Papa: drejtësia shoqërore është kujdes për të varfërit, prona private s'është e paprekshme

Papa Françesku dërgon dy video, një përshëndetje dhe një fjalim, në takimin e parë virtual të gjyqtarëve, anëtarë të Komiteteve për të Drejtat Shoqërore në Afrikë e në Amerikë, i cili u hap mbrëmë me temën “Arritja e drejtësisë shoqërore. Drejt zbatimit të plotë të të drejtave themelore të njerëzve nevojtarë”. Magjistratëve u kujton: me vendimet tuaja “mund të bëni poezi” për të shëruar plagët e të varfërve, për të integruar planetin, për të mbrojtur tokën

R.SH. - Vatikan

Për të punuar në favor të një “drejtësie të re shoqërore” duhet të pranojmë “se tradita e krishterë nuk e ka njohur kurrë si absolute dhe të paprekshme të drejtën e pronës private” dhe gjithmonë ka theksuar funksionin e saj shoqëror. Kur, me përdorimin e ligjit, “u japim të varfërve gjërat e domosdoshme, nuk u japim gjërat tona, as ato të të tjerëve, por u kthejmë ç’është e tyrja”. Ky është thelbi i videomesazhit, që i dërgon Papa Françesku takimit të parë virtual të gjyqtarëve-anëtarë të Komiteteve për të Drejtat Shoqërore në Afrikë e në Amerikë, i cili u hap mbrëmë me temën “Arritja e drejtësisë shoqërore. Drejt zbatimit të plotë të të drejtave themelore të njerëzve nevojtarë”. Takimi përfundon sot, 1 dhjetor, në Peru.

Pronësia është “e drejtë natyrore dytësore”

         Gjyqtarëve, prokurorëve, këshilltarëve, avokatëve nga Argjentina dhe Brazili, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara, Kuba dhe Guatemala, por edhe nga Maroku, si edhe anëtarëve të Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore, Papa u kujton se, për doktrinën shoqërore të Kishës, “e drejta e pronësisë është e drejtë natyrore dytësore që rrjedh nga e drejta e të gjithëve, lindur nga destinacioni universal i të mirave të krijuara. Nuk ka drejtësi shoqërore, që mund të themelohet mbi pabarazinë, e cila presupozon përqendrimin e pasurisë”.

Gjykatësit kanë mision dhe përgjegjësi shoqërore

         Videomesazhi i parë është përshëndetje e Papës Françesku për takimin, që ndjek atë të një viti më parë, në qershor 2019, në Vatikan, ku gjykatësit panamerikanë folën për të drejtat shoqërore dhe doktrinën françeskane. Ati i Shenjtë u thekson se me misionin e përgjegjësinë e tyre shoqërore, me vendimet që marrin, mund të shkruajnë poezi:

         “Ju, në çdo vendim, në çdo gjykim, jeni para mundësisë së mrekullueshme pë të shkruar poezi: një poezi që t’i mjekojë plagët e të varfërve, që ta integrojë planetin, që ta mbrojë tokën mëmë e gjithë trashëgiminë e saj. Një poezi, që të ndreqë, të emancipojë e të ushqejë”.

Drejtësi, që i bën të lumtura vendet

         Ati i Shenjtë u kërkon gjykatësve të mos heqin dorë nga kjo mundësi. “Të jeni të vetëdijshëm – pohon Papa - se çdo kontribut, që mund të jepni me drejtësinë dhe impenjimin tuaj është shumë i rëndësishëm. Ju lutem, kujtohuni gjithmonë se kur drejtësia është vërtet ashtu si duhet, ajo i bën të lumtura vendet e të denjë banorët e tyre. Asnjë vendim s’mund të jetë i drejtë, asnjë ligj i ligjshëm, nëse shkakton më shumë pabarazi, nëse shkakton humbjen e të drejtave”.

Papa në videomesazh: mbroni nevojtarët

Pesë bazat për një drejtësi të re shoqërore

         Më pas, në videomesazhin e dytë, që përmban fjalimin e tij në takim, Papa Françesku rreshton pesë bazat për një drejtësi të re shoqërore. Së pari, nuk duhet humbur nga sytë realiteti:

         “…kuadri shqetësues, në të cilin një pjesë e vogël e njerëzimit jeton në bollëk të tepruar, ndërsa një numër gjithnjë më i madh njerëzish janë pa dinjitet e të drejtat e tyre njerëzore injorohen, ose dhunohen”.

         Së dyti, puna për një drejtësi të re shoqërore është kolektive, prandaj – e kjo është baza e tretë – është i nevojshëm një impenjim i përbashkët, sipas stilit të Samaritanit të Mirë, pa kaluar anash problemeve dhe nevojtarëve. Pastaj, drejtësia shoqërore ka nevojë për historinë, nga luftërat, triumfet dhe humbjet e së cilës duhet të nxjerrë mësime. Prej saj rrjedh edhe baza e pestë, që është populli, i cili ka përvojën e historisë, ka derdhur gjak për arritjen e të drejtave e të lirive. Edhe Kisha, ngre zërin Papa, nuk është “elita e Zotit”, që punon për popullin, por është pjesë e tij, ndihet popull i Hyjit.  

Të jemi solidarë

         Në përfundim, Ati i Shenjtë u kërkon gjykatësve të jenë solidarë e të drejtë, duke dhënë kontributin e tyre në luftën “kundër kauzave strukturore të varfërisë, pabarazisë, mungesës së punës, së tokës e të strehës” – tre T-të (techo, tierra y trabajo), që Papa i përmend shpesh:

         “Luftoni kundër atyre, që i mohojnë të drejtat shoqërore dhe ato të punës. Luftoni kundër asaj kulture, që çon në përdorimin e të tjerëve, në skllavërimin e tyre dhe u mohon dinjitetin”.

         Drejtësia e re shoqërore, përfundon Papa Françesku, “të mos jetë më thjesht teori, por një praktikë e re dhe urgjente gjyqësore, e cila kontribuon që njerëzimi të integrohet plotësisht e të jetojë në paqe, në një të ardhme shumë të afërt”.

01 dhjetor 2020, 08:29