Rruzarja Rruzarja 

Papët dhe Rruzarja

Ta thuash Rruzaren në kohë izolimi, në shtëpi, në familje: për këtë na fton Papa gjatë majit 2020. Është si të jetosh në Ungjill, përmes kësaj lutjeje shumëshekullore, që shoqëron gëzimet e vajet e botës!

R. SH. - Vatikan

Ishte shekulli XV, kohë e papnisë së Sikstit IV, kur Kisha katolike e miratoi zyrtarisht Rruzaren. Praktika mendohet të ketë lindur gjatë dy shekujve të mëparshëm nga Cistercensët, për të lehtësuar lutjen e njerëzve të thjeshtë, të cilët nuk dinin shkrim as këndim e që prandaj, luteshin duke kënduar Psalmet. E pikërisht kjo mënyrë e lutjes u zëvendësua më pas me thënien e 150 Falemimrive. Ta përshëndesje Marinë shumë herë me radhë, do të thoshte, simboliksiht, t’i dhuroje një kurorë me trëndafilë.

Historia e shkurtër e Rruzares

Në zanafillë të Rruzares janë 150 Psalmet e Davidit, që këndoheshin ndër manastire. Për t’i kapërcyer vështirësitë e krijuara jashtë manastireve, rreth vitit 850 një murg irlandez këshilloi që, në vend të 150 Psalmeve, të thuheshin 150 Atyna.

Për t’i numëruar lutjet, besimtarët përdornin metoda të ndryshme, ndërmjet të cilave, 150 guralecë. Por shumë shpejt u kalua në përdorimin e spangove me 50 ose 150 nyje. Rruzare, që u përdorën edhe nga komitët antikomunistë, të cilët rezistuan deri vonë në shpellat e veriut të Shqipërisë. Jo në mesjetë, por në shekullin XX.

Përshëndetja e Engjëllit Marisë

Pak më vonë nisi të përdorej edhe përshëndetja, që i bëri Engjëlli Marisë.   Ishte kjo,  asokohe, pjesa e parë e Falemimrisë.

Në shekullin XII murgjërit cistercensë nisën të thonë një lutje, të cilën e quajtën rruzare (Rosario - trëndafilishtë), sepse e krahasonin me një kurorë trëndafilash mistikë, dhuruar Zojës. Ky devocion u bë popullor nga Shën Domeniko (Deda) që, në vitin 1214, sipas gojëdhënës, e mori rruzaren e parë dhuratë nga vetë Virgjëra Mari, si mjet për ndihmën e të krishterëve kundër herezive.

Dy shekuj për strukturimin e Rruzares

Në shekullin XV Rruzarja, nën kujdesin e Domenikanëve, mori formën e meditimeve mbi jetën e Krishtit, ndërmjet të cilave thuhej një Atynë e një Falemimëri. Në shekullin XVI, Rruzarja kishte 15 mistere, ndërsa festa e Zojës Rruzare nisi të kremtohej më 7 tetor që nga viti 1571.

Gjon Pali II, në vitin 2002, e plotësoi Rruzaren, duke u shtuar mistereve të Gazmendit, të Mundimieve e të Lumnisë, pesë Misteret e Dritës:  “Pagëzimi i Jezusit në lumin Jordan; Dasma e Kanës; Kumtimi i Mbretërisë së Hyjit”; Shndërrimi i Krishtit; Themelimi i Eukaristisë”.

Ndërmjet viteve 1571 - 2002, Papët nuk u lodhën kurrë s’i inkurajuari besimtarët për ta thënë Rruzaren. Në vitin 1892, me Enciklikën Laetitiae Sanctae, Leoni XIII shprehte bindjen se praktika e Rruzares, thënë në mënyrë që të nxisë shpërthimin e forcës së saj morale, do të sjellë fryte të shumta jo vetëm për njerëzit e veçantë, por për mbarë shoqërinë”. Ishte agimi i revolucionit industrial. Bota po zhytej në mëkate, të cilat po e dërmonin ekulibrin ndërmjet klasave shoqërore.

Lutje e çasteve të vështira

Në vitin 1937 në Enciklikën Ingravescentibus Malis, Papa Piu XI, duke parë se mbi Evropën po dyndej vala e nacinalsocializmit dhe e stalinizmit, vëren se ai shekull, “me mendjemadhësinë e vet”, “po e refuzonte Rruzaren”, e cila kish qenë e ishte tejet e dashur për një mori shenjtorësh  të të gjitha kohëve”. U drejtohej, prandaj, besimtarëve, duke u kërkuar ta thoshin Rruzaren në shtëpi, “në mënyrë që armiqtë e emrit hyjnor të pendoheshin e të riktheheshin në shtegun e drejtë, duke ia besuar vetveten mbrojtjes së Marisë”.

Dy vjet para se të niste Lufta II Botërore, Piu XI shtonte: “Rruzarja shërben jo vetëm për t’i mundur armiqtë e Zotit e të fesë, por është edhe nxitje  për praktikimin e virtyteve ungjillore në shpirtin tonë”.

Gjoni XXIII thotë Rruzaren për të posalindurit

Më 4 maj 1963, ndërsa Kisha merrte pjesë në Koncilin II të Vatikanit, Gjoni XXIII  pret shtegtimin e parë italian të Rruzares së Gjallë, gjatë të cilit Papa i Mirë takohet me një turmë fëmijësh të sëmurë: “Ju duam, si beben e syrit” - u thotë - “Jeni të dashur sidomos sepse luteni, me gjallërinë e zakonshme të moshës suaj. E dini se një ditë pa lutje, është si qielli pa yje e si kopshti pa lule”.

