Papa në lutje para Zojës Papa në lutje para Zojës 

Françesku: ta shikojmë Zojen me më shumë fe e më shumë shpresë

Pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa nxiti për të thënë Rruzaren gjatë gjithë majit, i cili po troket në portat tona të mbyllura. Ftesë kjo, që vjen pas Letrës së djeshme, drejtuar të gjithë besimtarëve. Françesku kujtoi edhe Ditën botërore kundër malaries, duke i falënderuar ata, që luftojnë kundër sëmundjes.

R. SH. - Vatikan

Ftesën ia bëri dje gjithë popullit të Zotit, me Letrën, përmes së cilës i ftoi posaçërisht familjet për ta thënë gjatë muajit maj Rruzaren në shtëpi, së bashku me dy lutjet e menduara për këtë kohë pandemie. Në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa e rikujtoi, duke nënvizuar,  rëndësinë që ka lutja mariane gjatë muajit kushtuar tradicionalisht Zojës:

“Pas pak ditësh do të nisë muaji i majit, kushtuar në mënyrë të posaçme Virgjërës Mari. Me një Letër të shkurtër, botuar dje, i ftova gjithë besimtarët ta thonë në këtë muaj Rruzaren, së bashku me dy lutjet, që i vura në dispozicion të të gjithëve. Nëna jonë na ndihmoftë ta përballojmë me fe e shpresë kohën e provës, që po kalojmë”.

Është vëmendja ndaj Zojës së Bekuar, që Kisha e përforcon me devocionin popullor e që Françesku nxit të mbahet gjallë në përmasën shtëpiake, të detyruar nga ngujimi, pasojë e luftës kundër pandemisë.

Françesku përshëndeti sot edhe të gjithë polakët, që morën pjesë në “Leximin Kombëtar të Shkrimit Shenjt”, duke përsëritur një koncept të dashur për të, atë të zakonit për ta pasur gjithnjë me vete Ungjillin e për ta lexuar sa më shpesh.

Angazhimi kundër malaries

Ati i Shenjtë kujtoi edhe Ditën Botërore të Kombeve të Bashkuara kundër malaries, që u kremtua dje, me qëllim që të parandalohet e të mjekohet kjo sëmundje, që kërcënon mijëra vetë, duke i falënderuar të gjithë ata, që janë në vijën e parë të luftës kundër kësaj plage:

“Jam pranë gjithë të sëmurëve, atyre që i mjekojnë e atyre, që punojnë për të mos i munguar askujt shërbimet e duhura shëndetësore”.

Ashtu si në raste të tjera, pasi i përfundoi përshëndetjet në Bibliotekën Apostolike, Papa u zhvendos në dritaren e studios së tij për t’i dhënë përshëndetjen dhe bekimin qytetit të boshatisur nga virusi! Plot shpresë për ditën kur Sheshi do të mbushet përsëri me shtegtarë nga të katër anët e botës!

26 prill 2020, 13:02