Bazilika e Vatikanit Bazilika e Vatikanit 

Coronavirus e ndryshon Javën e Madhe të Pashkëve në Vatikan

Papa Françesku do t’i kremtojë Ritet e Javës së Madhe të pashkëve në Altarin e Katedrës të Bazilikës së Shën Pjetrit, në Vatikan. Përsa i përket Treditëshit të Shenjtë të Pashkëve, Mesha in Coena Domini e së Enjtes së Madhe do të fillojë në orën 18.00 e në të njëjtën orë Françesku do ta kryesojë, të nesërmen, edhe kremtimin e Mundimeve të Zotit të së Premtes së Madhe. Të gjitha kremtimet, në Altarin e Katedrës, pa praninë e besimtarëve, të transmetuara drejtpërdrejt në Tv.

R. SH. - Vatikan

Coronavirus nuk mund të mos e ndryshonte edhe programin e kremtimeve të Papës për Javën e Madhe. Riti tejet i lashtë i Udhës së Kryqit në Koloseum, kremtuar për herë të parë në vitin 1750 nga Papa Benedikti XIV për këtë vit jubilar e, më pas, pa asnjë ndërprerje, transmetuar drejtpërdrejt  në Tv e Mondovizion që nga viti 1977, sivjet nuk do të kremtohet në Koloseum, por para tremës së Bazilikës së Shën Pjetrit, në Vatikan.

E do të mungojë edhe tradita e nisur nga Papa Françesku në vitin 2013, viti i parë i papnisë së tij, për ta kremtuar Meshën 'In Coena Domini' të së Enjtes së Madhe të Pashkve jo më në Bazilikën e Shën Pjetrit, sipas traditës, por në një burg, ose në një qendër strehimi për emigrantët, siç ndodhi në vitin 2016, kur për larjen e këmbëve shkoi për vizitë në C.a.r.a. të Catstelnuovo di Porto, në portat e Romës. Riti i larjes së këmbëve sivjet do të mungojë në të gjitha katedralet  dhe famullitë, ku Mesha do të kremtohet pa besimtarë.

Pak ditë më parë imzot Guido Marini, kreu i Zyës së kremtimeve papnore, i shpjegoi këto risi përmes një note: “Pas situatës së jashtëzakonshme, krijuar për shkak të Covid-19 e duke pasur parasysh udhëzimet e dhëna nga Kongregata për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, me Dekretin e datës 25 mars  2020, lindi nevoja - lexohet në një notë- për përditësimin e programit të Kremtimeve të  ardhshme Liturgjike, të kryesuara nga Ati i Shenjtë Françesku. Të gjitha takimet do të mund të ndiqen drejtpërdrejt në home page të Vatican News, në faqen Facebook e drejtpërdrejt në Kanalin Yotube. Do të transmetohen edhe në televizion.

Të gjitha kremtimet mund të ndiqen drejtpërdrejt në Vatican News e në kanalin tonë

Papa Françesku - shpjegon komunikata - do t’i kremtojë Ritet e Javës së Madhe të Pashkëve në Altarin e Katedrës të Bazilikës së Shën Pjetrit, në Vatikan. Përsa i përket Treditëshit të Shenjtë të Pashkëve, Mesha in Coena Domini e së Enjtes së Madhe do të fillojë në orën 18.00 e në të njëjtën orë Françesku  do ta kryesojë, të nesërmen, edhe kremtimin  e Mundimeve të Zotit të së Premtes së Madhe.

Ndryshon edhe skena tradicionale e Udhës së Kryqit, që sivjet nuk do të mund ta ndjekim me pishtarët klasikë, në sfondin e Koloseumit, por në tremen e Bazilikës vatikanase, duke nisur nga ora 21.00. Meditimet e Udhës së Kryqit  sivjet u përgatiten nga famullia e burgut të Padovës Due Palazzi. Gjatë katërmbëdhjetë stacioneve, historia e Mundimeve të Krishtit gërshetohet me katërmbëdhjetë histori nga jeta e të burgosurve, policëve, edukatorëve, vullnetarëve dhe atyre që mbarështojnë drejtësinë. Tekstet u mblodhën e dhe u shkruan nga don Marko Pozza, teolog e kapelan i burgut, dhe nga Tatiana Mario, gazetare vullnetare.

Edhe Nata e Pashkëve do të kremtohet në Altarin e Katedrës,  në Bazilikën e Vatikanit e do të fillojë në orën 21.00 të së Shtunës së Madhe, 11 prill, ndërsa  të dielë, 12 prill, në orën 11.00, Papa do të kremtojë Meshën e së Dielës së Pashkëve, që do të përfundojë me bekimin solemn Urbi et Orbi.

07 prill 2020, 11:03