2020.09.07-Stadio-delle-terme-di-Caracalla-02.jpg

Festa e sportit në Romë për paraqitjen e librit të Papës

“Vihu në lojë. Mendime mbi sportin”: ky është vëllimi i Shtëpisë Botuese të Vatikanit, që përmbledh pjesët më të rëndësishme të fjalimeve të Papës Françesku në takimet e tij me sportistë nga e gjithë bota. Në librin e përgatitur nga Lucio Coco, me patronazhin e “Athletica Vaticana”, edhe kontributi i kampionëve si Francesco Totti, Alex Zanardi dhe maratonomakja Tegla Loropue.

R.SH. - Vatikan

Vlerat olimpike, rëndësia e rregullave, vlerat edukative për njerëzit, kultura e takimit. Këto janë temat, që karakterizojnë mendimet e Papës Françesku mbi sportin, mbledhur në librin “Vihu në lojë”, publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit dhe paraqitur në stadiumin e “Terme di Caracalla”, në Romë. Një vend sporti, ndërmjet Romës së lashtë, asaj të krishterë e asaj ndërkombëtare, pasi është vetëm pak hapa nga selia e FAO-s. Dëshmon vullnetin e qytetit, të atletëve dhe të administratorëve të pranishëm për të filluar nga e para, pas muajve të bllokimit, për shkak të koronavirusit.

Paraqitja e librit të Papës
Paraqitja e librit të Papës

Një “vitaminë” për të rifilluar

Në këtë kuptim, shpjegoi imzot Melchor Sanchez da Toca, zv.sekretar i Këshillit Papnor për Kulturën, fjalët e Papës ndër vite, në takimet e tij me sportistë nga e gjithë bota, janë si “vitamina” për ta ndihmuar sportin të rifillojë. “Në një kohë kur e gjithë shoqëria po përpiqet të vihet sërish në lëvizje”, nënvizoi ai, “Papa na jep një udhëzues të vogël për sportistët, një antologji me mendimet e tij, ku pasqyrohen vlerat themelore të sportit. Sporti, thotë gjithmonë Papa Françesku, është një mjet edukativ shumë i fuqishëm, veçanërisht për të rinjtë, por edhe për gjithë shoqërinë”. Veprimtaria sportive është në gjendje të krijojë “bashkësi të integruara dhe gjithëpërfshirëse”.

Kontributi i kampionëve

Pasurojnë vëllimin e përgatitur nga Lucio Coco, edhe tri parathënie të shkruara nga po aq kampionë sporti: futbollisti italian Francesco Totti, maratonomakja keniote Tegla Loroupe dhe sportisti italian Alex Zanardi, i cili e shkroi tekstin e tij disa ditë para aksidentit të rëndë, që e detyroi të shtrohet në spital këtë verë. “Një kontribut i vogël, shkruar me zemër nga Alex”, kujtoi Daniela, gruaja e kampionit paraolimpik, në një mesazh.

08 shtator 2020, 12:01