Gjysh e nip dorë për dorë Gjysh e nip dorë për dorë 

Françesku: të rinj, përdoreni fantazinë e dashurisë për gjyshërit!

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi Shenjtorët Joakini e Ana, gjyshërit e Jezusit, duke i nxitur të rinjtë e sotëm të mos i harrojnë kurrë “rrënjët e tyre”.

R. SH. - Vatikan

Të rinjtë - pemë gati për të lëshuar shtat, por me rrënjë të forta, që janë gjyshërit! Papa Françesku i quajti kështu të rinjtë e sotëm, të thirrur, në ditën kur Kisha kremton Shenjtorët bashkëshortë Ana e Joakini, prindërit e Zojës së Bekuar, të mos i harrojnë të dashurit e tyre të moshuar, sidomos në këtë kohë pandemie. U kërkoi një gjest dashurie! I këshilloi të gjejnë rrugët e përshtatshme, që gjyshërit të mos ndjehen kurrë të vetmuar, të harruar, të braktisur:

“Dëshiroj t’i ftoj të rinjtë t’u japin një ledhatim të ëmbël pleqve, posaçërisht më të vetmuarve, atyre që jetojnë në shtëpi e në rezidenca e që nuk i shikojnë prej muajsh të afërmit. Të dashur të rinj, secili nga këta pleq është gjyshi juaj! Mos e lini vetëm! Përdoreni fantazinë e dashurisë, bëjani një telefonatë, një videothirrje, dërgojani një mesazh, dëgjojini e, ku mund të bëhet pa shkelur normat shëndetësore, shkoni edhe t’i takoni. Jepjani një përqafim të ngrohtë!”.

Duke cituar, më pas, vargjet e një poeti argjentinas, Papa kujtoi se po të duam të jemi të fortë, duhet t’i kemi rrënjët e forta. Rrënjë që e kanë një emër. Quhen gjyshër!

“Ata janë rrënjët tuaja. Një dru pa rrënjë nuk mund të rritet, nuk mund të çelë lule as të pjekë fryte. Prandaj është i rëndësishëm bashkimi e lidhja me rrënjët. Pemët çelin lule, sepse i kanë rrënjët thellë në tokë, thotë një poet i atdheut tim. Prandaj ju ftoj për një duartrokitje të stuhishme, kushtuar të gjithë gjyshërve”.

 

26 korrik 2020, 13:08