Papa: Zoti i pranoftë viktimat e pandemisë. Nuk ka fe, pa liri.

Gjatë Meshës në Shën Martë, Françesku kujtoi të vdekurit e shumtë për shkak të Covid 19, që shpesh u shuan të vetmuar, pa asnjë përkëdhelje nga të dashurit e tyre e pa funeral. Në homeli foli për disa sjellje, që të pengojnë të hysh në grigjën e deleve të Krishtit: për skllavërinë e pasurive, ngurtësinë, plogështinë, klerikalizmin, mendësinë e botës, ashpërsinë. Por pa liri nuk mund të ecim drejt Jezusit.

R. SH. - Vatikan

Françesku kremtoi sot, në Shtëpinë e Shën Martës, Meshën e së martës të javës së katërt të Pashkëve. Mendimi i parë i Papës ishte për të vdekurit nga coronavirusi:

“Të lutemi sot për ata, që ndërruan jetë për shkak të pandemisë. Vdiqën vetëm, pa asnjë ledhatim nga të dashurit e shumë prej tyre, edhe pa funeral. Zoti i pranoftë në Lumninë e Tij”.

Gjatë homelisë, Papa komentoi Ungjillin e sotëm (Gjn 10,22-30), në të cilin judenjtë i kërkojnë Jezusit ta thotë haptas se ai është Krishti. Po Zoti  përgjigjet: “Jua  thashë, po ju nuk besoni; veprat, që kryej në emër të Atit tim, këto japin dëshmi për mua. Po ju nuk besoni, sepse nuk bëni pjesë në grigjën e deleve të mia”. Kjo - kujtoi Papa - të ngjall një dyshim e edhe një pyetje: “Po unë, a besoj?”. E akoma: “Çka më ndalon para portës, që është Jezusi?”. Janë sjelljet, që na pengojnë ta dëshmojmë Jezusin. Edhe ne, që jemi grigja e Jezusit! Janë antipatitë, që nuk na lënë të ecim përpara  në njohjen e Zotit.

E, pengesa e parë, është pasuria: “Edhe shumë nga ne, që hymë nga porta e Zotit, më pas ndalohemi e nuk shkojmë përpara, sepse jemi të burgosur nga pasuritë. Zoti mban gjithnjë qëndrim të prerë, të ashpër kundër pasurive, sepse të pengojnë të shkosh përpara. Atëhere ç’duhet bërë? Duhet të biem në pauperizëm, në varfëri masive? Jo! Çka duhet të bëjmë, është të mos shndërrohemi në skllevër të pasurive, sepse pasuritë janë zot, zoti i kësaj bote! E ne nuk mund t’u shërbejmë dy zotërive. E as t’i ndezim një qiri Zotit - e një tjetër djallit. Janë pasuritë, që na pengojnë të ecim në rrugën e Zotit. E rruga e Zotit nuk mund të ndiqet pa liri. Një gjë tjetër, që të pengon të shkosh përpara në njohjen e Jezusit, në dëshirën për t’i përkitur Zotit - tha në vijim Papa - është zemra e ngurtë. E edhe qëndrimi i ngurtë në shpjegimin e Ligjit. Jezusi i qorton farizenjtë, doktorët e Ligjit për këtë ngurtësi. E kjo nuk është besnikëri; ngurtësia  është siguri për vetveten, jo për Zotin. Françesku tregoi, në vijim, një anekdotë: “Një zonjë, që kishte marrë pjesë në një dasmë të shtunën pasdite, pyeti nëse Mesha vlente edhe për të dielën, mbasi leximet ishin ndryshe e ajo dyshonte se kishte bërë mëkat mortar, sepse ndoshta kishte ndjekë një meshë, që nuk ishte e vërtetë, sepse leximet nuk ishin të vërteta”. E të mendosh se kjo zonja i përkiste një lëvizjeje kishtare”. Ngurtësi. Kjo na largon nga urtia e Jezusit: na heq lirinë. E, për fat të keq, ka shumë barinj që i bëjnë të ngurta zemrat e besimtarëve. Po kjo ta mbyllë, nuk ta hapë, portën e Jezusit!

Papa përshkroi edhe një pengesë tjetër: është plogështia. Ajo mefshtësi që na e zhduk çdo vullnet të mirë për të shkuar përpara.

Por ka edhe më: një nga sjelljet më të këqija, është klerikalizmi, sepse “vihet në vendin e Jezusit”. E pastaj të thotë: “Kjo është kështu e kështu e kështu, e nëse nuk bën ashtu e ashtu e ashtu, ti nuk do të mund të hysh kurrë në Mbretërinë e Zotit! Klerikalizmi e zbeh fenë e besimtarëve, ua heq lirinë. Është një nga sëmundjet më të këqija në Kishë.

Tjetër gjë, që të pengon të përparosh në njohjen e Jezusit, “është shpirti i botës”, që e shndërron praktikën e fesë sipas mendësisë së botës. Të mendojmë për kremtimin e disa sakramenteve në disa famulli: sa mendësi bote ka në ta. E njeriu turbullohet aq, sa të mos e kuptojë fare hirin dhe praninë e Jezusit”.

Në të gjitha këto sjellje, në adhurmin e parasë, në plogështinë, ngurtësinë mendësinë e botës, klerikalizmin, ideologjitë - vërejti Papa - mungon liria. Po Jezusi nuk mund të ndiqet pas, pa lirinë. Natyrisht, liria i kapërcen kufijtë, e atëhere njeriu rrëshqet - vijoi Ati i Shenjtë, por është më keq  të rrëshqasësh para se të fillosh ta ndjekësh Jezusin!

Në përfundim të homelisë Papa iu lut Zotit të na shndrisë “që të hyjmë brenda zemrave tona, për të parë nëse aty ka liri, që na çon drejt Zotit, duke na bërë dele të grigjës së Tij”.

Sepse nuk ka kurrë udhë feje, pa liri!

Papa  Françesku e përfundoi kremtimin me adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament dhe me bekimin eukaristik, duke i ftuar besimtarët të marrin Kungimin shpirtëror. Në përfundim, lutja e Papës:

O Krishti im, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë tani nuk mund të të marr sakramentalisht, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Të përqafoj njësoj si të kishe ardhur e bashkohem krejtësisht me Ty. Më ndihmo të mos ndahem kurrë prej Teje. Amen!”.

Para se Ati i Shenjtë të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:

“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.

(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që e mbarte në kraharor, Aleluja! 

U ngjall si pati premtuar, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)

05 maj 2020, 10:57