Papa në Meshën e Ditës së Pashkëve Papa në Meshën e Ditës së Pashkëve 

Pashkë: Mesha e Françeskut, në Bazilikën e zbrazët

Vdekja u mund! Ky kumt u përsërit gëzueshëm në Meshën solemne të Pashkëve 2020, që bota nuk do të mund ta harrojë kurrë. Përmes Triditshit, të jetuar në kushte ngujimi për shkak të pandemisë, Papa Françesku na mori për dore, për të na shoqëruar ditë për ditë, deri te kjo e Dielë, në të cilën premtimi bëhet realitet, sepse “Krishti u ngjall!”; “Vërtet u ngjall!”.

R. SH. - Vatikan

E diela e Pashkëve, 12 prill 2020. Në Sheshin e  Shën Pjetrit nuk janë mijëra besimtarët, që e mbushnin plot vitin e kaluar. Jemi të gjithë të ngujuar në shtëpitë tona, spese është koha e pandemisë së madhe, betejës së madhe kundër virusit vdekjeprurës. E megjithatë, jemi të gjithë rreth Françeskut, në Bazilikë, para Altarit të Katedrës. Me të lutemi e me të edhe këndojmë: “Gloria in exelsis Deo et in terra pax hominibus bonae voluntatis!”.

Gjithçka është solemne e njëkohësisht, thelbësore në këtë Meshë Pashkësh, ku  arritëm simbolikisht të  përhumbur. Por Françesku na mori për dore, ashtu siç bën babai me fëmijët e vet. Figurja e Marisë Salus Populi Romani është aty, pranë altarit e, pas saj, Kryqi i lashtë i San Marcello al Corso: Nënë e Bir vijojnë të jenë pranë e pranë. Janë dy ikona,   të cilave Papa u drejtohet, për t’u lutur në ditët e pandemisë, por edhe të shpresës. E edhe ne pas tij! Kjo është e Dielja, në të cilën Ungjilli shpallet latinisht e greqisht. Kapitulli i 20-t i Gjonit flet për mrekullimin e Marisë nga Magdala para varrit të zbrazët dhe vrapit të Simon Pjetrit e dishepullit tjetër, atij që Jezusi e donte, për të parë një herë, e për t’i besuar, pastaj, fjalëve të gruas.

Asambleja e vogël

Zëri i Papës Françesku jehon në heshtjen tronditëse të bazilikës boshe, ku janë të pranishëm vetëm ministrantët dhe një asamble, që ka fytyrën e secilit prej nesh. Edhe Scola Cantorum, domethënë kori, është  më i vogël se kurrë, po zërat e tij i mbushin përplot hapësirat e zbrazura të Bazilikës më të Madhe të krishterimit. Është dhurata e këngës. Dhuratë e antifonës Regina Coeli! Drejtuar Mbretëreshës Qiellore!

12 prill 2020, 13:48