Françesku: lutja na ndihmon ta lëshojmë veten në dorë të Zotit

Që sot, për shkak të pandemisë, audienca e përgjithshme do të mbahet përsëri në Pallatin Apostolik. Në qendër të reflektimit të Françeskut, rëndësia e lutje, e kultivimit të jetës shpirtërore, pa të cilën bëhemi “burra e gra gjithnjë në ikje”.

R. SH. - Vatikan

Në çastet e shqetësimeve, lutja ka rëndësi të dorës së parë. Të lutesh, në këto çaste, do të thotë ta lëshosh plotësisht veten në dorën e Zotit. Kjo është forca e lutjes, sot në qendër të vëmendjes në katekizmin e mbajtur nga Papa Françesku i cili, për t’iu kundërvënë përhapjes së pandemisë, u rikthye në Bibliotekën e Pallatit Apostolik, siç e kujtoi vetë në fillim, duke i ftuar besimtarët të luten për të sëmurët e ata, që i mjekojnë me përkushtim, duke vënë në rrezik edhe  jetën e tyre.

Karakteristikat  kryesore të lutjes

Që në fjalët e para, Papa  kujtoi disa nga karakteristikat kryesore të lutjes. “Lutja është  timoni, që i prin udhëtimit të Jezusit! Është dëshira e parë e ditës”, “e, sidomos, dëgjimi i zërit të Zoti e takimi me Të aq sa - pohoi Papa - “një ditë e jetuar pa lutje, rrezikon të shndërrohet në përvojë besdisëse e të mërzitshme”. Ndërsa në lutje, problemet e përditshme nuk bëhen pengesë, por thirrje drejtuar vetë Zotit, që ta dëgjojë njeriun e gjunjëzuar para Tij.

Pas Jezusit, në vende të vetmuara

Në vijim, Papa i mori besimtarët për dore dhe i çoi në vendet ku tërhiqej Jezusi, për t’u lutur. Vende të vetmuara, të zhytura në atë heshtje, që është e domosdoshme për lutjen, për dialogun me Atin. E kjo dëshmon qartë  - kujtoi Papa - se edhe në çastet kur ua kushtonte më shumë vetveten të varfërve e të sëmurëve, nuk e  harronte kurrë dialogun intim me Atin. Sa më shumë  merrej me nevojat e njerëzve, aq më shumë e ndjente nevojën  të pushonte në Bashkimin trinitar, me Atin e Shpirtin Shenjt.

Sekreti i Krishtit, në orët e vetmisë

Lind pyetja: “Si mund ta shpjegojmë këtë angazhim të dyfishtë të Zotit? Na e shpjegoi Papa, duke kujtuar se në jetën e Jezusit kishte një sekret, të fshehur nga sytë njerëzorë.

“Lutja e Jezusit është realitet misterioz, nga i cili kuptojmë vetëm pak e gjë, por që na mundëson ta lexojmë, në këndvështrim të drejtë, gjithë misionin e Tij. Në këto orë vetmitare, para se të shkrepte agimi a të dyndej muzgu, Jezusi lidhej ngushtë me Atin, domethënë, me atë Dashuri, për të cilën ka etje çdo shpirt njerëzor. E kjo u pa  qartë që në ditët e para të shërbesës së tij publike”.

Lutja, timoni që drejton misionin e Jezusit

Për ta konkretizuar këtë, Papa kujtoi një episod nga jeta e Jezusit. Një të shtunë - tregoi -  qyteza e Kafarnaos u shndërrua  në “spital fushor”: pas perëndimit të diellit Jezusit ia sollën para gjithë të sëmurët e Ai i shëroi, të gjithë. Por, para se të shkrepte agimi, Jezusi u zhduk:  u tërhoq në një vend vetmitar për t’u lutur. Simoni e të tjerët e kërkonin e, kur e gjetën, i thanë: “Të gjithë po të kërkojnë!”. Por morën gjegjen: “Duhet të shkoj e të predikoj në fshatrat e tjera; prandaj kam ardhë!”.

Lutja është timoni që drejton udhën e Jezusit. Nuk janë sukseset, ata që i drejtojnë etapat e misionit të Tij, nuk është fraza “të gjithë po të kërkojnë”. Jezusi zgjedh gjithnjë udhën më pak të lehtë,  duke  iu bindur frymëzimit, që i vjen nga Ati, të cilin e dëgjon në lutjen e Tij vetmitare:

“Provat e jetës shndërrohen, kështu, në raste për t’u rritur në fe e në dashurinë e krishterë. Udha e përditshme, duke përfshirë edhe lodhjen, fiton perspektivën e thirrjes. Lutja ka forcë ta shndërrojë në të mirë  gjithçka që në jetë mund të jetë thjesht dënim; ka pushtet t’i hapë horizont të pafundëm mendjes e ta zgjërojë edhe zemrën”.

Kur Jezusi lutet, na mëson të lutemi në vetmi

Karakteristikë tjetër e lutjes së Jezusit është vetmia. Kush lutet, nuk  arratiset nga bota, por kërkon vende të shkreta. Atje, në heshtje të thellë, mund të dëgjohen gjithfarë zërash, që i fshehim brenda vetes: gjithfarë dëshirash. E sidomos, në heshtje, na flet vetë Zoti. Çdo njeri ka nevojë të ketë një hapësirë për vetveten, për jetën e tij të brendshme. Pa jetë shpirtërore bëhemi sipërfaqësorë, të pushtuar nga shqetësimi e nga ankthi, ikim nga realiteti e edhe nga vetvetja.

Lutja, dëshira e parë e ditës

Karakteristikë tjetër e lutjes: të jetë dëshira e parë e ditës, para se bota të zgjohet. Lutja ia rikthen shpirtit çka, po të mungonte, do ta linte pa frymë. Problemet e të gjitha ditëve, atëhere, nuk bëhen pengesa, por thirrje drejtuar Zotit për ta dëgjuar e për ta takuar njeriun që e ka përballë.

Lutja i shndërron provat e jetës në raste për t’u rritur në fe

Kur lutesh, udha  e përditshme, me gjithë vështirësitë e saj, bëhet thirrje:  “Lutja të shndërron. Lutja duhet të jetë këmbëngulëse. Jezusi na fton të trokasim dhe na edukon me një tip lutjeje, e cila bëhet disiplinë, që e shndërron njeriun, e bën të fortë në kohë trazirash e i jep hirin  të mbështetet fort nga Ai, që të do e të mbron gjithnjë!”.

Gjithçka vjen nga Zoti e tek Ai rikthehet

Së fundi, lutja e Jezusit është vendi, ku perceptohet se gjithçka vjen nga Zoti e tek Zoti edhe rikthehet. Nganjëherë ne, qeniet njerëzore, besojmë  se jemi zotër të të gjitha sendeve, ose, në të kundërtën, e humbasim çdo nderim për vetveten. Lutja na ndihmon të rigjejmë përmasën e drejtë, në lidhje me Zotin, Atin  tonë, e me gjithë krijesën.

Papa e përfundoi audiencën me thirrjen:

“Të dashur vëllezër e motra, ta rizbulojmë në Ungjill Jezu Krishtin si mjeshtër të lutjes, e të ulemi në bankat e shkollës së Tij. Do të gjejmë gëzim e paqe!”.

04 nëntor 2020, 12:35