San Benedetto Norcia San Benedetto Norcia 

Papa: Shёn Benedikti na tregon gurrën e shpresës

Papa Françesku: Shёn Benedikti, mbrojtësi i Evropës, ne të krishterëve tё sotёm na tregoftë se si nga feja buron gjithmonë një shpresë e lumtur, e aftë pёr të ndryshuar botën.

R.SH. - Vatikan

#Shёn Benedikti, mbrojtësi i Evropës, na tregoftë ne të krishterëve tё sotёm se si nga feja buron gjithmonë një shpresë e lumtur, e aftë pёr të ndryshuar botën. Kёshtu shkruan Papa Françesku nё njё tweet, sot mё 11 korrik 2020, nё festёn e shёn Benediktit, abat, nё faqen @Pontifex.

Sot Evropa, që sapo ka dalë nga një shekull thellësisht e plagosur nga dy luftëra botërore e pas shembjes së ideologjive të mëdha, që u duk qartë se s’ishin tjetër, veçse utopi tragjike, është në kërkim të identitetit të vet. Për të krijuar një bashkim të ri e të qëndrueshëm, sigurisht kanë shumë rëndësi mjetet politike, ekonomike e juridike, por nuk duhet harruar edhe përtëritja etike e shpirtërore, që buron nga rrënjët e krishtera të Kontinentit, sepse pa këto rrënjë Evropa nuk mund të ndërtohet. E pikërisht për këto rrënjë, që u përhapën falë punës së madhe të Shën Benediktit, shpallur Pajtor i Evropës nga Papa Pali VI në vitin 1964, ma flet ende sot figura e Shën Benedikti.

Vepra e Abatit tё Shenjtё e, në mënyrë të posaçme, rregulla e tij, janë mbartëse të një tharmi të vërtetë shpirtëror i cili, në rrjedhë shekujsh, ia ndryshoi fytyrën Evropës shumë përtej kufijve të Atdheut të tij, duke nxitur, pas shembjes së unitetit politik, krijuar nga perandoria romake, një unitet të ri shpirtëror e kulturor, atë të fesë së krishterë, që u pranua nga popujt e kontinentit. E kështu lindi ai realitet, që ne e quajmë ‘Evropë’.

Para se të ushtronte, me manastiret e tij, këtë ndikim themelor mbi zhvillimin e qytetërimit e të kulturës evropiane, Benedikti Abat ishte kryesisht njeri i lidhur me lutjen dhe meditimin e Fjalës së Zotit. Kur i lindi ideja për themelimin e manastirit të Montekasinos, shenjti i ardhshëm u tërhoq në një shpellë të Subiakos. Aty e kuptoi se gjëja e parë që duhet të bënte, ishte sundimi i vetvetes. Në kundërshtim me vetërealizimin e shpejtë, pa mundim, egocentrik, që sot gjithnjë më shpesh shikohet si virtyt i lartë Shën Benedikti nisi të kërkonte përvujtërisht takimin me Hyjin.

Pa lutje, nuk ka takim me Zotin. Por përshpirtëria e Shën Benediktit nuk ishte jashtë realitetit. Në kohën e tij të shqetë e të trazuar, ai jetonte i ndjekur nga syri i Hyjit, pa i harruar kurrë detyrat e jetës së përditshme e njeriun, me nevojat e tij konkrete. Duke parë Zotin, kuptoi realitetin e njeriut dhe misionin e tij. E pikërisht nevojat konkrete të njeriut përmblidhen në rregullën e famshme të Shën Benediktit, që bazohet mbi dy fjalë: “Lutu e puno!”, të shkruara pesëmbëdhjetë shekuj më parë, por që mbeten çuditërisht moderne edhe për sot.

Benedikti e quan Rregullën ‘të vogël, të hartuar vetëm për fillimin’; në të vërtetë kjo rregull jep këshilla të urta jo vetëm për murgjërit, por edhe për të gjitha ata që kërkojnë një prijës në shtegtimin e tyre drejt Hyjit. Për masën, humanizmin e dallimin ndërmjet asaj që ka rëndësi të dorës së parë e asaj që është dytësore në jetën shpirtërore, ajo e ruajti forcën deri më sot.

11 korrik 2020, 18:24