Matthias Grunewald, Gesù Crocifisso Matthias Grunewald, Gesù Crocifisso 

Papa Françesku: Kryqi i Krishtit na zbulon dashurinë e Zotit

Papa Françesku: “Zbulesa e dashurisë së Zotit për ne duket si marrëzi! Por sa herë e shikojmë Kryqin, gjejmë në të këtë dashuri. Kryqi është libri i madh i dashurisë së Zotit!”. Gjeni ngushëllimin në Krishtin e Kryqëzuar, në mënyrë që dashuria juaj të jetë përherë më e vërtetë, e frytshme dhe e qëndrueshme.

R.SH. - Vatikan

Sot nё ditën kur Kisha katolike kremton solemnitetin e Lartimit të Kryqit të Shenjtë, nё njё tweet Papa Françesku na kujton se: “Zbulesa e dashurisë së Zotit për ne duket si marrëzi! Por sa herë e shikojmë Kryqin, gjejmë në të këtë dashuri. Kryqi është libri i madh i dashurisë së Zotit!”.

Kush nuk e merr Kryqin e vet e nuk më ndjek, nuk është i denjë për mua”. I dëgjojmë përsëri, duke shfletuar Ungjillin e Shën Mateut, këto fjalë të pakundërshtueshme, me të cilat Jezusi u jep mësimin themelor dishepujve. Na kujtojnë një mori rrethanash në të cilat, me vërejtje nga më të mprehtat, Papa Françesku vë theksin mbi rëndësinë që ka Kryqi për gjithë të krishterët, meshtarë e besimtarë.  Po kujtojmë disa nga mendimet e Papës, kushtuar pikërisht Kryqit tё Jezu Krishtit, pa të cilin mbetemi gjithnjë në gjysëm të rrugës së krishterimit. 

"Të gjithë të mund të gjejnë jetën e re duke u nisur pikërisht nga Kryqi i Jezusit", këtu u tha Papa Françesku shtegtarëve të pranishëm, mё 14 shtator 2016 në audiencën e përgjithshme. Papa Bergoglio nënvizoi disa herë se si, më 14 shtator, Kisha katolike kremton Festën e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë, duke uruar “që të gjithë të mund të gjejnë jetën e re” duke u nisur pikërisht nga Kryqi i Jezusit: “Ta vështrojmë atë, mbi të cilin Biri i Zotit ka vdekur për shpëtimin tonë. Kryqi është përgjigja e Zotit ndaj së keqes e ndaj mëkatit të njeriut. Është përgjigje e dashurisë, e mëshirës dhe e faljes. T’ia tregojmë këtë Kryq botës e ta përlëvdojmë në zemrat tona, në familjet tona e në komunitet tona”.

Së fundi, Papa Françesku iu referua kësaj Feste duke përshëndetur të rinjtë, të sëmurët dhe çiftët e reja të sapomartuar: “Të dashur të rinj, duke rifilluar aktivitetet e zakonshme pas pushimeve, përforcojeni edhe dialogun tuaj me Zotin, duke përhapur dritën e tij e paqen e tij; të dashur të sëmurë, gjeni ngushëllimin në kryqin e Zotit tonë Jezus, që vazhdon veprën e vetë të shëlbimit në jetën e çdo njeriu; e ju, të dashur çifte të reja të sapomartuar, përpiquni të mbani marrëdhënie të pandërprerë me Krishtin e Kryqëzuar, në mënyrë që dashuria juaj të jetë përherë më e vërtetë, e frytshme dhe e qëndrueshme.

Kryqi nuk duhet mbajtur vetëm si shenjë përkatësie, si “distinktiv”. I Kryqëzuari duhet parë si “ai Zot, që u bë mëkat” për të na shpëtuar. Kjo, porosia e Papës në homelinë e Meshës së 4 prillit 2017, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.  Në liturgji Jezusi u thotë tri herë rresht farizenjve: “Do të vdisni në mëkatet tuaja”. Ua thotë këto fjalë, sepse e kishin zemrën të mbyllur e nuk arrinin ta kuptonin atë mister, që ishte Zoti. “Të vdesësh në mëkatet tuaja, është gjë shumë e keqe” – kujtoi Françesku.

