1589217462809.jpg

“Gëzimi i Ungjillit” dhe pandemia: ditar nga barakat

U publikua dje, “Karantina”, ebook i Alver Metalli-t, me parathënie të Papës Françesku, që tregon jetën e njërës nga lagjet e barakave të Buenos Ajresit. Ati i Shenjtë citon një frazë të këngëtarit italian Fabrizio de André, shkruar për lagjet famëkeqe e të uritura.

R.SH. - Vatikan

“Do të na bëjë mirë ta lexojmë këtë ditar”, shkruan Papa Françesku në parathënien e librit elektronik (ebook) “Karantina”, të Alver Metalli-t, publikuar dje nga Shtëpia Botuese San Paolo: shënime, histori, mendime mbi pandeminë, përjetuar në “La Carcova”, një lagje e madhe në periferi të Buenos Ajresit, në Argjentinë. Ditari tregon realitetin e dhimbjes dhe të mënjanimit, së bashku me bamirësinë aktive të bashkësisë së krishterë, për të lehtësuar pasojat vdekjeprurëse të Covid-19 në popullsi. Gjatë bllokimit në shtëpi, humbën punën shumë njerëz, në të ashtuquajturat “villas miserias”, bidonvilet e kryeqytetit argjentinas, ku uria po përhapet me shpejtësi.

Famullia e Shën Gjon Boskos arrin të sigurojë 2500 vakte në ditë dhe shtrimin e sigurt në spital për të moshuarit, më të prekurit nga koronavirusi. Ajo, që tregon Metalli, është histori që ta këput shpirtin, shkruar nga pena e ndjeshme e kurrë retorike e njërit prej korrespodentëve më të vlerësuar nga Amerika Latine, në dekadat e fundit. Autori nuk është vetëm gazetar. “Gjashtë vjet më parë - shkruan Papa në parathënie – ai e la shtëpinë e tij të bukur, në një lagje të ngritur të Buenos Ajresit, për të jetuar në mesin e barakave të La Carcova-s. E bëri këtë, sepse e tërhoqi dëshmia e atë Pepes e mendoi se kështu mund ta realizonte më mirë, me gëzim, thirrjen e tij të krishterë, pjekur në shkollën shpirtërore të don Giussani-t” (themeluesit të Lëvizjes katolike “Bashkim e Çlirim”).

Libri "Karantina"
Libri "Karantina"

 Për të shprehur përvojën e krishterë, rrëfyer në Ditar, Papa citon një nga këngët më të njohura të këngëtarit italian Fabrizio de André, “Qyteti i Vjetër”, në të cilin autori kapet me Zotin, si të ishte një Job modern, pikërisht për mjerimin e një lagjeje barakash. Këto, fjalët e Françeskut:

“Vargjet e një kantautori italian, Fabrizio de André, tregojnë për lagje famëkeqe ku ‘dielli i Zotit të mirë nuk i lëshon rrezet” e tij, sepse është shumë i zënë ‘duke ngrohur njerëzit në anë të tjera’ të botës. Ja, ky libër na thotë se - përmes dhuratës së dëshmisë - nuk ka zonë, sado e errët, ku s’arrin një rreze e Zotit të mirë për të ngrohur zemrat dhe për të ndriçuar jetët, që, përndryshe, do të mbeteshin të padukshme”.

Morali i këngës përkon mirë me idenë, që ka dashur të japë autori i librit, e që përmbyllet në vargjet e fundit të tekstit të Frabrizio de André. Duke iu referuar pikërisht njerëzve, që banojnë në këto lagje të varfëra, plot uri e mjerim njerëzor, ai shkruan:  “…Nëse mendon e gjykon si i mirë borgjez, do t’i dënosh me pesë mijë vjet burg, plus shpenzimet në mes. Por nëse i kupton, nëse i kërkon ndër lotë, s’do të gjesh lila, por bij e bija, viktima në këtë botë”.

22 maj 2020, 14:31