Vatican News
 Kardinali Zenon Grocholewski Kardinali Zenon Grocholewski 

Ndërroi jetë kardinali Grocholewski. Papa: “Një jetë në shërbim të Selisë së Shenjtë”

Lajmin për vdekjen e kardinalit Zenon Grocholewski, Prefekt nderi i Kongregatës për Edukimin Katolik, e dha episkopati i Polonisë, vendlindja e të Ndjerit. Kardinali, që ia kushtoi gjithë jetën në mënyrë të veçantë disiplinës së Drejtësisë, e kishte shumë për zemër misionin edukativ të Kishës në gjirin e të rinjve.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku, sapo e mori këtë lajm të hidhur, në një telegram dërguar  zotit Wladislav Grocholewski, i shprehu atij e familjarëve të tjerë, afërsinë për këtë ngjarje kaq të hidhur për të gjithë ata, që e njohën dhe e nderuan  kardinalin e ndjerë. Papa e vlerëson lart veprimtarinë e të ndjerit  në Drejtësinë Kanonike, në Universitetet Gregorian e Lateranens, duke kujtuar edhe  botimet e tij shkencore në shërbim të Selisë së Shenjtë, ku dha ndihmesën e tij së pari si Sekretar e Prefekt i Lartë i Gjykatës së Senjaturës Apostolike, e më pas, si Prefekt i Kongregatës për Edukimin Katolik. Në këto fusha dha dëshmi zelli meshtarak e besnikërie ndaj Ungjillit e ndaj Kishës.

Në përfundim Papa siguron se larton lutjen, që Jezusi t’i japë Kardinalit të ndjerë çmimin e amshuar, premtuar dishepujve të Tij dhe e përfundon telegramin me bekimin apostolik dhënë të gjithë atyre, që qajnë për këtë humbje.

Dy fjalë për kardinalin Zenon Grocholewski

Vdiq në moshën 80 vjeçare, kardinali polak Zenon Grocholewski, Prefekt nderi i Kongregatës për Edukimin Katolik. I lindur më 11 tetor 1939, në Brodki të Polonisë, në kryedioqezën e Poznanit, u shugurua meshtar më 27 maj 1963 e ipeshkëv, më 1977. U krijua kardinal më 2001 e u largua nga misioni për arsye moshe, në vitin 2015. Një jetë e shkrirë në Kurien Romake, me detyra nga më të ndryshmet, kushtuar posaçërisht së Drejtës Kanonike dhe edukimit, dy shtyllat e formimit e të punës së Hirësisë së Tij, që qe për një kohë të gjatë bashkëpunëtor i ngushtë i Gjon Palit II e, më pas, edhe i Benediktit XVI.

17 korrik 2020, 14:14