Kardinali Wojtyla- Gjon Pali II Kardinali Wojtyla- Gjon Pali II 

Ditët e Dancigut dhe profecia e Wojtylës: nuk ka liri, pa solidaritet

Roli i Gjon Palit II para e pas zgjedhjes së tij, gjatë stinës së ndeshjeve të klasës punëtore me shtypësit e saj, që sollën stuhinë e ndryshimeve në mbarë Evropën Lindore. Kujtimi i ipeshkvit-ndihmës të Dancigut, imzot Zielinski: “Forca e fesë pati një rol vigan!”.

R. SH. - Vatikan

“Mbyllja e kantiereve detare, kërkesat - e padëgjuara kurrë deri në atë çast - të punëtorëve, drejtuar qeverisë socialiste, tutat blu në dy gjunjtë e mëdhenj në Meshët me pjesëmarrje të paparë...  Shkëndijën e parë të kësaj çudie, që po shikonte Polonia e bota mbarë, duke filluar nga 14 gushti 1980,  me fillimin e grevave në Dancig,  e hidhte një dorë, që më pas do të bashkëpunonte me të gjitha forcat liridashëse, për t’ia ndryshuar faqen mbarë Evropës: dora e kryeipeshkvit të Krakovit, Karol Wojtylës, që i shtrihej polakut të krishterë, punëtor e atdhetar, të cilin regjimi donte ta mbante të shtypur përgjithmonë, e bëhej zëdhënës i tij, me një zë që tundi botën mbarë. Zë, që jehon me forcë edhe sot e kësaj dite, për ata që kërkojnë të jetojnë si njerëz, atje ku vijojnë të jetojnë nën zgjedhën e maskuar mbas parrullave të lirisë të rreme!

Papa - Solidarnosc:  mirëqenia e drejtësia  shoqërohen nga prania e Zotit

Simbol i kësaj faze do të ishte Kryqi i Nowa Huta, nën të cilin Papa i ardhshëm do të pohonte shumë herë afërsinë e Kishës me botën e punës e nevojat e saj. Do të bënte thirrje për të hapur një faqe të re. Një fazë, që do të shënote lindjen e sindikatës Solidarnosc, siç e kujton, për Vatican News, ipeshkvi-ndihmës i Dancigut, Zbigniew Zielinski:

“Ky ishte çasti në të cilin Kisha në Poloni kryesohej nga primati Jozef Glemp. Situata në vend ishte shumë e vështirë. Por vështirësinë e shoqëronte shpresa. Po lindnin shpresa të mëdha: Liria po ridukej në horizontin e ngrysur nga një sundim, që duhej të perëndonte përgjithmonë!  Në gjirin e punëtorëve lindi Solidarnosc. Primati dhe Kisha e Polonisë  e dinin se komunistët nuk do të pajtoheshin lehtë me kërkesat e punëtorëve të lëvizjes, që po lindte. Prandaj Kisha pati si objektiv të saj t’i vinte në jetë me delikatesë këto propozime, për të shmangur ndeshjen. Historia e vendeve fqinje, ku qe derdhur gjak, i kujtonte se duhej shumë kujdes e durim. Primati Glemp dhe kardinali Macharski bënë shumë hapa, para se të siguroheshin që ndryshimet do të vinin pa gjak! Po për fat të keq, frika e kardinajve u vërtetua: u vu në jetë ligji marcial. Nisi gjendja e luftës. Por kjo nuk mundi ta shuante zjarrin, që tashmë ishte ndezur.  E edhe Kisha qe pushtuar nga ky entuziazëm, që shprehej në Meshët për Atdheun, kremtuar nga  atë Jerzy Popiełuszko në Varshavë ose në Bazilikën e Shën Brigjidës në Dancig. Ishin Meshë që ta çonin shpirtin peshë! Më kujtohet kur, së bashku me tim atë, shkonim në Meshët për Atdheun, në bazilikën e Dancigut. Ishte një përvojë e paharrueshme. Forca e fesë pati një rol të pallogaritshëm  i cili, në fund të fundit, nuk lejoi që ligji marcial t’i merrte frymën 40 vjetëve të lëvizjes së Solidarnosc”.

Historia nuk mund ta mohojë rolin e Karol Wojtylës në këtë fazë, një herë si ipeshkëv i Krakovit, e pastaj si Papë! Zëri i Gjon Palit II e tund përsëri Evropën, kur  cënohet sadopak ajo liri për të cilën, megjithatë, u derdh shumë gjak! Duke i kujtuar me forcë se “nuk ka liri, pa solidaritet”.

14 gusht 2020, 14:01