2020.10.21 Udienza Generale 2020.10.21 Udienza Generale 

Papa: sa herë që lutemi, Jezusi lutet me ne e për ne!

Në audiencën e përgjithshme Papa Françesku kujtoi ngjarjen ungjillore të pagëzimit të Krishtit në Jordan, gjatë një çasti pendestar. Me lutjen e Tij, shpjegoi, Jezusi hap një të çarë në qiell për t’ia sjellë Zotin edhe atyre që nuk janë të denjë, në çdo situatë të jetës.

R.SH. - Vatikan

Sot Papa Françesku u priu besimtarëve, që e ndiqnin, në brigjet e Lumit Jordan, në ditën e pagëzimit të Krishtit. Aty Jezusi thotë lutjen e tij të parë, së bashku  me mëkatarët e popullit të Zotit. E po aty hap një rrugë të re: rrugën e dialogut të dashurisë me Atin, edhe në çastet më të errta të jetës. Kështu Papa Françesku vijoi katekizmin kushtuar lutjes me besimtarët e pranishëm në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sallën Pali VI e lidhur përmes mediave.

Larg njëri tjetrit, për shkak “të zonjës Covid”, që na shqetëson pa masë

Ashtu si në takimet e fundit  me shtegtarët, Papa kujtoi se nuk do të mund të zbriste “që ta përshëndeste secilin”, për të shmangur rrezikun e infektimit:

“E kjo është në kundërshtim  me ‘zonjën’ që quhet Covid e që bën shumë keq. Më falni, prandaj që nuk po zbres për t’ju përshëndetur e po ju përshëndes prej këndej, por mos harroni se ju kam në zemër të gjithëve. E edhe ju, shpresoj se më keni në zemër të gjithë e se luteni për mua. Duke respektuar  distancën,  mund të lutemi njëri për tjetrin”.

Jezusi ndërmjet pendestarëve, solidar me jetën tonë

Si përshkuam udhën e katekizmit kushtuar lutjes, pas Besëlidhjes së Vjetër, arrijmë tani tek Krishti - vijoi Papa - Misioni i tij publik - kujtoi - nis me pagëzimin në lumin Jordan. Ungjilltarët i japin rëndësi të dorës së parë këtij episodi. Rrëfejnë sesi populli qe mbledhur në lutje e saktësojnë se ky tubim kishte karakter të qartë pendestar.

Akti i parë publik i Jezusit është, pra, pjesëmarrja në një lutje korale të popullit, një lutje pendestare, ku të gjithë e pranojnë se janë mëkatarë, prandaj Gjon Pagëzuesi nis të kundërshtojë e thotë: “Jam unë ai, që ka nevojë të pagëzohet nga ti, e ti vjen tek unë?”.

Jezusi hap një të çarë drejt Atit, për të gjithë ne

Po Jezusi ngul këmbë; është akt që i nështrohet vullnetit të Atit, akt solidariteti me natyrën tonë njerëzore. Ai lutet me mëkatarët e popullit të Zotit!  Nuk rri në bregun tjetër të lumit, për të vënë në dukje ndryshimin e tij nga populli i pabindur, por i zhyt këmbët në të njëjtin ujë pastrimi!

“Jezusi nuk është Zot i largët, e as nuk mund të jetë. Mishërimi  e  zbuloi këtë në një mënyrë  të plotë e të papërfytyrueshme nga mendja njerëzore. Kështu, duke nisur misionin e tij, Jezusi vihet në krye të një populli pendestarësh, si të donte ta hapte një plasë, përmes së cilës  ne duhet të kemi guximin të kalojmë të gjithë, pas Tij”.

Duke u lutur, Jezusi hap portën e qiellit

Katekizmi i Kishës katolike shpjegon se kjo është risia e përmbushjes së kohëve. Thotë, prandaj: “Lutja bijnore, të cilën Ati e priste nga bijtë e tij, u jetua më në fund nga vetë Biri i Tij i vetëm si njeri, me njerëzit e për njerëzit”.

Në atë ditë, në brigjet e lumit Jordan, është mbarë njerëzimi, me dëshirat e tij të pashprehura  të lutjes. E, posaçërisht, është populli i mëkatarëve: i atyre, që mendojnë se Zoti nuk mund t’i donte, që nuk guxonin ta kapërcenin pragun e tempullit, që nuk luteshin, sepse nuk e ndjenin veten të denjë për lutje, Jezusi erdhi për të gjithë ata, e nisi pikërisht të bashkohet me ta.

 Ungjilli i Lukës vë në pah atmosferën e lutjes, në të cilën ndodhi pagëzimi i Jezusit.

Edhe në orën më të errët, Jezusi gjen strehë tek Ati

Ndërsa mbarë populli vinte të pagëzohej e Jezusi, si mori edhe ai pagëzimin, ishte në lutje, hapet porta e qiellit e nga ajo e çarë zbret Shpirti Shenjt. E nga lart, një zë shpall të vërtetën mahnitëse: “Ti je im bir, i dashur, që e kam për zemër”. Kjo frazë e thjeshtë përmban  një thesar të pamasë: na bën të nënkuptojmë  diçka nga misteri i Jezusit e i zemrës së Tij, gjithnjë drejtuar nga Ati:

“Në trazirat e jetës, në ngjarjet më të rënda e më të trishta që do t’i duhet t’i durojë, edhe kur  nuk ka vend ku të mbështesë kokën, edhe kur rreth Tij  shpërthen urrejtja e persekutimi, Jezusi nuk është kurrë pa strehë: banon në amshim në Atin”.

Nga lutja e Jezusit, tek lutja  e të gjithë të pagëzuarve

Ja madhështia e pashembullt e lutjes së Jezusit: Shpirti Shenjt merr në zotërim vetjen e Tij e zëri i Atit vërteton se Ai është i dashuri, Biri në të cilin pasqyrohet plotësisht.

Kjo lutje - sqaroi Papa - është plotësisht personale, e kështu do të jetë për gjithë jetën tokësore. Por për Rrëshajë, për hir të Zotit, bëhet  lutje e të gjithë të Pagëzuarve në Krishtin. Ai vetë na e bëri këtë dhuratë  e na fton të lutemi, ashtu si lutej Ai vetë:

“Prandaj nëse ndonjë mbrëmje lutjesh ndjehemi të lodhur e të këputur, nëse mendojmë se  kemi jetuar kot, duhet të kërkojmë që lutja e Jezusit të bëhet jona. Do të dëgjojmë, atëhere, një zë, i cili zbret nga qielli, më i fuqishëm se ai, që lartohet nga honet e vetvetes, duke pëshpëritur fjalë plot me ëmbëlsi: ‘Zoti të do! Je bir, je gëzimi i Atit të qiellit!’”.

Jezusi na dhuron lutjen, dialog dashurie me Zotin

Pikërisht për ne, për secilin prej nesh jehon fjala e Atit: edhe nëse na dëbojnë të gjithë,si mëkatarë të të gjitha llojeve, mos harroni  se Jezusi nuk zbriti në ujërat e Jordanit për vetveten, por për ne të gjithë. Hapi qiellin,  ashtu si pati hapur Moisiu ujin e Detit të Kuq, që të gjithë të mund ta kalonim pas Tij: Jezusi na dhuroi të njëjtën lutje, që është dialogu i tij i dashurisë me Atin. Na e dhuroi si farë e Trinisë, që dëshiron të lëshojë rrënjë  në zemrën tonë! Ta mirëpresim!”.

28 tetor 2020, 12:15