E gjithnjë Gjoni XXIII, në vitin 1961, në një Letër Apostolike titulluar “Kongresi fetar”, i fton besimtarët të thonë 10 Falemimëri çdo ditë për të posalindurit në 24 orët e fundit, për t’ia besuar Krishtit të gjithë fëmijët,  që lindin mbi sipërfaqen e tokës.

Në Enciklikën Grata Recordatio të vitit 1959, Gjoni XXIII inkurajonte  lutjen e përditshme, duke pohuar se Rruzarja është mënyrë e shkëlqyer për uratën e medituar, që nuk duhet lënë pa thënë asnjë ditë të vitit”. I ftonte besimtarët të luteshin për Koncilin ekumenik që po përgatitej e për të gjitha virtytet e krishtera, që priten nga Kisha.

Të nesërmen e Koncilit , Pali VI  botonte një Nxitje Apostolike kushtuar kultit marian, e cila përmbante disa reflektime, që nxisnin rifillimin më të shpeshtë e më të vetëdijshëm të thënies së Rruzares Shenjte. Ndërsa në “Marialis Cultus” nënvizonte një element tjetër themelor të Rruzares: kundrimin. Pa të, Rruzarja është si trup pa shpirt e thënia e saj rrezikon të shndërrohet në përsëritje mekanike formulash”. Pali VI vijon t’i këshillojë besimtarët ta thonë gjallërisht Rruzaren në familje, çdo ditë.

Devocioni i Shën Gjon Palit II për Rruzaren

Shën Gjon Pali II, që kishte një devocion të thellë për Zojën e moto apostolike “Totus Tuus” - “Krejt i yti”, gjatë 27 vjetëve të papnisë  së tij i inkurajoi vazhdimisht besimtarët ta thonë Rruzaren. Më 2002 botoi një Letër Apostolike kushtuar pikërisht  Rruzares, Rosarium Virginis Mariae, një lutje, shkruan, që në thjeshtësinë e elementeve, përmbledh “thellësinë e gjiithë mesazhit të saj ungjillor” e nga e cila “besimtari fiton  hire mbi hire, aq sa t’i duket se i merr drejt nga duart  e Nënës së Shëlbuesit”.

Në vitin 1978, dy javë pas zgjedhjes, Gjon Pali II shpjegonte se e kishte pasur gjithnjë për zemër Rruzaren. Kjo kishte qenë lutja, që i pëlqente më shumë, qysh nga djalëria.

Gjithnjë në këtë Letër, Gjon Pali II  shpallte Vitin e Rruzares, nga tetori i vitit 2020 - deri në tetor 2003, duke i ftuar besimtarët “të kundronin në Marinë, fytyrën e Krishtit”.

Në agimin e mijëvjeçarit të tretë, Papa polak pati nënvizuar “urgjencën për t’i bërë ballë njëfarë krize të kësaj lutjeje që, në rrethanat aktuale historike e teologjike, mund ta humbiste sadopak vlerën e se prandaj i duhej propozuar përsëri breznive të reja. I shqetësuar për gjendjen e vështirë të familjes, që po rrethohej “gjithnjë më shumë nga forca  shpërbërëse në nivel ideologjik e  praktik” e propozon Rruzaren si ndihmë  e frytshme për t’u vënë pritë efekteve shkatrrimtare të kësaj krize epokale”.

Pranvera e re e Rruzares

Edhe Benedikti XVI e rigjallëroi Rruzaren. “Rruzarja nuk është praktikë e lidhur me të kaluarën, si lutje e kohëve të tjera, të cilën mund ta kujtojmë me mall”, pati pohuar gjatë lutjes në Bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe, më 3 maj 2008. “Është, pa dyshim, një nga shenjat më shprehëse  të dashurisë që ushqejnë breznitë e reja për Krishtin e Nënën e Tij, Marinë. Në botën aktuale, gjithnjë më të copëzuar,  kjo lutje na ndihmon ta rivëmë Krishtin në qendër të jetës”.

Tre vjet më parë, në një mesazh drejtuar të rinjve katolikë të Vendeve të Ulëta, Benedikti XVI shkruante se “Rruzarja mund të ndihmojë për të mësuar artin e lutjes me thjeshtësinë dhe thellësinë e Marisë”. Në maj 2006, Benedikti XVI i ftonte besimtarët ta thellonin më tej praktikën e Rruzares. “Rruzarja, e thënë në familje, është një çast rritjeje shpirtërore, nën vështrimin dashamirës të Marisë”. E të sëmurët i nxiste t’i drejtoheshin me besim të plotë Marisë, duke ia besuar, përmes Rruzares,  të gjitha nevojat”.

Akoma, çaste të vështira  

Në tetor 2018 Papa Françesku u kërkoi të gjithë besimtarëve ta thonë Rruzaren çdo ditë, që Virgjëra Mari ta ndihmonte Kishën në periudhën aq shqetësuese të shpërdorimeve të seksit, të pushtetit e të ndërgjegjes nga ana e klerit, e rregulltarëve dhe e laikëve, me pasojë, përçarjet e brendshme”.

E sot Françesku e përsërit këtë ftesë, në fillim të muajit marian, me qëllim që “ta kundrojmë së bashku Fytyrën e Krishtit me zemrën e Marisë”. Kur e themi Rruzaren, bëhemi më të bashkuar si familje shpirtërore. Rruzarja na ndihmon ta kapërcejmë çdo provë - shkruan Ati i Shenjtë, duke i siguruar gjithë njerëzit, që vuajnë, se lutet për ta, duke thënë pikërisht Rruzaren!

30 prill 2020, 11:35