Papa Françesku dhe Patriarku i Antiokisë së Asirëve (Liban), Ignace Youssif III Younan Papa Françesku dhe Patriarku i Antiokisë së Asirëve (Liban), Ignace Youssif III Younan 

Papa dhuron 400 bursa studimi për Libanin

200 mijë dollarë për 400 bursa studimi: ky është impenjimi i ri i Papës Françesku, i cili mendon për të rinjtë e Libanit, ku shkollat, veçanërisht ato katolike, janë në vështirësi, për shkak të pandemisë së koronavirusit e të krizës ekonomike.

R.SH. - Vatikan

Me shqetësim atëror, gjatë muajve të fundit, Ati i Shenjtë Françesku e ka ndjekur me vëmendje gjendjen në Liban, të cilin Shën Gjon Pali II e quante “Vend Mesazh”, vendi nga ku Benedikti XVI njoftoi botimin e Nxitjes Apostolike pas-sinodale “Kisha në Lindjen e Mesme”, shembull i përhershëm i bashkëjetesës fetare, që Dokumenti për Vëllazërimin Njerëzor e dëshiron dhe e uron për gjithë botën.

 “Atdheu i Kedrave, në këtë njëqindvjeçar të “Libanit të Madh”, po kalon një krizë të rëndë, e cila po shkakton vuajtje e varfëri dhe ka rrezik “t’u vjedhë shpresën” brezave të rinj, që mundohen në të tashmen dhe e kanë të pasigurt të ardhmen”, thuhet në një komunikatë të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë. “Në këtë kuadër, po bëhet gjithnjë e më e vështirë t’u sigurohet bijave dhe bijve të popullit libanez arsimimi, i cili, veçanërisht në qytetet e vogla, është garantuar gjithnjë nga institucionet kishtare”.

Si shenjë e prekshme e afërsisë së tij, Ati i Shenjtë, përmes Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit dhe Kongregatës për Kishat Lindore, vendosi t’i dërgojë Nunciaturës Apostolike shumën prej 200.000 dollarësh amerikanë, për 400 bursa studimi, me shpresën se edhe protagonistë të tjerë kombëtarë e ndërkombëtarë do të marrin shembull, për të kërkuar me përgjegjësi të mirën e përbashkët, duke kapërcyer çdo ndarje, ose interes vetjak.

Kjo ndërhyrje i shtohet kontributit të Fondit të Emergjencave të Kongregatës vatikanase për Kishat Lindore në përballimin e pandemisë së koronavirusit. “Nëna e Zotit, që vigjëlon mbi Libanin nga mali i Harissa-s, së bashku me shenjtorët e vendit të dashur të Kedrave, e mbroftë popullin libanez”, përfundon komunikata e shtypit, me të cilin njoftohet kjo dhuratë e Papës Françesku.

Gjesti i Atit të Shenjtë vjen pikërisht ndërsa fillojnë bisedimet formale ndërmjet qeverisë libaneze dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, për t’i bërë ballë asaj që është quajtur kriza më e rëndë financiare dhe ekonomike gjatë 30 viteve të fundit. Në mars, qeveria e Bejrutit pati shpallur falimentimin e vendit, por plani i reformave ekonomike u paraqit vetëm para pak ditësh. Libani është përfshirë nga protestat popullore që nga tetori i kaluar. Gjendja ekonomike është keqësuar më tej, për shkak të pandemisë, duke e rritur inflacionin në 50%, ndërsa lira libaneze pothuaj nuk vlen më.

14 maj 2020, 12:37