Papa lutet për artistët: Zoti na dhëntë hirin e krijimtarisë

Në Meshën, kremtuar sot në Shën Martë, Françesku kujtoi artistët dhe rrugën e bukurisë e të frymës krijuese, që mund të ndihmojnë në këtë çast të vështirë, kur mbarë njerëzimi vuan nga pandemia. Në homeli, ftoi të kërkohet hiri për t’u rikthyer gjithnjë tek thirrja e parë, kur Jezusi na shikoi me dashuri e na ftoi ta ndjekim.

R. SH. - Vatikan

Françesku kryesoi sot, në Shën Martë, Meshën e së hënës të javës së tretë  të Pashkëve. Fjalët e para ua kushtoi artistëve:

“Të lutemi sot për artisët, që kanë aftësi të mëdha krijimi e, përmes udhës së bukurisë, na tregojnë edhe ne rrugën, që duhet të ndjekim. Zoti na dhashtë të gjithëve hirin e krijimtarisë në këtë çast”.

Në homeli, Papa komentoi Ungjillin e sotëm (Gjn 6,22-29), në të cilin Jezusi e qorton turmën sepse, mbas shumëzimit të bukëve e të peshqve, e kërkon vetëm pse u ngop dhe e nxit të mos kërkojë ushqimin që prishet, por atë që mbetet për jetën e pasosur. Ushqim, të cilin e jep vetëm i Biri i Hyjit. Turma e pyet ç’duhet të bëjë, për ta siguruar. E Jezusi përgjigjet: “Kjo është vepra e Zotit: të besoni në atë, që Ai jua dërgoi”. Turma e dëgjonte Jezusin pa u lodhur kurrë - tha Françesku - e, pasi  ishte ngopur -  mendonte ta bënte mbret: e kishte harruar entuziazmin e parë, atë që provonte duke dëgjuar fjalën e Jezusit. Pikërisht këtë ia kujton Jezusi turmës! E qorton, sepse kishte nisur të ecte më shumë në udhën e botës,  sesa në atë të Ungjillit. Kështu na ndodh edhe ne, kur largohemi nga udha e Ungjillit dhe e humbasim kujtesën e entuziazmit të parë për Fjalën e Zotit. Jezusi na bën të rikthehemi tek takimi i parë; ky është hir, përballë tundimit për t’u larguar. Hiri i kthimit gjithnjë tek thirrja e parë, kur Krishti na pa me dashuri. Secili nga ne e ka provuar emocionin e takimit të parë,  thirrjen e parë të Jezusit: “Ndiqmë!”. Pastaj, gjatë rrugës, largohemi dhe e humbasim freskinë e thirrjes së parë. Papa na fton të lutemi që Zoti të na e japë hirin  e rikthimit në çastin, kur u takuam për herë të parë me Krishtin.

“Po ç’duhet të bëjmë? Duhet të kujtohemi për ditët e para, për takimin  e parë, kur Jezusi na pa me dashuri e na tha: ‘Ndiqmëni’”.

Françesku e përfundoi kremtimin me adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament dhe me bekimin eukaristik, duke  i ftuar besimtarët të marrin Kungimin shpirtëror. Në përfundim, lutja e Papës:

O Krishti im, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë tani nuk mund të të marr sakramentalisht, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Të përqafoj njësoj si të kishe ardhur e bashkohem krejtësisht me Ty. Më ndihmo të mos ndahem kurrë prej Teje. Amen!”.

Para se Ati i Shenjtë të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:

“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.

(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që e mbarte në kraharor, Aleluja! 

U ngjall si pati premtuar, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)

 

27 prill 2020, 09:44