Vatican News

Papa takon kardinalin George Pell

Papa Françesku priti në audiencë kardinalin australian, kthyer në Romë ditët e fundit. Në prill të këtij viti, ai u shpall unanimisht i pafajshëm nga Gjykata e Lartë Australiane për akuzat e abuzimit me të miturit. Qëndroi në burg për më se 400 ditë.

R.SH. - Vatikan

Papa priti sot në audiencë kardinalin George Pell. Prelati australian 79-vjeçar, prefekt nderi i Sekretarisë për Ekonominë, në detyrë nga viti 2014 në vitin 2019, u kthye ditët e fundit në Romë. Kujtojmë se u largua nga Vatikani në korrik 2017, për gjyqin, në të cilin e akuzonin se kishte abuzuar me të mitur. Papa Françesku i pati dhënë një periudhë pushimi për t’u mbrojtur nga akuzat.

Procesi i kardinalit Pell

 Kardinali Pell u akuzua në vitin 2017 për abuzime me të mitur, në dy raste të ndryshme, në vitin 1996 dhe në vitin 1997, kur ishte kryeipeshkëv i Melburnit, në Australi. Gjykata e shkallës së parë e dënoi me 6 vite burgim, në dhjetor 2008, por prelati vijoi të deklarohej i pafajshëm. Selia e Shenjtë, pavarësisht se mori masa duke mos e lejuar kardinalin të ushtronte shërbimin e tij meshtarak publikisht, theksoi se për qëndrimin përfundimtar ndaj tij, duhej pritur fundi i procesit në të gjitha nivelet.  Në gusht 2019, Gjykata e Apelit e Shtetit të Viktorias, me dy vota pro e një kundër, konfirmoi dënimin. Njëri nga gjykatësit, Mark Weinberg, e kundërshtoi me forcë vendimin, me bindjen se nuk kishte prova të mjaftueshme për të dënuar kardinalin. Qëndrimi i Selisë së Shenjtë nuk ndryshoi, në pritje që drejtësia të bënte punën e saj. Në mars 2020, çështja Pell shkoi në Gjykatën e Lartë australiane, shkalla e fundit e gjykimit. Shtatë gjykatës vunë në dukje inkoherencën e vendimeve të mëparshme dhe unanimisht, e liruan kardinalin nga burgu me motivacionin se kishte një mundësi të arsyeshme që krimi të mos ishte kryer, prandaj mund të dënohej një i pafajshëm. Kardinali Pell doli nga burgu pas më se 400 ditësh.

Papa lutet për ata, që dënohen padrejtësisht

Menjëherë pas lirimit, kardinali Pell deklaroi se nuk e mban mëri personin, që e akuzoi, duke përsëritur sërish se është i pafajshëm. Pak orë pas lajmit, Papa Françesku, gjatë meshës së kremtuar në shën Martë, në transmetim drejtpërdrejt në internet, për shkak të pandemisë, pohoi, pa cituar procesin kundër kardinalit australian:

 “Këto ditë Kreshme, pamë persekutimin, që pësoi Jezusi dhe se si dijetarët e Ligjit u tërbuan kundër tij: ai u gjykua ashpër, ashpër, megjithëse ishte i pafajshëm. Dua të lutem sot për të gjithë njerëzit, që vuajnë një dënim të padrejtë, për shkak të qëndrimeve të tilla”.

12 tetor 2020, 13:36