Kardinali Eusébio Oscar Scheid, Brazil Kardinali Eusébio Oscar Scheid, Brazil

Ngushëllimet e Atit të Shenjtë për vdekjen e kardinalit Scheid

Sapo mori vesh lajmin e vdekjes së kardinalit brazilian Scheid, Papa i dërgoi pasardhësit të tij në kryedioqezën e Rio de Zhanejros, kardinalit çisterçens Orani João Tempesta, një telegram ngushëllimi, me të cilin shpreh afërsinë e tij

R.SH. - Vatikan

“Mësova me trishtim të thellë lajmin për vdekjen e kardinalit Eusébio Oscar Scheid dhe, në këtë çast zie, dëshiroj t’ju siguroj solidaritetin tim, në lutje me gjithë besimtarët, për të cilët ai ka qenë bari i zellshëm”. Kështu shkruan Papa Françesku në telegramin e ngushëllimit për prelatin 89-vjeçar, që ndërroi jetë më 13 janar, për shkak të koronavirusit. Ati i Shenjtë ia dërgon mesazhin pasardhësit të tij në kryedioqezën e Rio de Zhanejros, kardinalit çisterçens Orani João Tempesta. Motoja ipeshkvnore e kardinalit Scheid, “Zoti është i mirë”, shkruhet më tej në telegram, “na kujton mirësinë e Zotit për Kishën e tij”.

Don Eusebio, kujton Papa, i shërbeu me guxim popullit të Zotit, ishte ipeshkvi i parë i São José dos Campos dhe udhëhoqi me largpamësi kryeipeshkvinë e Florianopolis dhe selinë metropolitane të São Sebastião do Rio de Janeiro. “Ndërsa falënderoj të Tejetlartin, që i dha Kishës në Brazil një bari kaq bujar, - nënvizon Ati i Shenjtë – lutem me gjithë shpirt që Ai i Lumi ta pranojë në lumturinë e amshuar dhe t’i ngushëllojë me shpresën e ringjalljes të gjithë ata, që vajtojnë për humbjen e bariut të tyre të dashur”. Së fundi, Papa u jep të gjithëve Bekimin e tij Apostolik.

15 janar 2021, 12:20