Vatican News

Solidariteti i Papës për rajonin brazilian Baixada Fluminense

Rajoni i shtetit të Rio de Zhanejros, në Brazilin juglindor, është një nga territoret më të populluara në një vend, ku pandemia e koronavirusit është përhapur në mënyrë dramatike. Ipeshkvi Gilson Andrade shpreh mirënjohjen për Papën Françesku: “Në këtë kohë, kur solidariteti është udhë shprese për shumë njerëz, jemi të lumtur që mund të mbështetemi në ndihmën tuaj”.

R.SH. - Vatikan

Rajoni brazilian Baixada Fluminense, historikisht, është karakterizuar nga varfëria, dhuna e braktisja, por në këto ditë krize serioze shëndetësore - është zona më e prekur nga Covid-19 në Brazil - mundi të ndiejë praninë e solidaritetin e Papës Françesku. Dioqezës së Nova Iguaçu - përmes Nunciaturës Apostolike – i mbërriti mbështetja financiare e Atit të Shenjtë, i cili i dërgoi 10.000 realë, që u përdorën krejtësisht për blerjen e produkteve ushqimore dhe higjienike për familjet e lagjeve më të varfëra në këtë shtet të Rio de Zhanejros.

Nismat e tjera të dioqezës

Dioqezës i është dashur të ndërpresë veprimtaritë baritore dhe kremtimin publik të meshës, por ka përforcuar veçanërisht projektet shoqërore të Karitasit dioqezan, të Qendrës për të drejtat e njeriut, si dhe projektet e famullive dhe të besimtarëve. Ka marrë rëndësi të madhe në këtë periudhë misioni i saj bamirës, në përpjekjen për t’iu përgjigjur rritjes së konsiderueshme të kërkesave për ndihmë nga shumë familje. E ndihma e Papës u dha forcë të re këtyre nismave.

Shpresa e rigjetur

 Ipeshkvi i Nova Iguaçu, imzot Gilson Andrade, shpreh mirënjohjen e tij për gjestin e Papës. “Në këtë kohë, kur solidariteti është udhë shprese për shumë njerëz - thotë ai - i jemi mirënjohës Papës Françesku dhe ndihemi të lumtur që mund të mbështetemi në ndihmën e tij të çmuar. Ai është bariu, i cili e zgjoi botën, në mënyrë që askush të mos jetë indiferent ndaj vuajtjeve të të tjerëve. Kisha nuk është vetëm gjeografikisht e afërt me njerëzit, por ndan me ta jetën konkrete. Meshtarët - vazhdon imzot Andrade – ndihmuan në rimëkëmbjen e shumë vëllezërve dhe motrave në vështirësi. Ati i Shenjtë u zgjati dorën dhe bamirësia e tij solli gëzim e shpresë për njerëzit, që përfituan nga kjo ndihmë. Kështu, e ndiejmë edhe më fort bashkimin dhe mirënjohjen për Atin e Shenjtë. Bamirësia e tij është inkurajim për ne që të vazhdojmë të gjejmë mënyra për t’u kujdesur për njerëzit, në këtë kohë pasigurie dhe vuajtjeje”.

24 qershor 2020, 10:24