Vatican News
ITALY PANDEMIC CORONAVIRUS COVID19 ITALY PANDEMIC CORONAVIRUS COVID19  (ANSA)

Papa, pandemia, paraja

Papa e fton njeriun ta shikojë heshtjen e vdekjes, si mundësi: mundësi për të mos e shpërdoruar jetën si pronë private, që përdoret sipas qejfit! Mundësi për të hequr dorë nga përçarjet, grindjet, lakmia për para.

R. SH. - Vatikan

Para, kotësi, përgojime! Duket se pandemia sundon mbi të gjithë e mbi gjithçka! Por nuk është krejt kështu. Jeta vijon. E me të edhe beteja e së mirës me të keqen. Prandaj pikërisht në një situatë të tillë nuk duhet ta harrojmë zanafillën e së keqes! Tundimet e botës, të frymëzuara nga djalli, vijojnë, edhe kur hapen mijëra varre të reja! I përçajnë njerëzit, familjet e deri vetë Kishën. Paraja nuk është e sëmurë, nuk e vret pandemia: përkundrazi, mbetet gjithnjë ashtu si ishte: në vendin e parë. E vijon të tallet me të varfërit, të këpusë lidhjet e gjakut e deri të fshihet pas devijimeve doktrinore. E si t’i ketë mbushur xhepat me para, njeriu vijon të mos pyesë fare për pandeminë, edhe pse e shikon ditë për ditë vdekjen sy më sy. Edhe pse para tij hapen çdo ditë mijëra varre të reja, në mbarë globin tokësor! Njeriu vijon thashethemet, shpërrallimet Edhe në këtë kohë, kur mbi botën ka rënë heshtja e madhe: heshtje në rrugë, në vendet deri dje përplot me njerëz e me zhurmë, në dyqane, në banesa… E me që njerëzit nuk mund të dalin më në rrugë, të mbyllur siç janë në shtëpi, nisin e bëjnë bilancin e jetës, që mund t’u shkasë sakaq, me vetveten e me atë që kanë pranë. Nuk i pëlqen kjo heshtje mortore njeriut. E kërkon një shpjegim bindës…

Shpjegim që mund ta gjejë në Meshët e kremtuara çdo mëngjes nga Papa, në Shën Martë, që po i ndjekin mijëra njerëz, nga mbarë bota.

Papa e fton njeriun ta shikojë heshtjen e vdekjes, si mundësi: mundësi për të mos e shpërdoruar jetën si pronë private, që përdoret sipas qejfit! Mundësi për të hequr dorë nga përçarjet, grindjet, lakmia për para. Sepse pikërisht kjo lakmi -  kujton Papa në meshët e mëngjesit në Shën Martë - është burim i përçarjeve. Dëshira për të pasur sa më shumë para i ndan bashkësitë, ndan deri vetë Kishën. Shumë herë, në historinë e Kishës, atje ku ka devijime doktrinore - pas tyre fshihen gjithnjë paratë: paratë e pushteti!

Paratë përçajnë edhe familjet: sa prej tyre grinden, kur ndajnë trashëgimin. Ndahen e nuk flasin kurrë më me njëra tjetrën! Sepse paratë përçajnë!

E si përçajnë, të mësojnë edhe të merresh me kotësira. Kotësia hyn në palcën e jetës. Në mënyrën e të veshurit, në zakonet e përditshme, në vendet e punës… Kotësi në të veshur! Në festat! Në dëshirën për t’u dukur. Dëshirë që përçan, gjithnjë! Në përgojimet….

Kjo është paraja për Papën që, duke iu kundërvënë, vijon të na përcjellë mesazhin e shpresës:

“Nga etja e botës për para, nga kotësitë e botës, nga përgojimet e saj, nga pandemia, mund të na shpëtojë vetëm Shpirti Shenjt, që nuk është bota, që është kundër mendësisë së botës. E është i aftë për të bërë mrekulli, për ta shndërruar njerëzimin e për t’i prirë përpara, drejt jetës, në harmoni me Jezusin!”.  

25 prill 2020, 12:57