Papa Françesku, kalendari i kremtimeve festive

Salla e Shtypit e Vatikanit bën të ditur impenjimet e Papës për Krishtlindjen dhe fillimin e vitit 2021. Mesha e natës së 24 dhjetorit do të kremtohet në orën 19.30. Pjesëmarrja do të jetë e kufizuar, për shkak të situatës shëndetësore

R.SH. - Vatikan

Në këtë periudhë, pandemia përcakton kohët e veprimtaritë e gjithë botës e Papa Françesku nuk bën përjashtim. Prandaj, mesha e natës së Lindjes së Krishtit do të kremtohet në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, në orën 19.30. Ky orar njoftohet nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, e cila bëri të ditur kalendarin e kremtimeve të Atit të Shenjtë nga vigjilja e Krishtlindjes deri më 6 janar.

          Natyrisht, ora e meshës së natës së Krishtlindjes diktohet nga fakti se në Itali, brenda orës 22, të gjithë duhet të jenë në shtëpi. Ndërsa, kremtimet e ditëve të tjera bëhen në orare më të zakonshme. Në ditën e Krishtlindjes, Bekimi i Urbi dhe Orbi, si zakonisht, në mesditë; të enjten, më 31 dhjetor, Papa Françesku do të kremtojë Mbrëmësoren dhe Te Deumin e falënderimit për vitin që kaloi, në orën 17.00, në Bazilikën e Vatikanit. Të premten, 1 janar, solemniteti i shën Marisë Nëna e Zotit dhe Dita e 54-t Botërore e Paqes, Papa do të kryesojë meshën në Shën Pjetër, në orën 10.

          Njoftimi për shtyp saktëson se pjesëmarrja në kremtime do të jetë shumë e kufizuar, me besimtarë të caktuar sipas mënyrës së përdorur muajt e fundit, në përputhje me masat e mbrojtjes kundër koronavirusit, që mund të ndryshojnë në varësi nga situata shëndetësore.

          Para festave të fundvitit, Papa do të kremtojë të shtunën, 12 dhjetor, në Shën Pjetër, meshën për 125-vjetorin e Kurorëzimit të Zojës së Guadalupes. Siç dihet, Pendestaria Apostolike, me mandat të Atit të Shenjtë, e ka shtrirë Ndjesën e Plotë për besimtarët e gjithë botës, që do të festojnë këtë përvjetor nga shtëpia, pasi Bazilika meksikane mbyllet nga data 10 deri më 13 dhjetor, për shkak të kufizimeve, që imponon Covid-19.

10 dhjetor 2020, 15:21