2018-10-22-presidente-repubblica-colombia-1540197979377.JPG

Papa: nuk mund të shtiremi si të shëndetshëm në një botë të sëmurë

Françesku i shkruan Iván Duque Márquez, presidentit të Kolumbisë, vendi ku do të mbahej Dita Botërore e Ambientit 2020, kremtuar virtualisht, për shkak të koronavirusit. Nuk mund të mos e shohim shkatërrimin e ekosistemit, pohon Papa, shtëpia e përbashkët duhet të ndërtohet dhe të mbrohet së bashku.

R.SH. - Vatikan

Shkatërrimi i ambientit në Siberi, ku tonelata të tëra me naftë u derdhën këto ditë në një lumë, bie si një shkëmb i rëndë mbi Ditën Botërore të Ambientit, që kremtohet sot, duke i bërë edhe më të fuqishme fjalët e Papës Françesku në videomesazhin për presidentin e Kolumbisë, vendi ku do të mbahej veprimtaria kryesore e kremtimeve, të cilat zhvillohen virtualisht, për shkak të koronavirusit. Ati i Shenjtë shprehet me shqetësim e bën thirrje për impenjim. Plagët, “që i shkaktojmë tokës mëmë - shkruan Bergoglio - …pikojnë gjak edhe brenda nesh. Kujdesi për ekosistemet ka nevojë për një vështrim drejt së ardhmes, pa parë vetëm çështjet e çastit, në kërkim të fitimeve të lehta e të shpejta; një vështrim plot jetë, që kërkon ruajtjen e ambientit në të mirë të të gjithëve”.

Të mos heshtim para shfrytëzimit të natyrës

 Tri faqet e letrës për presidentin kolumbian Duque Márquez, vijnë drejtpërdrejt nga magjisteri i Papës për këto çështje, disa ditë pas shpalljes së vitit të veçantë kushtuar “Laudato Sì”, enciklikë e botuar pesë vite më parë, por aktuale më shumë se kurrë. “Mbrojtja e ambientit dhe respektimi i ‘biolarmisë’ së planetit janë çështje që na shqetësojnë të gjithëve – shkruan Ati i Shenjtë. - Nuk mund të shtiremi si të shëndetshëm në një botë të sëmurë”. “Nuk mund të heshtim”, thekson me forcë Papa, “kur shohim kostot tejet të larta të shkatërrimit dhe të shfrytëzimit të ekosistemit. Nuk është koha për ta kthyer kokën nga ana tjetër, për indiferentizëm para shenjave të një planeti, që po plaçkitet e dhunohet nga lakmia e fitimit dhe – nganjëherë - edhe në emër të përparimit”.

Vendime të guximshme

Duke iu drejtuar në mënyrë të veçantë pjesëmarrësve në Ditën Botërore të Ambientit, Papa Françesku nënvizon se na takon të gjithëve “ta ndryshojmë këtë prirje dhe të punojmë për një botë më të mirë dhe më të shëndetshme, që do t’ua lemë brezave të ardhshëm. Gjithçka varet nga ne; nëse e dëshirojmë këtë me të vërtetë”. Siç shkruan edhe në Enciklikën “Laudato Sì”, Ati i Shenjtë i fton të gjithë të jenë “më të vetëdijshëm për mbrojtjen e shtëpisë sonë të përbashkët dhe për kujdesin ndaj vëllezërve dhe motrave tona më të ligshta, shpërfillur nga shoqëria”. Për këtë arsye, nënvizon, “ju inkurajoj në detyrën tuaj që diskutimet dhe rezultatet e takimeve të jenë gjithmonë në favor të ndërtimit të një bote gjithnjë e më të banueshme dhe të një shoqërie më njerëzore, ku të ketë vend për të gjithë dhe ku askush të mos mbetet pas”.

05 qershor 2020, 15:00