1978 Udienze (1).jpg

Papa Françesku themelon Fondacionin vatikanas Gjon Pali I. Kardinali Parolin: Papë jashtëzakonisht aktual

Me një “Rescriptum ex audientia Ss.mi” të datës 17 shkurt 2020, Papa Françesku i jep përgjigje propozimit për themelimin e një organizmi të veçantë, i cili të thellohet në figurën, mendimin dhe mësimet e njërit prej paraardhësve të tij në fronin e Shën Pjetrit, Papës Gjon Pali I. Në një artikull botuar sot në gazetën “L’Osservatore Romano”, kryetari i Fondacionit Gjon Pali I, kardinali Pietro Parolin, vë në dukje aktualitetin, që ka edhe sot veprimtaria e Papës Luciani.

R.SH. - Vatikan

Me një “Rescriptum ex audientia Ss.mi” të datës 17 shkurt 2020, Papa Françesku themelon Fondacionin vatikanas Gjon Pali I, i cili do të funksionojë sipas normave të Shtetit të Vatikanit. “Rescriptum” s’është tjetër veçse një përgjigje me shkrim e Atit të Shenjtë për propozimin që të krijohej një ent i veçantë, i cili të mundësonte thellimin në figurën, mendimin dhe mësimet e njërit prej paraardhësve të tij në fronin e Shën Pjetrit, Papës Gjon Pali I. Albino Luciani qe në krye të Kishës Katolike nga 26 gushti 1978 deri më 28 shtator 1978, në një periudhë vërtet tejet të shkurtër, pak më shumë se një muaj, por edhe tejet të frytshme, siç dëshmojnë shkrimet e tij, objekt i studimit të Fondacionit të ri, i cili do të kujdeset edhe për përhapjen e tyre.

Qëllimet e Fondacionit Gjon Pali I

          Siç thuhet në Rescriptum, Fondacioni do të mbrojë dhe do të ruajë trashëgiminë kulturore e fetare të Papës Gjon Pali I; do të promovuojë nisma si kuvende, takime, seminare e seksione studimore; do të caktojë çmime e bursa studimi; do të botojë rezultatet e studimeve e të punës kërkimore-shkencore për Papën Gjon Pali I; si edhe do të jetë pikë referimi, në Itali e jashtë saj, për të gjithë ata, që veprojnë me të njëjtat objektiva.

Në krye të Fondacionit, kardinali Pietro Parolin

          Njëkohësisht, Ati i Shenjtë emëroi kryetar të Fondacionit, Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, i cili zgjodhi anëtarët e Këshillit Administrativ. Në të do të bëjnë pjesë me mandat 5-vjeçar, Stefania Falasca, e cila do të jetë edhe zv.kryetare e Fondacionit, duke qenë njëkohësisht, zv.postulatore e çëshjes së lumnimit të Papës Luciani; kardinali Beniamino Stella, postulator i çështjes së lumnimit; imzot Andrea Celli; don Davide Fiocco (ka shkruar Positio-n e Papës Gjon Pali I bashkë me Stefania Falasca-n); Lina Petri (mbesa e Albino Luciani-it); Alfonso Cauteruccio.

Fondacioni do të ketë një Komitet Shkencor me gjashtë anëtarë, të zgjedhur ndër personalitetet më në zë e më me përvojë, por mund të zgjerohet me anëtarë të tjerë të përkohshëm, sipas nismave, projekteve, studimeve apo këshillimeve të rastit.

Aktualiteti i Papës Luciani

          Në një artikull botuar sot në gazetën “L’Osservatore Romano”, kryetari i Fondacionit Gjon Pali I, kardinali Pietro Parolin, vë në dukje aktualitetin, që ka edhe sot veprimtaria e Papës Luciani, për të cilin është hapur çështja e lumnimit, duke i njohur atij, që u quajt “Buzëqeshja e Zotit”, virtytet heroike. “Papa Gjon Pali I – shkruan kardinali Parolin – ka qenë dhe mbetet pikë referimi në historinë e Kishës universale. Rëndësia e tij – siç pati vërejtur shën Gjon Pali II – është proprocionalisht e kundërt me zgjatjen e papnisë së tij të shkurtër”. “Historia e Albino Lucianit është ajo e një bariu pranë njerëzve, e një bariu të përqendruar në thelbin e fesë, me një ndjeshmëri të jashtëzakonshme shoqërore. Magjisteri i tij është aktual. Afërsia, përvujtëria, thjeshtësia, këmbëngulja në mëshirën e Zotit, dashuria për të afërmit dhe solidariteti, janë tiparet e tij dalluese”.

