Selia e Karitasit Ukrainas Selia e Karitasit Ukrainas 

Ukrainë, Projekti i Papës: në 4 vite, ndihma për një milion njerëz

Këto janë frytet e projektit “Papa për Ukrainën”, filluar në vitin 2016, me 15 milion euro. Tani po përfundon, por lë pas vetes gjurmët e ndritura të bashkëpunimit ekumenik dhe të bamirësisë, që nuk ndalet.

R.SH. - Vatikan

Lutja dhe bamirësia: këto janë krahët, që Papa i shtriu që nga fillimi i papnisë drejt popullit të dashur ukrainas, duke treguar vëmendje të veçantë për ngjarjet e dhimbshme të luftës, të cilat i shkaktojnë vuajtje që nga viti 2014. Françesku e sensibilizoi disa herë opinionin botëror për to, në raste publike dhe private, siç bëri në fund të lutjes së Engjëllit të Tënzot të kësaj së diele, duke shprehur kënaqësinë për armëpushimin në zonën kufitare me rajonin separatist Donbass.

Drita e Papës mbi realitetin ukrainas

          Për ukrainasit, është e rëndësishme që dikush si Ati i Shenjtë flet për një konflikt gati të harruar, e quan atë “plagë”, për shkak të së cilës fëmijët paguajnë çmimin më të lartë, dhe i kërkon bashkësisë ndërkombëtare të gjejë zgjidhje, që sjellin “fryte paqeje në drejtësi”. Vetë Françesku deshi me forcë projektin humanitar “Papa për Ukrainën”, filluar në vitin 2016, me një investim prej 15 milion eurosh. Për të ishte dhe është shenjë konkrete dashurie dhe solidariteti, pa shikuar dallimet fetare, besimin e ndryshëm apo përkatësinë etnike. Projekti parashikonte mjete për ngrohjen, ilaçe, rroba dhe ushqime, mjete higjienike dhe mbështetje psikosociale. Të gjitha këto synime u realizuan e tani, është në përfundim e sipër edhe furnizimi i një spitali për fëmijë me makineritë e aparaturat e nevojshme.

Shenjë ekumenzimi

          E gjithë kjo veprimtari, që iu besua mbikëqyrjes së Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor, u realizua vitet e fundit – me ndihmën e Nunciaturës Apostolike - nga një komitet teknik me seli në Zhaporizhia, për vitin e parë, dhe nga Sekretariati Teknik me qendër në Kiev për vitin e mëpasëm. Bashkëpunuan edhe organizmat bamirëse të Kishës Katolike, por edhe të traditave të tjera të krishtera, si edhe organizata ndërkombëtare, të cilat u ngarkuan posaçërisht me këtë detyrë.

          Shenjë e bukur ekumenizmi, që flet për një punë të përbashkët, në shërbim të të varfërve, të fëmijëve me vështirësi që lidhen me streset e luftës, të familjeve me shumë anëtarë, të të moshuarve, që kanë humbur gjithçka dhe jetojnë me pensione shumë të ulta. Tani, nuk është më emergjenca e katër viteve më parë, por mbeten akoma shumë nevoja për t’u plotësuar, prandaj Kisha vazhdon të punojë për këtë.

27 korrik 2020, 18:49