Papa lutet për pastruesit. Vetëm në Zotin jemi vëllezër!

Gjatë Meshës, kremtuar në Shën Martë, Françesku kujtoi sot të gjithë ata, që punojnë si pastrues nëpër shtëpi, spitale, rrugë. Punë e padukshme, por tejet e nevojshme për jetën. Në homeli pohoi se në shoqëri ka luftëra, kontraste e grindje, sepse mungon Ati. Pa të, jemi jetimë! Po Shpirti Shenjt na mëson si të hyjmë tek Ati, që na bën vëllezër, na bën një familje e vetme e na dhuron butësinë e bijve të Zotit.

R. SH. - Vatikan

Françesku kryesoi Meshën në Shën Martë (mund ta ndiqni të plotë përmes videos), në të Dielën  VI të Pashkëve. Kujtoi, së pari, të gjithë ata, që punojnë si pastrues:

“Sot lutjen tonë ua kushtojmë njerëzve të shumtë, që pastrojnë spitalet, rrugët, që zbrazin kazanët e plehërave, që shkojnë nëpër shtëpitë për të pastruar mbeturinat; punë që askush nuk e vë re, por shumë e nevojshme për jetën. Zoti i bekoftë e i ruajtë”.

Në homeli Papa komentoi Ungjillin e sotëm (Gjn 14,15-21), në të cilin Krishti u thotë dishepujve të vet: “Nëse më doni, do t’i zbatoni urdhërimet e mia; e unë do ta lus Atin e Ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të jetë me ju përgjithmonë. Shpirtin e së vërtetës, të cilin bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e shikon e as nuk e njeh! Ju e njihni, sepse ai rri pranë jush e do të jetë në ju. Nuk do t’ju lë jetimë: do të vij tek ju”.

Duke u ndarë nga dishepujt e vet - pohoi Papa - me premtimin “nuk do t’ju lë jetimë”, Jezusi u jep paqe, prehje, qetësi. I mbron nga dhimbja, nga trishtimi i thellë, që pushton gjithnjë shpirtin e jetimit. E sot ky trishtim ndjehet fuqimisht kudo në botë: shumë kanë sende me tepri, po u mungon Ati! E kur të mungon Ati, nuk të hyn asgjë në sy. Dëshiron  ta ritakosh, ta rigjesh Atin. E kërkon me etje kudo. Edhe në mitet e lashta: të mendojmë për mitin e Edipit, të Telemakut e sa e sa të tjerë, që dalin nga librat e lashtë, për të hyrë alegorikisht në botën e sotme. Gjë që tregon se njerëzit vijojnë të jenë në kërkim të Atit, që u mungon e duan ta gjejnë si e ku të munden.

“Kështu sot mund të themi se jetojmë në një shoqëri, ku mungon Ati, ku njeriu e ndjen veten jetim, gjë që ndikon fuqimisht edhe mbi përkatësinë dhe vëllazërimin”. Prandaj Jezusi premton: “Do ta lus Atin, e Ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër”. “Unë po shkoj - thotë Jezusi - po do të vijë një tjetër, që do t’ju mësojë si të hyni tek Ati”. Do t’jua kujtojë hyrjen tek Ati. Shpirti Shenjt nuk vjen për “të siguruar klientë”, vjen për të hapur rrugën drejt Atit, për të kujtuar hyrjen tek Ati, atë hyrje, që e hapi vetë Jezusi, që e bëri të dukshme Biri i Atit. Nuk mund të ekzistojnë përshpirtëri vetëm në Birin, vetëm në Shpirtin Shenjt: qendra është Ati!

Vetëm me këtë vetëdije bijsh, që nuk janë jetimë, mund të jetohet në paqe ndër ne! Luftërat, gjithnjë, të vogla a të mëdha qofshin, të kujtojnë menjëherë jetimin: “Mungon Ati, që sjell paqen”. Prandaj - shpjegoi Papa duke kometuar Leximin e parë të sotëm - Pjetri e fton bashkësinë e parë të krishterë t’u përgjigjet me ëmbëlsi, me respekt e me ndërgjegje të pastër atyre, që kërkojnë arsyet e fesë: “E kjo quhet butësi e Shpirtit Shenjt. Shpirti Shenjt na e mëson këtë butësi, këtë ëmbëlsi, tipike për bijtë e Atit”. Shpirti Shenjt nuk na mëson të grindemi, të shahemi. Sharja vjen pikërisht nga vetëdija e mungesës së Atit, nga ndjesia se jemi jetimë, se na mungon Ati. E po ashtu edhe luftërat. Shpërthejnë kur arrin kulmin mungesa e vëllazërimit. Ndërsa ëmbëlsia, respekti, butësia, janë sjellje që flasin vetë për përkatësi, që tregojnë se i përkasim një familjeje, që është e sigurt se e ka një Atë. Atë, i cili është qendra e të gjitha sendeve, zanafilla e të gjithave, uniteti i të gjithave, shpëtimi i të gjithave, sepse na dërgoi të Birin, për t’i shpëtuar të gjithë. E dërgon edhe Shpirtin Shenjt për të na e kujtuar hyrjen tek Ati:

“T’i kërkojmë Shpirtit Shenjt të na e kujtojë gjithnjë, gjithnjë, këtë hyrje tek Ati, të na kujtojë se e kemi një Atë; e këtij qytetërimi, që e ndjen fuqimisht se ka mbetur jetim, i dhashtë hirin ta rigjejë Atin, atë Atë, që i jep kuptim gjithë jetës e i bën njerëzit, një familje e vetme”.

Shpirti Shenjt na mësoftë butësinë e bijve të Zotit - përfundoi Papa e, në  vijim të Meshës, i ftoi besimtarët të marrin Kungimin shpirtëror me këtë lutje:

O Krishti im, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë tani nuk mund të të marr sakramentalisht, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Të përqafoj njësoj si të kishe ardhur e bashkohem krejtësisht me Ty. Më ndihmo të mos ndahem kurrë prej Teje. Amen!”.

Para se Ati i Shenjtë të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:

“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.

(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që e mbarte në kraharor, Aleluja! 

U ngjall si pati premtuar, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)

 

17 maj 2020, 10:00