Mësimet e Papës Gjon Pali I

          Kardinali Parolin përmend përvojën e Koncilit II të Vatikanit, zbatuar në atë pak kohë, që Gjon Pali I qëndroi në krye të Kishës, duke e nxitur atë drejt misionaritetit, kolegjialitetit ipeshkvnor, shërbimit kishtar në varfëri, kërkimit të bashkimit ndërmjet të krishterëve, dialogut ndërfetar, atij me botën bashkëkohore e dialogut ndërkombëtar në kërkim të drejtësisë e paqes. Kryetarit të Fondacionit të ri papnor i kujtohen audiencat e përgjithshme e këmbëngulja e Papës Luciani që Kisha të jetë e varfër e solidare me të varfërit, por edhe ngjarje të veçanta si Engjëlli i Tënzot i 10 shtatorit 1978, kur i ftoi presidentët me fe të ndryshme të favorizonin paqen në Lindjen e Mesme. Thirrje, që e pati shprehur edhe në takimin me Trupin Diplomatik, më 31 gusht të atij viti, kur pati përcaktuar natyrën e diplomacisë së Selisë së Shenjtë në këndvështrimin fetar. E duke pritur më se 100 përfaqësuesit ndërkombëtarë të pranishëm në përurimin e papnisë së tij, Papa Gjon Pali I pati nënvizuar se zemra e tij ishte “e hapur për të gjithë popujt, për të gjitha kulturat e për të gjitha racat”.

Diplomacia e Selisë së Shenjtë, sipas Papës Luciani

          “Sigurisht, nuk kemi zgjidhje të mrekullueshme për problemet e mëdha botërore – thoshte Papa Luciani – por mund të japim diçka shumë të çmuar: shpirtin, frymën, që ndihmon në zgjidhjen e këtyre problemeve, duke u dhënë përmasën thelbësore, atë të hapjes ndaj vlerave të dashurisë universale… Kisha, lajmëtare e përvuajtur e Ungjillit për të gjithë popujt e tokës, mund të kontribuojë kështu, në krijimin e një atmosfere drejtësie, vëllazërimi, solidariteti e shprese, pa të cilën bota nuk mund të jetojë”. “Me vdekjen e tij të parakohshme – shkruan kardinali Pietro Parolin – …perspektiva e përvijuar nga papnia e tij e shkurtër nuk mbeti parantezë. Megjithëse udhëheqja e Kishës nga Gjon Pali I nuk mundi të shtrihej në histori, ai kontribuoi – explevit tempora multa (përsosurisht) -  në përforcimin e projektit të një Kishe pranë dhimbjes së njerëzve e të etur për dashuri” të krishterë.

Çështja e lumnimit e Gjon Palit I

          Për Papën Luciani vijon çështja e lumnimit. Në vitin 2017, Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve i njohu virtytet heroike e Papa Françesku nënshkroi dekretin, që lejon kultin e nderimit të Gjon Palit I. Për lumnimin pritet njohja e një mrekullie, ndodhur në Argjentinë, në dioqezën e Buenos Ajresit. Fondacioni, pa dyshim, do të kontribuojë për ta bërë edhe më të njohur Papën, siç nënvizon kardinali Pietro Parolin, në fund të artikullit, publikuar në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”. “Themelimi i një Fondacioni të ri ‘ad hoc’ – vëren Sekretari i Shtetit të Vatikanit – mund ta përmbushë me përpikmëri detyrën e mbrojtjes jo vetëm të gjithë trashëgimisë së shkrimeve dhe veprave të Gjon Palit I, por edhe atë të inkurajimit të studimit sistematik dhe të përhapjes së mendimit e të përshpirtërisë së tij. Edhe më tepër, motivuar nga fakti se figura dhe mesazhi i tij janë jashtëzakonisht aktuale".

28 prill 2020, 12:05