Të Ngjiturit e Krishtit në Qiell Të Ngjiturit e Krishtit në Qiell 

Papa: në Solemnitetin e të Ngjiturit të Krishti në Qiell, të përsërisim premtimin për ta dëshmuar Zotin

“Ideali juaj e edhe angazhimi juaj qoftë ta bëni të njohur fjalën e Shëlbimit të Krishtit e ta kumtoni në jetën e përditshme”. Për këtë i nxit Françesku besimtarët në festën e të Ngjiturit të Krishtit në qiell, që kremtohet sot, 40 ditë pas Pashkëve, në Vatikan, ndërsa në shumicën e vendeve, edhe ndër shqiptarë, të dielën e ardhshme.

R. SH. - Vatikan

“Ideali juaj e edhe angazhimi juaj qoftë ta bëni të njohur fjalën e Shëlbimit të Krishtit e ta kumtoni në jetën e përditshme”. Për këtë i nxit Françesku besimtarët në festën e të Ngjiturit të Krishtit në qiell, që kremtohet 40 ditë pas Pashkëve. Festa e të Shëlbuemit, që është solemnitet e të kujton se të gjithë jemi të thirrur për jetën e pasosur, në Vatikan kremtohet sot. Ndërsa në disa vende, ndërmjet të cilave edhe Shqipëria, Kosova, Mali Zi, do të kremtohet të dielën e ardhshme, për t’u krijuar të gjithëve mundësinë të marrin pjesë në Meshë, posaçërisht këtë të dielë, e para pas kishave bosh, për arsye të coronavirusit!  

E me këtë rast Papa u drejtoi gjithë besimtarëve një ftesë të re për mision, për kumtimin e guximshëm të Ungjillit e për dëshminë e përditshme.  Françesku i ftoi të gjithë të jenë dëshmitarë bujarë të Krishtit të Ngjallur, me vetëdijen se Zoti, duke u ngjitur në qiell, nuk e braktisi askënd, madje “është gjithnjë - me të gjithë - e na ndihmon gjatë rrugës sonë të jetës”:

“U drejtoj një mendim të posaçëm të rinjve, pleqve, të sëmurëve e të sapomartuarve. Jezu Krishti, duke u ngjitur në qiell, lë pas një mesazh dhe një program për mbarë Kishën: ‘Shkoni e mësojini të gjitha kombet ta jetojnë gjithçka ju urdhërova. Bëjeni të njohur Fjalën e shëlbimit të Krishtit e dëshmojeni në jetën e përditshme: ky duhet të jetë ideali i angazhimit tuaj. Ju bekoj të gjithë!”.

Të enjten  e javës së gjashtë të Pashkëve, 40 ditë pas Ngjalljes së Krishtit, në Vatikan e në disa vende të tjera  të botës, kremtohet  Solemniteti i të Ngjiturit të Krishti në Qiell, që në Itali, deri në vitin 1977, ishte festë civile. Kalendari e zhvendosi në të dielën e mëpasme.

Zanafilla e solemnitetit

Me këtë festë kujtohet përfundimi i qëndrimit të dukshëm të Zotit Jezus ndërmjet njerëzve, që u pasua me ardhjen e Shpirtit Shenjt mbi apostujt dhe me përhapjen e krishterimit në mbarë botën.

Ishte një ‘mirupafshim’ e nevojshme ngjitja e Jezu Krishtit në qiell, rikthimi tek Ati Hyjnor, që përmbushi shëlbimin: “Nëse unë nuk shkoj, nuk do të vijë tek ju Ngushëlluesi, por nëse shkoj, do t’jua dërgoj” – kështu u pati thënë Jezusi apostujve, siç na e rrëfen Shën Gjoni në Ungjillin e tij.

Në këtë festë, bashkësia e krishterë, pra, është e thirrur t’i drejtojë sytë nga   Jezusi që, dyzet ditë pas ngjalljes, në sa apostujt e ndiqnin të mahnitur, u ngjit lart para syve të tyre e u zhduk pas një reje. Duke u ngjitur në qiell, Jezu Krishti na e rihapi udhën drejt atdheut tonë të amshuar, që është parajsa. Tani, me pushtetin e Shpirtit të Tij, na ndihmon në shtegtimin tonë të përditshëm mbi tokë.

