Papa: janë shenjtorët ata, që na mësojnë ta njohim Zotin

Fillon në televizionin kishtar italian Tv2000, programi i ri kushtuar Besojmës. Në çdo emision, pjesë nga një intervistë e gjatë me Papën Françesku.

R.SH. - Vatikan

Takimi i tretë i Papës Françesku me publikun e televizionit kishtar italian Tv2000. Ati Shenjtë përfundon kështu trilogjinë e lutjes, me Besojmën e krishterë. Nga e hëna, 17 shkurt, do të transmetohet programi “Unë besoj” me një intervistë të gjatë të Papës, dhënë don Marco Pozza-s, kapelan i burgut të Padovës.

Tetë emisione në orët e para të mbrëmjes, me regji të Andrea Salvadore-s. Ideja është kthimi në rrënjën e fjalëve të lashta të lutjes, që përmbledh thelbin e fesë së krishterë, duke i aktualizuar ato përmes takimeve dhe komenteve të dëshmitarëve të kohës sonë.

“Ndonjëherë ka teori - thotë Papa në intervistë - që na bëjnë të paraqesim një Zot abstrakt, një Zot ideologjik, një ide ... të përsosur ... që e vërteton ekzistencën e Hyjit sikur të ishte punë matematike”. Ndërsa shenjtorët, shton Françesku, “janë burra dhe gra, që e kanë kuptuar se çfarë do të thotë të besosh në një Zot, i cili është Atë” e jo perëndi me shkop magjik.

Ashtu si në edicionet e kaluara të programit, intervista e gjatë do të botohet më pas në një libër, i cili do të dalë në librari në fillim të marsit.

07 shkurt 2020, 14:30