2019.04.17 cappella redemptoris mater nella ii loggia del palazzo apostolico in vaticano 2019.04.17 cappella redemptoris mater nella ii loggia del palazzo apostolico in vaticano 

Papa: profecia rrugë drejt Zotit

Papa: “Profecia lind kur lejojmё tё provokohemi nga Zoti: jo kur mbarёshtohet apo drejtohet qetësia personale dhe gjithçka mbahet nën kontroll”.

R.SH. - Vatikan

“Profecia lind kur lejojmё tё provokohemi nga Zoti: jo kur mbarёshtohet apo drejtohet qetësia personale dhe gjithçka mbahet nën kontroll”. Kёshtu pohon Papa Françesku nё njё tweet, sot mё 22 korrik 2020, nё faqen e internetit @Pontifex.

Profecia na kujton vetё jetёn e Zotit

“Profeci është t’u thuash njerëzve se ka një rrugë lumturie, madhështie, një rrugë që të mbush me gëzim e ajo është rruga e Jezusit. Është rruga për të qenë pranë Jezusit. Është dhuratë profecia, është karizëm e duhet t’ia kërkojmë Shpirtit Shenjt: që të di të them fjalën e duhur në çastin e duhur; që të di të bëj atë që duhet, në çastin që kërkohet; që e gjithë jeta ime të jetë profeci. Gra e burra profetë”. Janё fjalët e Papës Françesku në audiencën me pjesëmarrësit e Jubileut të Jetës së Shuguruar, në Sallën Pali VI në Vatikan, mё 1 shkurt tё vitit 2016. Profecia ёshtё dёshmi e jetës ungjillore, nuk është kurrë ideologjike, e aq më pak diçka e modës, por shenjë kundërshtie, qё na trgegon udhёn e shenjtërisё, udhёn drejt Zotit.

Kur Kishës i mungon profecia, i mungon vetë jeta e Zotit e kështu, fillon e mbizotëron klerikalizmi. Në meshën e mëngjesit, kremtuar mё 16 dhjetor 2013 në kapelёn e  Shtëpisё sё Shën Martës, Papa Françesku, duke komentuar leximet e asaj dite, u përqendrua në figurën e profetit. Është ai që i dëgjon fjalët e Zotit, nënvizoi, që di ta kuptojë çastin e të shohë me largpamësi drejt së ardhmes. Ka brenda vetes të tria kohët: të kaluarën, të tashmen e të ardhmen: “Të kaluarën: profeti është i vetëdijshëm për premtimin e Zotit, të cilin e ka në zemër, e ndjen të gjallë, e kujton, e përsërit. Pastaj sheh të tashmen, sheh popullin e vet dhe ndjen forcën e Shpirtit Shenjt, që e nxit t’i thotë një fjalë për ta ndihmuar të ngrihet në këmbë e të vazhdojë udhën drejt së ardhmes. Profeti është njeri i tri kohëve: premtim i së kaluarës; kundrim i së tashmes; guxim për të treguar udhën drejt së ardhmes. E Zoti e ka ruajtur gjithnjë popullin e vet, së bashku me profetët, në çastet e vështira, kur shkurajohej e dëshpërohej, kur nuk kishte Tempull, kur Jeruzalemi vuante nën pushtetin e armiqve, kur pyeste: ‘O Zot, ti na ke premtuar! Ç’do të ndodhë tani?’”

Kështu ziente edhe zemra e Zojës Mari, te këmbët e Kryqit tё Krishtit, vazhdoi Papa Françesku. Pikërisht në këto çaste, nevojitet ndërhyrja e profetit, i cili jo gjithmonë pritet mirë. Vetë Jezusi u thotë farisenjve se etërit e tyre i vranë profetët, sepse u thoshin të vërtetën, u kujtonin premtimin e Hyjit. Kur mungon profecia, theksoi Ati i Shenjtë Bergoglio, mungon jeta e Zotit; forca kthehet në legalizëm, pra në zbatimin e thjeshtë të ligjeve. Meshtarët e  kohёs e pyetën edhe Jezusin me ç’autoritet fliste, nuk i kuptonin më profecitë, e harruan premtimin… E kishin mendjen vetëm tek pushteti: “Kur në gjirin e popullit të Zotit nuk ndjehet profecia, boshllëku i lënë prej saj, zëvendësohet nga klerikalizmi: është ky klerikalizëm, që e pyet Jezusin: ‘Me ç’autoritet i bën ti këto gjëra? Me çfarë ligjshmërie?’. E kujtimi i premtimit të Hyjit dhe shpresa për të ecur përpara thjeshtohen vetëm në të tashmen: as të kaluar, as të ardhme me shpresë. E tashmja është ligji: nëse e lejon ligji, shkohet përpara”.

Por, vërejti Papa, kur mbretëron legalizmi, nuk ndjehet Fjala e Zotit e, popullit të Hyjit i qan zemra për Të, pasi nuk e gjen askund, i mungon profecia. Vajton si Ana, nëna e Samuelit, që kërkonte zgjimin e popullit. Kur Zoti na e zgjon kujtimin e premtimit të Tij, na shtyn drejt së ardhmes, me shpresë:
“Lutja jonë, në këto ditë, të jetë kjo: ‘O Zot, të mos mungojnë profetët në popullin tënd!’ Të gjithë ne, të pagëzuarit, jemi profetë. ‘O Zot, bëj të mos e harrojmë premtimin tënd! Të mos lodhemi së ecuri përpara! Të mos mbyllemi në ligje, që mbyllin dyert! O Zot, liroje popullin tënd nga fryma e klerikalizmit dhe ndihmoje me shpirtin e profecisë’”.

22 korrik 2020, 10:09