Santa Messa con consegna della Croce della Giornata Mondiale della Gioventu', 2020.11.22 Santa Messa con consegna della Croce della Giornata Mondiale della Gioventu', 2020.11.22 

Papa: t’i përmbushim ëndrrat e Zotit, ta përqafojmë bukurinë e jetёs

Papa: “Ne nuk jemi bërë të ëndërrojmë pushimet ose fundjavat, por për t’i përmbushur ëndrrat e Zotit në këtë botë. Ai na mundësoi të ëndërrojmë në mënyrë që të përqafojmë bukurinë e jetës. E veprat e mëshirshme janë veprat më të bukura të jetës”.

R.SH. - Vatikan

Ne nuk jemi bërë të ëndërrojmë pushimet ose fundjavat, por për t’i përmbushur ëndrrat e Zotit në këtë botë. Ai na mundësoi të ëndërrojmë në mënyrë që të përqafojmë bukurinë e jetës. E veprat e mëshirshme janë veprat më të bukura të jetës”. Kёshtu pohon Papa nё njё tweet, sot mё 23 nёntor 2020, botuar nё faqen e internetit @Pontifex.

Mos hiqni dorё nga ёndrrat e mёdha

Dje më 22 nëntor, në Meshën për kalimin e Kryqit të DBR-së, Papa Françesku u foli të rinjve për ëndrra të mëdha, që të bëjnë të lirë. I ftoi të shkojnë e të kërkojnë përtej mendimit sundues, që e redukton lumturinë në dëfrim, jetën në ethe konsumistike, dashurinë, në emocion. Duke vijuar homelinë, Papa i ftoi të rinjtë të mos heqin kurrë dorë nga ëndrrat e mëdha. I porositi të mos kënaqen me pak, sepse Zoti nuk dëshiron të na i ngushtojë horizontet. Na do në vrap drejt lartësive, me gëzim e guxim. Nuk jemi bërë për të ëndërruar pushimet a fundjavën – vijoi t’u kujtojë të rinjve Papa - por për të realizuar ëndrrat e Zotit në këtë botë: “Ai na bëri të aftë të ëndërrojmë përqafimin me bukuritë e jetës. E veprat e mëshirës janë pikërisht gjëja më e bukur. Nëse ëndërron  lavdinë e vërtetë, jo atë të botës, që vjen e shkon, por atë të Zotit, kjo është udha. Mbasi veprat e mëshirës i japin lumni Zotit  më shumë se çdo  gjë tjetër”.

Zoti ëndërron për ne

Zoti është i dashuruar me ne e ne jemi ëndrra e Tij e dashurisë. Këtë asnjë teolog nuk mund ta shpjegojë, ndërsa ne mundemi vetëm të qajmë nga gëzimi: ky, thënë përmbledhtas, ishte thelbi i homelisë së Meshёs sё kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, mё 16 mars 2015 nga Papa  Françesku.

Duke u nisur nga Leximi I i 16 marsir 2015 nga Izaia profet, ku Zoti thotë se do të krijojë “qiej të rinj e tokë të re”, Papa Françesku pohoi se krijimi i dytë i Zotit është dhe më i mrekullueshëm se i pari, sepse, kur Zoti e ‘ribën’ botën e rrënuar nga mëkati, e ‘ribën’ në Jezu Krishtin. Në këtë risim të çdo gjëje, Hyji shpreh gjithë gëzimin e tij,  flet për gëzim e thotë një fjalë: “Do të kënaqem me popullin tim”.  Zoti mendon atë që do të bëjë, mendon se Ai, Ai vetë, do të jetë në gëzim, bashkë me popullin e tij. Të duket si të ishte një ëndërr e Zotit: Zoti ëndërron. Ka ëndrrat e veta. Ëndrra për ne: “Ah, sa gjë e bukur do të jetë kur të jemi gjithë bashkë, kur të jemi atje o kur ky apo ai njeri... do të ecë me mua… Po, unë do të kënaqem në këtë çast!’. Po jap një shembull, që mund të na ndihmojë për ta kuptuar këtë: si kënaqet vasha me të fejuarin, o djali me vashën, kur  mendon: ‘Po kur do të jemi bashkë, kur do të martohemi…’ Është ëndrra e Zotit”.

Ne jemi në mendjen e në zemrën e Zotit

Zoti, vijoi Papa, mendon për secilin prej nesh, mendon mirë, na do mirë, ëndërron për ne. Ëndërron për gëzimin, që do të ketë me ne. Prej këndej Zoti dëshiron ta ‘ri-krijojë’ zemrën tonë, për të bërë që të ngadhënjejë gëzimi: “A keni menduar ndonjë herë? ‘Zoti ëndërron për mua! Unë jam në mendjen, në zemrën e Zotit! Zoti mund të ma ndërrojë jetën!’. E bën shumë plane: ‘Do të ndërtojmë shtëpi, do të mbjellim vreshta, do të hamë bashkë’… gjithçka që ëndërron njeriu i dashuruar… E kështu Zoti tregon se është i dashuruar me popullin e vet. E  i thotë popullit të tij: ‘Nuk të zgjodha pse je më i forti, më i madhi, më i pushtetshmi. Të zgjodha sepse je më i vogli nga të gjithë. Po unë të zgjodha kështu siç je. E kjo është dashuri”.