Kjo, me pak fjalë, është domethënia e solemnitetit të të Shëlbuemit. Jezusi i Ngjallur, i cili dyzet ditë më pas u qe dukur Apostujve me pamjen e tij të zakonshme njerëzore, që fshihte lumninë e të Ngjallurit - shpjegon Katekizmi i Kishës katolike - ngjitet në qiell e rri në të djathtën e Atit. Ai është Zot e tashmë mbretëron me natyrën e tij njerëzore në lumninë e amshuar të Birit të Hyjit e ndërmjetëson pareshtur në favor tonë pranë Atit Hyjnor. Na dërgon Shpirtin e Tij e na jep shpresë se një ditë do të arrijmë në vendin, që na e përgatiti.

Duke u ngjitur drejt ‘lartësive’, Jezusi na zbulon pa kurrnjë dyshim hyjninë e vet: kthehet prej nga erdhi, domethënë tek Hyji, pasi e kreu misionin e Tij mbi tokë. Përveç kësaj, Krishti ngjitet në qiell, duke marrë me vete edhe natyrën njerëzore, të cilën e ngjalli prej së vdekurve: kjo natyrë njerëzore është natyra jonë, e shndërruar, e hyjnizuar, e amshuar. Prandaj themi se çdo njeri është i thirrur për jetë të pasosur në Mbretërinë e Hyjit, që është Mbretëri e dashurisë, e dritës, e paqes, e jetës së pasosur.

Fjalët e Papës Françesku

Për Kishën katolike “Të Ngjiturit e Krishtit në Qiell” është prelud i Rrëshajëve e, në një farë mënyre, shënon fillimin e historisë e të misionit të Tij ndërmjet njerëzve. Françeku e kujton çdo vit me këtë rast, duke ngulmuar se detyra e çdo të krishteri është kumtimi i shëlbimit.

“Krishti, para se të ngjitej në Qiell, tha: ‘Shkoni në botë e bëni dishepuj! Vendi i të krishterit është bota!”.

Këtë pati nënvizuar Françesku në lutjen e Mbretëreshës Qiellore të 13 majit 2018 – Ai na kërkon të kemi sy e zemër, për ta takuar Jezusin, për t’i shërbyer e për t’ua dëshmuar edhe të tjerëve. Na kërkohet të jemi burra e gra të të Ngjiturit në Qiell, domethënë, kërkues  të Krishtit në shtigjet pa fund të kohëve tona, njerëz, që e çojnë fjalën e shëlbimit deri në skajet më largëta e më të harruara të tokës”.

Burra e gra të të Ngjiturit në Qiell - e përsërit Papa porosinë e solemnitetit. Shenja konkrete shprese:

“Në këtë udhë ne takojmë vetë Krishtin në vëllezërit, posaçërisht në më të varfërit, në ata që e vuajnë në korpin e tyre përvojën e ashpër e poshtëruese të varfërive të vjetra e të reja. Ashtu si bëri Krishti që, në fillim, i dërgoi apostujt e tij me forcën e Shpirtit Shenjt, kështu bën edhe me ne sot,  na dërgon edhe ne, me të njëjtën forcë, për të përhapur kudo shenja të dukshme shprese”.

Mesazhi i Jezusit, në të katër anët e tokës

Misioni, që Jezusi ua beson dishepujve: “Shkoni në mbarë botën e predikojani Ungjillin çdo krijese” - është pa kufij e i kapërcen forcat njerëzore.

Duket me të vërtetë tepër e guximshme detyra, që Jezusi ia ngarkoi  një grupi të vogël burrash të thjeshtë, pa aftësi të mëdha intelektuale! E pra kjo shoqëri pa pikë peshe e rëndësie përballë fuqive të mëdha të botës, u dërgua për të çuar mesazhin e dashurisë e të mëshirës së Jezusit në të katër anët e tokës.

Zemrat lart, këmbët në tokë!

Projekti i Zotit, i mbështetur nga “forca, që Ai vetë ua jep apostujve e edhe nga Shpirti Shenjt”, vijon nëpër shekuj e është i pranishëm edhe në kohët tona. Misioni, që Jezusi ua beson Apostujve - shpjegon Papa - kërkon bashkëpunimin e të gjithëve:

 Secili, në forcë të Pagëzimit që mori, është i përgatitur për ta kumtuar Ungjillin:

“Pagëzimi na nxit të jemi misionarë, ta predikojmë Ungjillin. Jezusi na jep shpresë, na hap portat e qiellit. Virgjëra Mari na ndihmoftë t’i mbajmë gjithnjë lart zemrat e këmbët t’i kemi për tokë, që të mbjellim, kështu, me guxim, farën e Ungjillit në situatat konkrete të jetës e të historisë”.

21 maj 2020, 09:42