1593599459411.JPG

Funerali i Georg Ratzinger, më 8 korrik, në Regensburg

Funerali i vëllait të Papës së nderit, Benedikti XVI, do të kremtohet të mërkurën, më 8 korrik, në orën 10.00, në katedralen e Regensburgut, në Gjermani.

R.SH. - Vatikan

Funerali i vëllait të Papës së nderit, Benedikti XVI, do të kremtohet të mërkurën, më 8 korrik, në orën 10.00, në katedralen e Regensburgut, në Gjermani. Lajmi njoftohet në faqen e internetit të dioqezës, ku sqarohet edhe se ai do të transmetohet drejtpërdrejt në atë faqe dhe në Facebook (https://www.bistum-regensburg.de/bistum/dom-st-peter/).

Dioqeza e Romës shtrëngohet rreth Papës së nderit

 Pas letrës së Papës Françeskut, edhe dioqeza e Romës, që e pati për ipeshkëv, i shpreh ngushëllimet dhe afërsinë e saj Papës së nderit. “Bashkësia dioqezane e Romës – lexohet në një komunikatë – ia beson shpirtin e imzot Georg Ratzinger Atit Qiellor, Zotit të ringjalljes e të jetës, dhe shpreh dashuri birnore, me afërsi e lutje për ipeshkvin e nderit, Benediktin XVI”.

L’Osservatore Romano: familja, fjala që i bashkon vëllezërit

 Ndërkaq, në një artikull të publikuar në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, shkruhet: “Figura e Papës së nderit, kërrusur nga vitet, që ditët e kaluara deshi me të gjitha forcat të shkojë mbi kryet e të vëllait, për t’i qëndruar pranë në çastet e fundit të udhës së tij tokësore, ishte vetëm vula, shprehja e dukshme për të gjithë, e atij filli dashurie, që, edhe në rrethanat më pak të njohura, i ka ndërthurur jetët e tyre. E ai fill, që edhe sot – pas vdekjes së imzot Georg – vijon t’i bashkojë ngushtë vëllezërit në fe, quhet familje”. “Një afërsi intime e diskrete, që kuptohet duke shkuar në rrënjët e historisë së tyre të përbashkët dhe të vendimeve të tyre fetare”, vëren gazeta e Selisë së Shenjtë.

03 korrik 2020, 09:07