Papa gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore Papa gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore 

Papa: dëshmitarë e kumtues të Krishtit të ngjallur

“Të jemi dëshmitarë të ngjarjes më tronditëse të historisë njerëzore, ngjalljes së Krishtit, që vërteton fitoren e dashurisë së Zotit mbi mëkatin e mbi vdekjen”: kjo, ftesa e Papës Françesku sot, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, në të Hënën e Engjëllit. Papa rikujtoi fjalët e Krishtit drejtuar grave: “Mos kini frikë: shkoni e kumtojeni Krishtin e ngjallur!”.

R. SH. - Vatikan

Sot, e Hëna  e Engjëllit, rijehon përsëri kumti gazmor i ngjalljes së Krishtit. Me këtë kumt e nisi Papa lutjen e Mbretëreshës Qiellore, për të vijuar me faqen e sotme ungjillore (krh Mt 28,8-15), në të cilën tregohet  sesi gratë, të trembura, ikin me vrap nga varri i Krishtit, të cilin e gjejnë të zbrazur.  E ndërsa vrapojnë, atyre u duket vetë Jezusi e u thotë. “Mos kini frikë; shkoni e lajmërojini vëllezërit e mi të nisen për në Galile: atje do të më shikojnë” (v.10).

Me këto fjalë - vijoi Papa - Krishti i ngjallur u beson grave një mandat misionar për apostujt. Ua beson, sepse ato dhanë një shembull të admirueshëm besnikërie, përkushtimi e dashurie ndaj Krishtit, në kohën e e jetës së Tij publike, ashtu si edhe gjatë mundimeve të Tij. E tani – pohoi Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, që zëvendëson atë të Engjëllit të Tënzot deri për Rrëshajë -  me të drejtë shpërblehen prej Tij me një gjest të veçantë vëmendjeje e dashurie.

Kështu u shpreh Françesku, në këtë të Hënë, që njihet edhe si e Hëna e Engjëllit,  në zemër të lulëzimit të pranverës, që në këtë të hënë të sëmurë nga coronavirusi, mund të soditet vetëm pas qelqeve të dritareve. Për të vijuar t’u rikujtojë besimtarëve ngjarjen e një të hëne tjetër, sa të largët, aq edhe të afërt, që kremtohet vit për vit: të hënes, kur pas grave, tek varri i zbrazur, arritën edhe dishepujt e, posaçërisht Pjetri. Arritën e panë se Krishti ishte ngjallur me të vërtetë. Ai i kishte paralajmëruar - kujtoi Papa në lutjen e sotme të Mbretëreshës Qiellore - se pas mundimeve e kryqit, do të ngjallej, por ata nuk e patën kuptuar, sepse nuk ishin ende gati. Feja e tyre duhet të bënte një hop të vërtetë cilësor, që vetëm Shpirti Shenjt, dhuratë e të Ngjallurit, mund ta shkaktonte.

Në fillim të Librit të Veprave të Apostujve - vijoi të kujtojë Papa ngjarjen e ringjalljes - e dëgjojmë Pjetrin duke deklaruar me gojë plot: “Këtë Jezus, Zoti e ngjalli e ne të gjithë  jemi dëshmitarë”. (Vap 2,32).

E pikërisht nga ky çast, lajmi se Krishti u ngjall përhapet në të katër anët, për të arritur deri në skajet më të humbura të tokës, duke u bërë mesazh shprese për të gjithë. Mesazh, që jehoi edhe sot, duke u nisur nga Sheshi i Shën Pjetrit, sivjet pa tulipanet e famshme hollandeze e pa besimtarët nga të katër anët e botës – por me besimin e plotë në Ngjalljen e Krishtit - e  me  optimizmin për të ardhmen, që ndjehej fort në zërin  e  Françeskut – për të na kujtuar se fjalën e fundit nuk do ta thotë vdekja, por jeta! Duke e ngjallur Birin e Tij të vetëm, Hyji Atë e shprehu plotësisht dashurinë dhe mëshirën e Tij për njerëzimin e të gjitha kohëve.

Ngjallja e Krishtit na  mundëson ta shikojmë me besim të plotë çdo ngjarje të jetës sonë, edhe më të vështirat, më të ngarkuarat me ankth e pasiguri. E ky - theksoi Papa - është mesazhi i Pashkëve, të cilin jemi të thirrur ta shpallim me fjalë e, sidomos, me dëshminë e jetës. Në shtëpitë tona e në zemrat tona - i porositi plot entuziazëm Françesku besimtarët gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore – le të jehojë ky lajm i gëzuar: “Krishti, shpresa ime, u ngjall!”. Kjo siguri e forcoftë fenë e çdo të pagëzuari dhe i inkurajoftë posaçërisht të gjithë ata, që po përballojnë më shumë vuejtje e vështirësi!  

Në përfundim, lutja drejtuar Marisë:

“Maria, dëshmitare e heshtur e vdekjes dhe e ngjalljes së Jezusit, na ndihmoftë ta besojmë me gjithë zemër këtë mister shëlbimi që, i pranuar me fe, mund t’ia ndryshojë jetën çdo njeriu. E ky është edhe urimi i Pashkëve, që e rinon njeriun e botën. T’ia besojmë Asaj, Nënës sonë,  së cilës po ia drejtojmë sot lutjen e Mbretëreshës Qiellore!”.

13 prill 2020, 13:00