Dashurinë e Zotit nuk mund ta shpjegojë asnjë teolog

Zoti është i dashuruar me ne, tha Papa, duke komentuar edhe fragmentin e Ungjillit të Gjonit  (Gjn 4,43-54), që flet për shërimin e djalit të nëpunësit mbretëror: “Besoj se nuk ka asnjë teolog, që mund ta shpjegojë këtë: nuk mund ta shpjegojë. Këtë mundesh vetëm ta mendosh, ta ndjesh e të derdhësh lot gëzimi. Zoti mund të më shndërrojë. E ç’duhet të bëj? Të besoj! Duhet të besosh se Zoti mund të të bëjë njeri tjetër. Ai është i fuqishëm. Mjafton të besosh se Ai mundet! Si  babai, për të cilin flet Ungjilli. Ai besoi se Jezusi mund ta shëronte të birin. E Zoti ia shëroi. Kjo është fe. Kjo do të thotë të besosh, t’i bësh vend Zotit, që të vijë e të më shndërrojë”.

Edhe Hyji ëndërron

“Zoti ecёn në mesin e njerëzve, të mirë e të këqij, sepse në këtë listë ka shenjtorë e ka edhe kriminelë mëkatarë. Ka kaq shumë mëkat, këtu, mirëpo Zoti nuk frikësohet: ecën. Ecën me popullin e vet”. Kёshtu pati thёnё Papa Françesku nё homelinё  e Meshёs sё kremtuar nё kapelën e Shёn Martёs, mё 8 shtator 2015, nё Vatikan, në ditën kur Kisha përkujton lindjen e Virgjërës Mari. Në këtë udhëtim, shtoi Papa,  Hyji “bënë të rritej shpresa e popullit të vet, shpresa në Mesinë”. Zoti ynë, nёnvizoi  Papa duke përmendur një fragment të librit të Deuteronomisë, është një “Hyji i afërt”. Ecën me popullin e vet. E, vërejti Papa, “kjo ecje me të mirë dhe të këqij na tregon stilin tonë të jetës”.

Prandaj, si të krishterë, si duhet të ecim për të pajtuar siç bëri Jezusi, pyeti Papa? Duke zbatuar në jetën e përditshme protokollin e dashurisë ndaj të afërmit, kjo është përgjigja, që na ofron kreu 25 i Ungjillit të Mateut: “Populli ëndërronte çlirimin. Populli i Izraelit kishte këtë ëndërr sepse i qe premtuar, të lirohej, të ishte i lirë, të ishte i pajtuar dhe i paqëtuar. Jozefi ëndërronte: ëndrra e Jozefit është pak si një përmbledhje e ëndrrës së tërë historisë së udhës së Zotit me popullin e vet. Mirëpo jo vetëm Jozefi ka ëndrra: edhe Hyji ëndërron. Hyji Ati ynë ka ëndrra, e ëndërron gjëra të bukura për popullin  vet, për çdonjërin prej nesh, sepse është Atë dhe duke qenë Atë mendon e ëndërron gjërat ma të mira për bijtë e vet”.
Hyji është i gjithëpushtetshëm dhe i madh, tha Papa Françesku, por na “mëson të bëjmë punë të mëdha të pajtimit e të paqëtimit në gjëra të vogla, gjatë udhës së përditshme, duke mos e humbur shpresën me atë aftësi të ëndërrimit të ëndrrave të mëdha, të horizonteve të mëdha”.

Ëndrra e Jezusit

Secili prej jush tё reflektoj brenda vetes, në zemrën e tij: A jam i gatshëm t'i bëj tё miat ëndrrat e Jezusit? A mos ndoshta kam frikë se ëndrrat e tij mund t’i 'shqetësojnë' ëndrrat e mia?" Kёshtu u tha Papa  Françesku tё rinjve të dioqezës italiane të Brescia-s, tё cilёt i priti në audiencë nё Vatikan mё 7 prill 2018. Papa Bergoglio u shpjegoi tё rinjve se "ëndrra e Jezusit është ajo që në Ungjijtë quhet 'mbretëria e Zotit'. Mbretëria e Hyjit do të thotë dashuria me Zotin dhe dashuria mes nesh, duke formuar një familje të madhe vëllezërish e motrash  me Zotin si Atë, që i do të gjithë fëmijët e tij dhe është plot gëzim kur njё qё humbet, kthehet pёrsёri në shtëpi".

Për ata që duan ta ndjekin atë pas, "Jezusi u kërkon të ‘mohojnë vetveten "- theksoi Papa - sepse në secilin prej nesh ekziston "njeriu vjetër", njё unё egoist që nuk e ndjek logjikën e Zotit, logjikën e dashurisë , por ndjek logjikën e kundërt, atë të egoizmit, të interesit personal, shpesh të maskuar nga një fasadë e mirë, për ta fshehur atë ". Prandaj, Papa Françesku kujtoi sakrificën e Jezusit për të na "liruar nga kjo skllavëri e njeriut tё vjetёr, nga skllavëria e njeriut tё mëparshëm, i cili nuk është i jashtëm, por i brendshëm. Është mëkati, që na bën të vdesim brenda. Vetëm Ai, Jezusi, mund të na shpëtojë nga kjo e keqe, por pёr kёtё lypet, madje ёshtё i nevojshëm bashkëpunimi jonë ". 

23 nëntor 2020, 11:01