Papa: lutjet dhe pendesa janë lulet, që i pëlqejnë më shumë Marisë
R. SH. - Vatikan
Papa Françesku u duk në dritaren e Pallatit Apostolik mbi Sheshin e Shën Pjetrit të lagur nga shiu e, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, kujtoi përsëri se sot nuk do të shkojë në Sheshin e Spanjës, për të nderuar të Papërlyerën në festën e saj. Shpjegoi edhe arsyet:
“Për të shmangur rrezikun e grumbullimit të njerëzve, sipas vendimit të marrë nga autoritetet civile, të cilave duhet t’u bindemi. Po kjo nuk na pengon t’i ofrojmë Nënës sonë lulet që Asaj i pëlqejnë aq shumë: lutjet e pendesën e zemrave të hapura për hirin”.
Papa kujtoi edhe vizitën e tij sot, në agim:
“Sot në mëngjes heret, nuk mund të rrija pa shkuar, në formë private, në Sheshin e Spanjës e, më pas, në Shën Marinë e Madhe, ku kremtova edhe Meshën”.
Përshëndeti edhe të pranishmit në Sheshin e Shën Pjetrit, romakë e shtegtarë nga vende të ndryshme e, posaçërisht, grupet e Zojës së Papërlyer, sot në festë. Më pas kujtoi edhe anëtarët e Veprimit Katolik Italian, që në ditën e kësaj feste përsërisin kushtet e bashkimit me shoqatën:
“Lutem - u tha Papa - që të jetë formuar Krishti në ju, siç shkruan Shën Pali, e që të jeni artizanë të vëllazërisë”.
Françesku përshëndeti edhe përfaqësuesit e komunes Rocca di Papa:
“Sot, sipas traditës, do të ndezni Yllin e Krishtlindjes mbi fotesën e qytetit. Drita e Krishtit e ndriçoftë gjithnjë bashkësinë tuaj”.