Afrika: Burkina Faso, thatësira në Sahel Afrika: Burkina Faso, thatësira në Sahel 

Françesku: solidaritet për Sahelin, që vuan nga thatësira

Në përshëndetjet, pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Françesku kujtoi datat e rëndësishme për Kontinentin evropian, në përvjetorin e fillimit të procesit të integrimit e, për atë afrikan, lindjen e një projekti të madh në ndihmë të popullsisë, kundër thatësirës.

R. SH. - Vatikan

Evropa e Afrika, dy kontinente, në mendimin e Papës, pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore. Mendimi i Françeskut shkoi sot në Evropë e në Afrikë. Në Evropë, me rastin e 70-vjetorit të Deklaratës së Schuman, të 9 majit 1950, që e frymëzoi procesin e integrimit evropian, pajtimin e popujve të Kontinentit pas Luftës II Botërore dhe periudhën e gjatë të stabilitetit  e të paqes, që vijojmë ta gëzojmë edhe sot:

“Shpirti i Deklaratës Schuman i frymëzoftë të gjithë ata, që kanë përgjegjësi në Bashkimin Evropian e që janë të thirrur t’u bëjnë ballë, me frymën e harmonisë e të bashëpunimit, pasojave shoqërore dhe ekonomike, të shkaktuara nga pandemia”.

Ky, urimi për Evropën.

E shikimi i Papës shkoi sakaq edhe në Afrikë ku, më 10 maj 1980, dyzet vjet më parë, Shën Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij të parë baritore në këtë kontinent, u bë zë i popujve  të Sahel, të vënë në provë të rëndë  për shkak të thatësirës. Sot Françesku përgëzoi grupin e të rinjve të vendeve të Sahel dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për fillimin e nismës “Lëvduar qofsh’ Drurët”. Objektivi është të mbillen në zonën e Sahel të paktën një milionë drurë, që do të bëjnë pjesë në “Murin e gjelbër të Afrikës”.

Uroj që edhe në vende të tjera të ndiqet shembulli i solidaritetit  të këtyre të rinjve – kujtoi në përfundim Papa.

10 maj 2020, 13:17