjeste, arsyet e shtegtimit

Ipeshkvi i Romës përmend tri gjeste, që u kujtojnë shtegtarëve arsyet e udhëtimit, sapo mbërrijnë në Portën Shenjte të katedrales së Santiagos së Kompostelës: kundrimi i Portikut të Lavdit nga ku na vështron Jezu Krishti, përqafimi i apostullit dhe pjesëmarrja në Eukaristi.

Në letrën e tij, datuar 17 dhjetor, Ati i Shenjtë vëren se shtegtimi është kthimi në fenë e sinqertë, pa receta të përcaktuara që më parë, por duke e mbajtur zemrën hapur për Krishtin, që është Rruga, e Vërteta dhe Jeta. Ecja bashkë me të tjerët, karakteristikë e shtegtimit të Santiagos – emër, që do të thotë pikërisht, Shën Jaku – “na ndihmon ta shohim bashkëudhëtarin si dhuratë, që na jep Zoti, për të na shoqëruar në këtë udhëtim” e për të na mësuar të mbështesim e të ndihmojmë njëri-tjetrin.

Më pas, Papa Françesku nënvizon se shtegtimi ka një përmasë, që i bën njerëzit dishepuj misionarë. “Shtegtimi në varrin e Apostullit”, shkruan Ati i Shenjtë “bëhet thirrje për mision, për t’i bashkuar të gjithë në atë atdhe drejt të cilit po shkojmë”. Ky atdhe, është Mbretëria e Zotit, jo ndonjë utopi, por një shtëpi e ngrohtë, ku gjejmë bukën e përditshme shpirtërore, duke e lëshuar veten në duart e Hyjit.  

Pak histori

Viti 1122 është zanafilla e jubileut, i cili kremtohet, që nga ajo kohë, sa herë që 25 korriku, festa liturgjike e shën Jakut, bie ditën e diel. Hapja e portës të katedrales së Santiagos, ku ruhen reliket e shën Jakut apostull, protagonist i ungjillizimit e pajtor i Spanjës, po pritet me padurim në qytetin galician të Santiagos së Kompostelës. Nga kjo tokë e ka origjinën guacka e njohur e shtegtarit, që figuron edhe në logon e jubileut, si simbol universal i shtegtimit në Kompostelë. Spikat edhe kryqi emblematik i Santiagos dhe dhe erashka me rreze, që përfaqëson vëllazërimin ndërmjet popujve të të gjitha racave dhe kulturave. Miliona njerëz, çdo vit, marrin rrugën në këmbë e me mjete të tjera, drejt Santiagos së Kompostelës, një nga shtegtimet më të lashta e më të rëndësishme të krishterimit.

 Në vitin 2020, shtegtimet u pezulluan për shkak të pandemisë, por periudha e mbylljes në shtëpi u shfrytëzua për restaurime. Tani, katedralja shkëlqen me një ndriçim më të përshtatshëm dhe me një bukuri të re. Zyrtarisht, shtegtimet kanë rifilluar, por emergjenca shëndetësore i pengon këmbësorët të lëvizin. Gjithsesi, Jubileu Kompostelian dëshiron t’i hapë dyert për t’u dhënë të gjithëve mundësinë të kundrojnë bukurinë e të rizgjojnë shpresën.

01 janar 2021, 12:46