Gjarpri i bronztë: kush e shikonte, shpëtonte

Në dialogun me ta, pastaj, Jezusi kujton: “Kur ta keni lartuar Birin e njeriut, atëhere do të kujtoheni se Unë jam e se nuk bëj asgjë nga vetvetja”.  Jezusi kujton atë, që ndodhi në shkretëtirë, ashtu si tregohej në Leximin e parë, kur populli, që nuk mund ta duronte më kapitjen, nisi të largohej nga Zoti. E ia behen gjarprinjtë e nisën t’i kafshonin shtegtarët e shkrumbuar për ujë, duke i lënë të vdekur mbi rërën e përvëluar të shkretëtirës. Atëhere Zoti i tha Moisiut të bënte një gjarpër prej bronzi e ta lartonte mbi një bosht: kushdo zihej nga gjarpëri dhe e shikonte, shërohej.

Gjarpri është simbol i djallit, atit të gënjeshtrës, babait të mashtrimit, të mëkatit. Është shi ai, që e bëri njerëzimin të bjerë në mëkat e në vdekje. E Jezusi kujton: “Atëhere, kur do të ngrihem lart, të gjithë do të vijnë tek unë!”. Ky - kujtoi Françesku - është misteri i kryqit. Gjarpri prej bronzi shëronte, por ishte simbol i dyfishtë; i mëkatit bërë gjarpër, i joshjes së gjarprit, i dinakërisë së gjarprit; por edhe sinjal i kryqit të Krishtit. Ishte profeci - shpjegoi Papa.

Kryqi jo vetëm simbol përkatësie, por kujtesë e Zotit, që u bë mëkat, për dashuri

Jezusi, pra, u bë mëkat, siç na e kujton Shën Pali. U bë mëkat dhe mori mbi vete të gjitha ndyrësitë e njerëzimit! U lartua, që të gjithë njerëzit e plagosur nga mëkati, ta shikonin. E kush nuk njeh në këtë njeri të lartuar forcën e Zotit, që u bë mëkat për të na shëruar, do të vdesë në mëkatin e vet: “Shëlbimi vjen vetëm nga kryqi, por nga ai kryq, që është Zot i mishëruar. Nuk ka shpëtim në idetë, nuk ka, në vullnetin e mbarë, në dëshirën për të qenë i mirë… Jo! I vetmi shpëtim është Krishti i kryqëzuar, sepse vetëm Ai, si gjarpri prej bronzi, qe i zoti ta marrë mbi vete gjithë helmin e mëkatit e na shëroi atje, mbi kryq! Por ç’është kryqi për ne? Po, është shenja e të krishterëve, simboli i të krishterëve."

E ne bëjmë shenjën e kryqit, por jo gjithnjë e bëjmë mirë, sepse nuk e kemi besimin e duhur në kryqin. Herë të tjera, për disa njerëz, është distinktiv përkatësie: ‘E po, unë e mbaj kryqin, që të gjithë ta shohin se jam i krishterë’. Gjë e mirë kjo, por jo vetëm si disktinktiv, si të ishte distinktivi i ndonjë skuadre. Duhet mbajtur si kujtim i Atij, që u bë mëkat”. Ka, pastaj, të tjerë, që e mbajnë kryqin si stoli, madje disa mbajnë kryqe me gurë të çmuar, për t’u dukur – kujtoi Françesku: “Zoti i tha Mosiut: ‘Kush shikon gjarprin, do të shërohet’. Jezusi u thotë armiqve të tij: ‘Kur ta shihni Birin e njeriut të lartuar, atëhere do ta njihni’. Kush nuk e shikon kryqin  kështu, me fe, do të vdesë në mëkatet e veta, nuk do ta marrë shëlbimin”.

Ta pyesim veten: “Si e mbaj Kryqin?”

Kisha propozon dialogun me misterin e kryqit: “Sot Kisha propozon dialogun me misterin e kryqit, me këtë Zot, që u bë mëkat nga dashuria për mua. E secili nga ne mund të thotë: “Nga dashuria për mua”. E mund të mendojmë edhe: si e mbaj kryqin? Si kujtim? Kur e bëj shenjën e kryqit, a jam i vetëdijshëm për atë, që po bëj? Si e mbart kryqin? Vetëm si simbol, që tregon se i përkas një grupi fetar? Si e mbaj kryqin? Si stoli? Si zbukurim, me shumë gurë të çmuar, prej ari… ? A jam mësuar ta mbart mbi shpatulla, ku të rëndon e të gjakos? Secili nga ne sot ta shikojë Kryqin, të shikojë këtë Zot të bërë mëkat, që ne të mos vdisnim në mëkatet tona e t’i përgjigjet kësaj pyetjeje, që ju bëra sot”.

14 shtator 2020, 11:00